Albspirit

Media/News/Publishing

Aeroportet më të bukur në botë

Mrekullitë arkitekturore ku fluturimi kthehet në vepër arti.

Pjesa më e madhe e aeroporteve janë funksionale, por këto janë mrekulli arkitekturore. Jonathan Glancey na tregon se ku fluturimi kthehet në vepër arti. Në çdo moment ka 800 mijë njerëz që fluturojnë me avion. Imagjinoni se sa pasagjerë fluturojnë në një periudhë 24-orëshe, mujore e vjeçare. Dhe mendoni se si miliona pasagjerë lëvizin nëpër mijëra aeroporte. Pavarësisht se sa shumë janë përpjekur arkitektët më të mirë të botës, aeroporti është një tip ndërtese i vështirë për të rënë në dashuri. E vërteta është se pasagjerët shumë rrallë i japin një vështrim të dytë arkitekturës rreth tyre. Por ka aeroporte që kanë një aftësi të veçantë për të na inkurajuar për të hedhur sytë rreth e rrotull. Këtu janë disa nga aeroportet më të mirë – për sa i përket dizajnit dhe atmosferës.


1. Chek Lap Kok, Aeroporti Ndërkombëtar i Hong Kongut

Ky aeroport i madh dhe elegant u ndërtua gjatë kohës kur Hong Kongu iu dorëzua Republikës Popullore Kineze në vitin 1997, edhe pse hapja u bë vitin e ardhshëm. Terminali i madh, u projektua që të ngjante me një avion nga kompania Foster & Partners. Chep Lap Kok karakterizohet nga çeliku i lehtë dhe çatitë prej xhami, korridore të qartë pasagjerësh dhe një market të madh qendror.


2. Aeroporti Ndërkombëtar “General Cesareo Berisso”, Montevideo, Uruguai

Më mirë i njohur me emrin “Carrasco” – i marrë nga emri i një periferie 15 km nga qendra Montevideos – ky aeroport ka arritur një shkallë ndërkombëtare për terminalin e ri, elegant dhe të rafinuar, që u hap në vitin 2009. I dizajnuar nga arkitekti uruguaian Rafael Vinoly, të gjitha funksionet e terminalit janë të vendosur nën një çati të lakuar 365 metra. Pjesa e brendshme është tepër e ndriçuar nga drita natyrale, dhe pasagjerët e vizitorët mund të shikojnë nga dritaret e një restoranti ose një tarrace të hapur, një peisazh të mrekullueshëm kodrinor, si dhe avionët që ulen e ngrihen.


3. Aeroporti “Giovanni Nicelli”, Venecia, Itali

Pak minuta nga sheshi “St Mark”, Aeroporti Nicelli është një nga qytetet aeroporte më të bukur në Europë. Ai shërben si degëzim i aeroportit ndërkombëtar Marco Polo, në anën tjetër të lagunës. Terminali i tij është ndërtuar dhe vendosur bukur me një dizajn goditës që nga viti 1935. Arritjet dhe nisjet shoqërohen nga tingull i një pianoje të madhe dhe piktura murale të avionëve të viteve 30’. E ndodhur mes lagunës, një kishe mesjetare dhe ndërtesave të tjera historike, aeroporti mund të arrihet me këmbë, varkë ose biçikletë.


4. Aeroporti “Long Beach”, Kaliforni

I vendosur prapa një terminali Art Deco që daton nga viti 1941, nga Horace Austin dhe Kenneth Wing – ndodhet një kompleks ndërtesash të reja mes të cilave dhe aeroporti kaq shumë i dashur rajonal, i cili deri më sot nuk e ka humbur sharmin e epokës hollivudiane. Aty mund të ecësh në mes të pavioneve të rrethuara nga të dyja anët me pemë. Ajo që të ofron Long Beach, është një alternativë tepër relaksuese fluturimesh. Të paktën për fluturimet e brendshme deri në aeroportin ndërkombëtar të Los Anxhelesit 18 milje në veri. Punimet rikonstruktuese të vitit 2012 kanë bërë që terminali të duket më mirë, me një numër të madh mozaikësh të mrekullueshëm.


5. Aeroporti Barra, Skoci

Barra, një ishull i vogël, ofron atë që aeroportet e tjera nuk kanë mundësi, fluturimet e planifikuara nga pista e plazhit. Kjo eksperiencë fluturimi është e paharrueshme për ata që e pëlqejnë modën e vjetër. Të shohësh një tip të tillë avioni të ngrihet nga uji në drejtim të qiellit skocez është një mrekulli e vërtetë, por ndodh shpesh që këto avionë nuk janë të pajisur me mjetet e nevojshme për të lundruar në ujë.


6. Aeroporti Ndërkombëtar Kansai, Osaka, Japoni

Ky aeroport i shquar, që i shërben disa qyteteve është i vendosur në një ishull 2.5 km nga gjiri i Osakës. I hapur në vitin 1995, ky ishte një projekt tepër ambicioz dhe i shtrenjtë për t’u ndërmarrë, sepse mungonte dhe dëshira dhe hapësira për të ndërtuar një aeroport të ri kryesor japonez. I dizajnuar nga Dyqani i Punimeve Renzo Piano në Xhenoa, Paris e Nju Jork, terminali i gjatë 1.7 km është ndoshta ndërtesa më e gjatë në botë. Ai është ndërtuar edhe për t’i bërë ballë tërmeteve dhe tajfunëve Kur tërmeti i vitit 1995 goditi Japoninë, dhe rreth 6434 njerëz mbetën të vdekur në Kansai, ky aeroport mbeti i padëmtuar, biles edhe xhamat nuk u thyen. Shoqëria Amerikane e Inxhinierëve e emëroi Kansai-n një nga 10 Monumentet Inxhinierike më të mira.


7. Aeroporti “Courchevel”, Francë

U hap në vitin 1961 për të rritur pasurinë e këtij rezorti alpin francez. Courchevel është një nga aeroportet më të kërkuar nga pilotët. Atyre u duhet të kalojnë lugina të thella malore dhe një pistë tepër të shkurtër. Aeroporti është i vendosur në një shpat malor dhe ka një pjerrësi këndore prej 18,5 gradësh. Kjo bën të mundur ngadalësimin e uljes së aeroplanëve dhe pamjet nga kabina janë të frikshme. Ngritjet janë tepër të vështira, dhe avioni duhet të dalë nga shpati malor në një kohë rekord. Pilotët duhet të pajisen me certifikatë të veçantë për të fluturuar këtu.


8. Aeroporti “Queen Tamar”, Mestia, Xhorxhia

Mestia është një qytezë e vogël, 1.5 km lart maleve të Kaukazit në veri-perëndim të Xhorxhias, dhe kishave dhe kalave të saj të mbrojtura nga UNESCO. Terminali i ri është ndërthurje e çelikut dhe xhamit – ajo është punë e artistit dhe arkitektit gjerman Jurgen Mayer-Hermann. Struktura bardh-e-zi është dizajnuar me qëllim që të ngjallë kureshtje dhe të ndihmojë qytezën e Mestias të bëjë pjesë në hartën e botës moderne.


9. Aeroporti Ndërkombëtar “Dammam King Fahd”, Arabi Saudite

Dammam është një nga qytetet më të pasura me naftë në Tokë. Aeroporti i tij është ndoshta më i madhi në botë, edhe pse kjo ide është e bazuar në sipërfaqet e mëdha të rërës së shkretëtirës që ka zënë në Gjirin Persik. E planifikuar nga arkitektët japonezë Yamasaki dhe Shoqatës së tij, ndërtimi i këtij aeroporti filloi në vitin 1976. Aeroporti u hap për operime të plota komerciale në 1999-n. Gjatë Luftës, shërbente si bazë ushtarake. Ai shtrihet 50km nga qyteti Dammamm dhe arrihet përmes rrugës së shkretëtire plot deve, tenda beduine dhe skena të tjera tradicionale të jetës arabe.

 

10. Aeroporti “King Abdul Aziz”, Jeddah
I formuar nga një grup i madh tendash gjigante, ky është një nga aeroportet më të çuditshme në botë. Ajo që e bën këtë aeroport të veçantë është se përdoret vetëm 6 javë në vit, për një milion ose më shumë myslimanë që fluturojnë në Jeddah për të shkuar në Mekë. Inxhinieri i Bangladeshit Fazlur Rahman Kahn dhe arkitektët amerikanë të grupit SOM patën një ide brilante: një rrjet tendash gjigante. Anët e tendave janë të hapura ndaj elementëve. Duke shërbyer si tenda të mëdha dielli, çatitë e terminalit krijojnë një atmosferë tepër të rehatshme për pasagjerët që presin të nisen për në Mekë. Ata mund të gatuajnë vetë ushqimet e tyre aty.

Please follow and like us: