Bashkia gjobit Shabanin me 200 mijë lekë për një lopë që ka pasur dy vjet më parë
Një çudi e madhe vjen nga Berati. Bashkia e këtij qyteti gjobit një qytetar për një lopë, në zonat e banuara.
Deri këtu ende nuk kemi të bëjmë me çudi… Çudia fillon kur mëson se konstatimi i kësaj “shkelje” është bërë dy vjet më parë dhe sot, pas dy vjetësh Shaban Dullës i shkon gjoba 200 mijë lekëshe në shtëpi, për lopën që mund ta ketë por edhe mund të mos e ketë.
Konstatimi mban datën 23. 05. 2014. Procesverbali i aktit të konstatimit të bashkisë Berat mban datën 16. 09. 2014, ndërsa gjoba në formën e titullit ekzekutiv, e cila sanksionon pagesën dhe që mban firmën e kryetarit Petrit Sinaj është e datës 21. 04. 2016.
Ajo që mësohet, por që duket kryebashkiakut të Beratit Petrit Sinaj, nuk ia ka ndjerë shumë, është fakti që Shaban Dulla është pjesëtar i komunitetit rom dhe me lopën që mbante në shtëpi, mbante familjen gjallë. Ai jetonte në kushte të vështira jetese në periferi të Beratit.