Bashkimi Evropian inkurajon lirinë dhe pavarësinë e shtypit
Bashkimi Evropian ka inkurajuar promovimin e lirisë së shtypit në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit më 3 maj. Përmes një deklarate të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini thuhet se në përvjetorin e 25-të të Deklaratës së Windhoek, BE-ja dëshiron të rikujtojë parimin që “themelimi, mbajtja dhe promovimi i një shtypi të pavarur, pluralist dhe të lirë është qenësor për zhvillimin dhe mbajtjen e demokracisë në një komb, dhe për zhvillimin ekonomik”.
E drejta për liri të mendimit dhe shprehjes përfshin lirinë për të kërkuar, për të pranuar dhe për të dhënë informacione.
“Ajo është një komponentë kryesore e qeverisjes dhe zhvillimit demokratik. Njerëzit duhet të jenë të informuar plotësisht në mënyrë që të jenë në gjendje të krijojnë një mendim dhe që të marrin pjesë në proceset vendimmarrëse që ndikojnë në jetën e tyre”, thuhet në këtë deklaratë.
Liria e informimit po ashtu kontribuon në qeverisje më të mirë, meqë ajo rrit transparencën në çështjet publike dhe mund të përdoret si mjet për të kërkuar llogaridhënie nga qeveritë për veprimet e tyre, në veçanti atëherë kur qasja në informata rezulton në shpalosjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut ose praktikave të korrupsionit, thuhet mes tjerash në këtë deklaratë.
BE-ja shpreh zotimin se do të vazhdojë të promovojë dhe të mbrojë lirinë e mendimit dhe të shprehjes në mbarë botën.