Albspirit

Media/News/Publishing

Ekspozitë në Paris e piktorëve Muslim dhe Visar Mulliqi

Këto ditë në Espace 26, Denfert-Rochereau, Paris 14, La Maison d’Albanie hapi ekspozitën e piktorëve nga Kosova, Muslim Mulliqi dhe Visar Mulliqi. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës morën pjesë dashamirës të artit dhe miq të kësaj qendre shqiptare të kulturës e cila nga viti i kaluar është pjestare e FICEP ku përfshihen 56 anëtarë me të drejta të plota të saj. FICEP është forumi i instituteve të kulturës të vendeve të huaja në Francë, mes tyre Instituti Gëte i Gjermanisë, Instituti Shekspir i Anglisë, Instituti Dante i Italisë, Instituti Servantes i Spanjës, Maison de Japon, instituti Helen i Greqisë, etj. FICEP lajmëronte për hapjen e ekspozitës Mulliqi & Mulliqi babë e bir, në faqet e saj të internetit, faqe e cila për aktivitetet e lajmëruara të instituteve dhe qendrave të kulturës që ndodhen në Francë mbështetet edhe nga Ministria e kulturës dhe komunikacionit dhe Bashkia e Parisit. I pranishëm, Ambasadori i Kosovës në Francë, Muhamedin Kulashi, vlerësoi piktorin Visar Mulliqi për arritjet e tij në fushën e artit dhe sidomos për mendimin e shprehur nëpërmjet veprave të tij mbi lidhjet e natyrës e zhvillimit. Gjithashtu, ai vlerësoi edhe punimet e zgjedhura për këtë ekspozitë nga bashkëshortja e piktorit Muslim Mulliqi,  zonjës Resmije Begolli Mulliqi,  të paraqitura si pjesë e koleksionit të Akademikut e piktorit të shquar të Kosovës.

Ekspozita përbëhet nga dy seri me nga 6 punime në teknikën e vajit e të paraqitura nga secili autor, dhe një grup litografishë të firmosura dhe të numëruara nga 1 deri në 30 në dimension 100cm x 75cm të realizuara në letrën Arches 300gr/m2.

Piktori i Merituar,  Zamir Mati u shpreh se “në rrugën e lirisë të popullit të Kosovës, janë dashur shekuj luftrash dhe një punë e jashtëzakonshme atdhetare me shkrimtarë, njerëz të arsimit, të kulturës, artistë, skulptorë, grafistë, piktorë për të formuar kulturën e artin e Kosovës i cili tashmë përbën identitetin kosovar si pjesë e artit mbarëkombëtar shqiptar. Në këtë përpjekje shekullore bën pjesë dhe ka dhënë një kontribut të madh e të jashtëzakonshëm si vizionar i përparimit dhe progresit drejtë lirisë një nga figurat më të shquara të artit, profesor Muslim Mulliqi”.
Ai është një nga themeluesit e shkollës dhe akademisë së arteve të Prishtinës, ku prej gati 50 vitesh kanë studiuar e përgatitur breza artistësh, me dhjetra piktorë, skulptorë, grafistë të cilët shquhen tashmë jo vetëm në artin kosovar e mbarëkombëtar shqiptar por edhe atij botërorë. Gjithashtu profesor Muslim Mulliqi është nga themeluesit e Akademisë së shkencave dhe artit të Kosovës e njëkohësisht ka qënë nënkryetar i saj. Profesor Muslim Mulliqi ose më mirë artisti, piktori, simbolizon fillesën, pararendësin e artist modern mbarëshqiptar. Ai është origjinal dhe me forcën e tij artistike të shpalosur nga vepra në vepër, nga një periudhë krijuese në tjetrën, nga një cikël temash të veçanta në tema të tjera me forcë artistike të kompozimit, vizatimit e veçanërisht të ngjyrave ekspresive e me larmishmëri sa harmonike aq dhe të papritura e plot penelata magjepse për nga vlerat që përmbajnë”, vlerësoi më tej Zamir Mati. Muslim Mulliqi dallohej në plejadën e artistëve të ish Jugosllavisë. Ata ishin të njohur edhe në artin botërorë e europian në veçanti gjatë viteve ’60,’70,’80. Ai dallohej midis tyre nga origjinaliteti jo vetëm i forcës artistike por në veçanti në forcën dhe këmbënguljen e tij për të qenë sa modern por edhe shqiptar. Një ndërthurje e realizuar me një punë krijuese, të zgjuar dhe inteligjente.

Muslim Mulliqi këmbëngulte në tematikën dhe veçantinë shqiptare. Ai ishte i suksesshëm dhe në të njëjtën kohë, arti i tij, rrezatonte e influenconte fuqishëm edhe në piktorët që krijuan duke admiruar artin e tij krijues e duke gjetur mundësi më të thelluara e artistike. Largëpamësia, ndjeshmëria ndaj problemeve të vendit të tij Kosovës, tregohet edhe nga ekspozita me vepra të zgjedhura nga vetë ai në vitin 1993 në Galerinë e arteve Tiranë. Duke parashikuar ndryshimet e pashmangshme të cilat do të vinin për Kosovën, me qëllim porositi të mos tërhiqte veprat nga Tirana dhe ti linte të 37 veprat e zgjedhura në ruajtje në Galerinë e Arteve në Tiranë. E ngjashme kjo, njësoj si historia e famshme e strehimit në vende sekrete të veprave të muzeut të Luvrit përpara pushtimit nazist. Të gjitha veprat e Muslim Mulliqit sot ruhen në muze e koleksione të ndryshme nëpër botë, por familja e tij nën kujdesin e bashkëshortes, zonjës Resmije Begolli MulliqiI dhe djalit, piktorit Visar Mulliqi ruan me një dashuri dhe respekt një koleksion veprash dhe objekte të vyera të ateliesë së piktorit të madh. Projekti i tyre për të kthyer atelienë e Muslim Mulliqit në një muze të artit në Kosovë është në rrugën e realizimit. Visar Mulliqi, pedagog i akademisë së arteve në Prishtinë ekspozon krahas punimeve të babait edhe punimet e tij.
Ai është piktor që vazhdon traditën familjare me origjinalitet dhe me forcë artistike. Në vështrim të parë duket sikur ngjajnë pikturat me njëra tjetrën por kjo nuk është e vërtetë. Visari me origjinalitetin e tij, krijon një univers të veçantë, shkëputet nga dekorativiteti i pothuaj i njësipërfaqshëm i Mulliqit të madh dhe krijon një botë ku ngjyrat e hedhura me penelata të guximshme e të papritura, krijojnë volume tredimensionale me ndjesinë e furtunave dhe vorbullave të heshtura e pa zhurmë. Vetë Visari, këto lëvizje i quan furfullimë dhe kështu si rastësisht e në vazhdimësi në mijra vjet, kjo fjalë shqipe është e njëjtë me fjalë akoma më të vjetra të gjendura në shkrimet e alfabeteve të lashtë të mesdheut, etruske, ilire apo të “grekërve të vjetër”. Visar Mulliqi me tabllot e tij, të fut në mendime sa shpirtërore aq edhe tendencën e zbulimeve dialektike e materialiste të universit të krijuar prej tij prej ngjyrave të ndërtuara apo të hedhura me mjeshtëri spontane. Të pranishmit kaluan një mbrëmje të këndshme midis veprave të spikatura të artit kosovar e gjithëshqiptar njëkohësisht.

Please follow and like us: