Albspirit

Media/News/Publishing

Veli Vasjari, personaliteti i pavlerësuar i themeleve shqiptare

Nga Çerçiz Loloçi

Teksa jemi në jubileun e 100-vjetorit të shtetit shqiptar, ndër shumë personalitete që vunë një gur të rëndësishëm në themelet e tij, ishte edhe ajo e Veli Vasjarit lindur më 1887 dhe vdekur në 1944. Ndoshta mund të mos kisha një lloj pezmi kur hedh këto radhë, por e shoh se megjithëse kanë kaluar 20 vjet askush nuk është kujtuar për nxjerrjen nga hija dhe lartësimin e tij; ende s’e kanë hedhur një hap për t’i dhënë vendin që i takon as Tepelena ku ka lindur dhe as qytetet e tjera kryesore ku ka punuar me përkushtim të pashoq. Rivlerësimi i këtij personaliteti në Berat apo në Durrës, në Fier apo në Lushnjë, në Leskoviq, Peqin, Dibër apo në Korçë, sigurisht do të ishte pak. Shumë pak do të ishte gjithashtu një emërtim shkolle ose rruge, një shtatore në mes të kryeqytetit; ndërsa do t’i sugjeroja komisionit parlamentar të sigurisë që ai të nderohej me medaljen më të lartë.

Në dosjen personale të AQSH-së për Veli Vasjarim mësojmë se kishte përfunduar gjimnazin “Vefa” në Stamboll dhe fliste rrjedhshëm turqisht, greqisht dhe italisht. Pas përfundimit të arsimit të mesëm ai është komisar policie në Berat (1 maj – 31 dhjetor 1913), drejtor policie në Durrës (1prill – 30 qershor 1914), nënprefekt i Fierit (1 prill 1916 – 31 dhjetor 1917), nënprefekt i Lushnjës (1 gusht 1918 – 24 qershor 1920), nënprefekt i Tepelenës 21gusht 1920 – 30 qershor 1921 dhe 1 shtator 1921 – 13 janar 1922), drejtor i Policisë në Tiranë (11 janar 1922 – 25 prill 1922), nënprefekt i Lushnjës (24 prill 1922 – 30 prill 1924), nënprefekt i Leskovikut (14 maj 1924 – 29 gusht 1924), nënprefekt i Peqinit (30 gusht 1924 – 10 shtator 1924), nënprefekt i Fierit     (13 shtator 1924 – 28 dhjetor 1924), prefekt i Elbasanit (23 qershor 1933 deri 19 dhjetor 1935), prefekt i Dibrës më 1936 dhe prefekti i Korçës më 1937 – 1939. Vritet më 12 maj 1944 midis Grabovicës dhe Çërravës nga partizanët, të cilët kanë ndaluar autokarron e shoqërisë SATA që vinte nga Tirana. Së bashku me të ishin edhe aspirant Muharrem Lumani, Hekuran Koprena dhe një ushtar i kufirit ndërsa automjeti i është djegur.

Ndihmesa e Veli Vasjarit do të spikaste qysh me ngritjen e flamurit në 1912 nga plaku i urtë i Vlorës, Ismail Qemali dhe me krijimin e të parës qeveri të shtetit shqiptar. Në janar 1913 kur nis punën xhandarmëria shqiptare, Veli Vasjari do të jetë ndër eksponentët kryesorë. Po aq i rëndësishëm është ai kur, së bashku me një grup ushtarakësh holandezë, do të punojë për aftësimin e punonjësve të rendit. Viti 1914 me një sërë ngjarjesh të bujshme: ardhjen dhe ikjen e princ Vidit (7 mars – 3 shtator), rebelimin e Haxhi Qamilit (17 maj), arrestimin e Esat Pashë Toptanit (19 maj), kabinetin e ri qeveritar (22 maj), vrasjen e kolonel Tomsonit (15 qershor) dhe me nisjen e Luftës së Parë Botërore (gusht), e gjen Veli Vasjarin të rreshtuar në mbrojtje të shtetit të brishtë shqiptar.

Pak javë pasi ishte shpallur shteti shqiptar nga Kuvendi i Vlorës, më 13 janar 1913, qeveria e Ismail Qemalit vendosi krijimin e forcave të rendit. Qeveria ngarkoi për të kryer detyrat e një xhandarmërie Alem Tragjasin, Hysni Toskën, Sali Vranishtin dhe Hajredin Hekalin. Funksionet administrative i kryente policia e cila pati si drejtor të parë Halim Gostivarin. Nga ana tjetër, në maj 1913, Esat Toptani formoi në Durrës një qeveri dhe një batalion xhandarmërie nën komandën e Tajar Tetovës. Arma e xhandarmërisë mori paksa formë aty nga qershori 1913, kur u formuan 3 batalione të drejtuara nga major Hysen Prishtina në Vlorë, nga kapiten Ali Tetova në Berat dhe nga major Ismail Haki Tatzati në Elbasan. Nga 1 maj 1913 deri 31 dhjetor 1913 Veli Vasjari është me detyrë komisar policie në Berat. Në mars 1914 erdhën disa oficerë të tjerë holandezë, të cilët shpërndanë 4 detashmente të krijuara më parë. Këta oficerë ishin të ngarkuar nga fuqitë e mëdha për të bërë organizimin e forcave të armatosura shqiptare. Me zhvendosjen e kryeqytetit në Durrës, në krye të policisë vjen Veli Vasjari, i cili qëndroi me këtë detyrë nga 1 prill 1914 deri 30 qershor 1914.

Një dossier i publicistit të njohur Kastriot Dervishi në të përditshmen kombëtare “55”, dt. 22.01. 2011, hedh më shumë dritë rreth personalitetit të Veli Vasjarit. Ndër të tjera në të lexojmë: “Qeveria e Durrësit me gjithë përpjekjen e saj, nuk kishte suksesin e duhur në pjesën më të madhe të vendit që ajo administronte. Elementët kundër saj, të nxitur edhe nga politika jashtë Shqipërisë, vunë në diskutim të paktën nga gjysma e vitit 1919, pushtetin e qeverisë në fjalë. Në disa qytete të Shqipërisë së Mesme (veçanërisht në Tiranë), u bënë përpjekje për mbajtjen e një mbledhjeje me synim rrëzimin e qeverisë; po kjo e fundit, ishte treguar e vendosur se nuk kishte për të lejuar një gjë të tillë. Mirëpo fuqia e qeverisë vihej në diskutim pasi nga 13 anëtarët e saj, vetëm Fejzi Alizoti gjendej në Durrës, ndërsa Mufit Libohova, Petro Poga, Mustafa Kruja dhe Sami Vrioni ndodheshin në krahinat e tyre. Pjesa që mbetej ndodhej në Paris, në përbërje të delegacionit zyrtar pranë Konferencës së Paqes. Kur traktati “Titoni – Venizellos” ishte bërë i njohur në Shqipëri, këtu u shfaq një zemërim i madh anti-italian, që tregoi forcë në Kongresin e Lushnjes. Në mes të dhjetorit 1919, një grup nismëtar në Lushnje, i lidhur me organizatorët kryesorë të kongresit, iu drejtua me një thirrje të gjitha bashkive për të zgjedhur nga 2 delegatë për çdo nënprefekturë për një kongres kombëtar në muajin janar 1920, ku në diskutim do të ishte e ardhmja dhe fati i Qeverisë së Durrësit. Për këtë qëllim, një komision organizator i kryesuar nga Besim Nuri i dërgoi katunarive edhe programin e mbledhjes në fjalë. Më 1 janar 1920 ata bënë të njohura qëllimet e Kongresit të Lushnjes, që ishin sigurimi i vetëqeverisjes së plotë të Shqipnisë, forcimi i bashkimit kombëtar, diskutim për gjendjen e brendshme e të jashtme për të siguruar besimin e fuqive të mëdha, largimin e mosmarrëveshjeve e sigurimin e bashkëpunimit për forcimin e jetës së atdheut. Përfaqësuesit e çdo prefekture duhet të pajiseshin me nga një letërpërfaqësim nga autoriteti vendor përkatës. Qeveria e Durrësit kundërveproi ndaj mbajtjes së këtij kongresi. Fejzi Alizoti porosiste më 6 janar 1920 inspektorin e përgjithshëm të qeverisë në Lushnje, Avni Dabullën, të merrte masat e duhura për mosmbajtjen e Kongresit, kërkesë që do ta përsëriste prerë edhe një javë më pas. Por nënprefekti i Lushnjes, Veli Vasjari, njoftonte më 9 janar 1920 prefektin e Beratit, Bexhet Kumbaron, se mbledhja e pritshme kombëtare nuk kishte lindur në popullsinë e atyshme, por ishte përfundim i një marrëveshjeje të përgjithshme në të gjitha fiset e Shqipërisë, si pasojë e pozitës strategjike që kishte qyteti; se mbledhja kishte për qëllim bashkimin, vëllazërimin e dhënies fund të mosmarrëveshjeve dhe se anëtarët e komisionit kombëtar kishin një jetëshkrim të pastër. Autoritetet italiane të pushtimit, me anë të të dërguarit të Piaçentinit, deklaruan më 31 janar 1920 se nuk i njihnin vendimet e kongresit. Por ndryshe nga organet qendrore, autoritetet vendore të Lushnjes, si kryetari i bashkisë Besim Nuri, nënprefekti Veli Vasjari dhe komandanti i xhandarmërisë, Meleq Frashëri, ishin tërësisht në mbështetje dhe në mbrojtje të kongresit, ndonëse u shpallën të shkarkuar nga funksionet e tyre nga qeveria, pas propozimit të prefektit të Beratit, por vendimi nuk arriti të zbatohej dot. Në kongres mori pjesë edhe Charls Tellfort Ericson…”.

Këtë qëndrim të nënprefektit të Lushnjes Veli Vasjari e konfirmon edhe libri “Lufta e popullit shqiptar për çlirim kombëtar 1918 – 1920” fq 20-21. Më 9 janar 1920, nënprefekti i Lushnjes i shkruan prefektit të Beratit se: “Mbledhja që do të bëhet për Kongresin nuk ka lindur vetëm në popullsinë e këtij qyteti, por përfaqëson një marrëveshje të gjithë Shqipërisë; mbledhja ka qëllim të vetëm forcimin e bashkimin e vëllazërisë e për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve; anëtarët e komisionit janë njerëz me idale kombëtare e figurë të pastër. Në disa shënime të studiuesit Halil Kaso thuhet ndër të tjera se “Veli Vasjari ishte ndër përfaqësuesit kryesorë në dorëzimin e Tepelenës nga forcat italiane më 21 qershor 1920 ora 18-30, së bashku me Riza Cerovën, Arshi Shehun, Qazim Latifin etj”.

Raportet me mbretërinë dhe pushtuesit
Prefekti i Korçës Veli Vasjari priti dhe siguroi jetën e Mbretit Zog e të familjes mbretërore, në kohën e largimit drejt kufirit me Greqinë në prill 1939. Si nacionalist i traditës dhe një nga funksionarët më të devotshëm të shtetit shqiptar, ai vuajti fatin e zi që gjithnjë ka ndjekur patriotët tanë të ndershëm në përpjekje për mbrojtjen e idealeve kombëtare.
Qysh në ditët e para të pushtimit fashist, u fut në “listat e zeza„ të okupatorëve të huaj. Më 2 qershor 1939 Jacomoni (Mëkëmbës i mbretit Emanuel III në Shqipëri) nxori dekretin që shpronësonte ish-drejtuesit e lartë të shtetit para 7 prillit 1939, të cilët për efekte politike u cilësuan “aktivistë antikombëtarë”. Përveç familjes mbretërore dhe sekuestrimit të 20 mijë franga ari të Mbretëreshës Geraldinë, u shpronësuan disa persona të tjerë që ishin funksionarë të shtetit, por që nuk u pajtuan me pushtimin e Shqipërisë. Midis të tjerëve, ishte Kostaq Kota, Abas Kupi, Ali Riza, Veli Vasjari, Mirash Ivanaj etj (Historia e shtetit shqiptar 1912 – 2005 K. Dervishi fq 429). Veli Vasjarit iu konfiskua prona në Tiranë dhe Korçë. Veli Vasjari dhe drejtues të tjerë u vranë pa gjyq në vitin 1944 me urdhër direkt të udhëheqësit të Partisë Komuniste E. Hoxha.
Sipas K. Dervishit, ka gjasa që Enver Hoxha të ishte në shërbim të regjimit të Zogut dhe për këtë Veli Vasjari si prefekt i Korçës kishte patjetër informacion si drejtuesi më i lartë i shtetit në prefekturë. Në një letër që Veli Vasjari i dërgon Qendrës më 07. 09. 1938 për Enver Hoxhën thotë se “është i dhënë pas femrave dhe nuk është serioz”. Kuptohet që një informacion i dhënë Qendrës nga Prefekti nuk mund të ndodhte për një qytetar të zakonshëm, por për një njeri që komprometonte shërbimin e fshehtë të shtetit.

Në librin “Shërbimi sekret shqiptar” K. Devishi shkruan: “Enver Hoxha do të tregohej hakmarrës sidomos me njerëzit që kishin dijeni për jetën e tij. Me porosinë e tij u vranë me atentate gjatë luftës ish-qarkkomandanti i Korçës Skënder Çami (më 1942) dhe ish-prefekti i Korçës Veli Vasjari (më 1944). Këta kishin dijeni të plotë mbi Hoxhën për kohën që ai kishte shërbyer si mësues në liceun e Korçës në vitet 1937-1939 që janë edhe vitet më delikate të jetës së Hoxhës. Por edhe persona të tjerë në të tilla funksione si ish-qarkkomandantët Tahsim Bishqemi, Daut Çarçani, Shyqyri Borshi, Gjush Dedeja etj; ish-prefektët Zef Kadarja, Javer Hurshiti, Kolë Tromara shkuan në plumb pse informacioni i tyre për Korçën dhe Gjirokastrën ishte shumë i madh, madje i rrezikshëm” (fq 326 – 327).

Veli Vasjari u vra pa gjyq, ndonëse shërbeu që nga krijimi i shtetit të parë shqiptar e në vazhdimësi (1913–1939) herë si kryepolic i devotshëm e herë drejtues i talentuar në disa prefektura anekënd atdheut; kontribuoi në Kongresin e Lushnjës, në stabilizimin e rendit e qetësisë, në modernizimin e qeverisjes lokale me frymë patriotike e orientim perëndimor. Bashkohësit e kanë njohur për politikan të zotë dhe njeri të ditur. Në një shkrim të gazetës “Dielli” në Nju York datë 10 tetor 2010, Kozeta Zylo, duke përshkruar një veprimtari kulturore në prefekturën e Korçës, thotë: “Duke zbritur shkallëve të Prefekturës, një godinë e bukur që ndodhej në qendër të Korçës, u ndala në portretet e gjithë prefektëve që kanë udhëhequr Korçën gjatë historisë së saj. Syri më kapi shumë shpejt emrin e ish prefektit të Korçës Veli Vasjari, një prefekt me origjinë nga Tepelena. Sa bukur thashë me vete, ç’vëllazëri ndjeva brenda shpirtit tim, kur lexova emrin e tij, ngase kuptova se vetëm kështu pa dallime krahinore, pa bërryla njëri-tjetrit, do të eci mëmëdheu ynë i shumëvuajtur, nëse ne do të vlerësojmë kulturën dhe t’i japim meritat atij që i takon për të drejtuar vendin. Duke u larguar prej portreteve, vura dorën tek tepelenasi Vasjari dhe brenda shpirtit ndjeva dhe më shumë krenari për Tepelenën…”. Në librin e politikanëve shqiptarë të vrarë pa gjyq që nga krijimi i shtetit shqiptar 1912 një vend nderi zë dhe Veli Vasjari, pushkatuar më 1944.

Në Arkivin Qendror të Shtetit (AQSH)
gjejmë edhe këto të dhëna për Veli Vasjarin:
–  Më 4 janar 1935 prefekti i Elbasanit Veli Vasjari njofton Qendrën për këshillimin që i është dhënë hoxhës së qytetit pasi ai u mësonte në shkollë kuranin, kur sipas ligjit shkolla ishte ndarë nga feja;
–  Prefekti i Dibrës, Veli Vasjari, njofton më 25 shtator 1936 se personi në fjalë (atasheu jugosllav Ljubo Petroviç) kishte ardhur nga Dibra dhe, pasi vizitoi autoritetet, ishte nisur drejt Gollobordës;
–  Më 28 shtator 1936, prefekti Veli Vasjari njoftonte zyrën sekrete se atasheu i legatës jugosllave, pasi ka bërë takimet që përmenden më sipër, thotë se ka pyetur priftin e fshatit Gjinovec, të cilin e ka takuar në hotel, se çfarë gjuhe flisnin banorët e atyre anëve. Prifti i ka thënë: shqip;
–  Më 7 prill 1936, prefekti i Dibrës, Veli Vasjari, njofton Zyrën Sekrete se kanë ardhur në Dibër të Madhe dy gjeneralë jugosllavë, njëri nga komanda e armatës së Shkupit dhe tjetri nga komanda e divizionit të Manastirit;
–  Më 15 qershor 1936, prefekti i Dibrës, Veli Vasjari, njofton Zyrën Sekrete për lëvizjet ushtarake në kufi, si dhe në viset Dibër, Kërçovë, Gostivar;
–  Më 18 nëntor, prefekti i Dibrës, Veli Vasjari, njoftonte Zyrën Sekrete se, sipas burimeve të pakonfirmuara, kishte ardhur në Dibër të Madhe kryeministri jugasllav së bashku me Ministrin e Arsimit e më pas janë nisur për në Ohër. Vizita konfirmohet dy ditë pas nga burime të tjera;
–  Më 2 dhjetor 1936, Veli Vasjari njofton eprorët se, para dy ditësh, kishte ardhur në Dibër komandanti i përgjithshëm i Armatës së Shkupit;
–     Prefekti i Korcës Veli Vasjari më 14 shkurt 1938 kërkonte nga Zyra e Sigurimit e MPB-së hapje fondi të fshehtë për të përballuar veprimet vorioepiriote të klubeve

Please follow and like us: