Komunizmi i parë natën
Objektet e periudhës komuniste, nga fabrikat, bunkerët e burgjet janë duke u degraduar tërërsisht. Por, një fotograf italin kërkon të na bëjë një apel të gjithëve për t’i ruajtur, e pse jo për t’i rivënë në punë. Në simbolikë me atë që ka qenë Shqipëria nën komunizëm, ai ka preferuar që t’i fotografojë natën këto objekte.
Uzina, bunkerë, objekte apo vepra arti të braktisura, të gjitha trashëgimi nga periudha komuniste në Shqipëri, vijnë nën objektiv gjatë natës. Kjo është idea më e fundit e fotografit italian Antonio Fantasia. Një aureolë misteri, izolimi dhe pjesëza pushteti të rrethuara nga fshehtësia. Sot, e ngjashme me një Shqipëri surreale, megjithëse këto objekte përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të së shkuarës.
“Projekti është një udhëtim në vendet e braktisura të Shqipërisë, që dikur kanë qenë simbole të komunizmit. Shoh një lodhje deri në rraskapitje. I vizitova këto vende natën sepse gjatë ditës ngatërrohen me gjithçka tjetër. Ndërsa, kur qyteti fle, këto vende duken si fantazma”, shpjegon Fantasia.
Qëllimi i tij është nxitja e rijetëzimit të këtyre objekteve, sot jofunksionale dhe shumica prej tyre të lëna në harresë.
“Është pak e vështirë për të rinjtë e sotëm që të kuptojnë se çfarë ka ndodhur gjatë kësaj periudhe. Kjo bëhet lehtësisht nëpërmjet fotografisë, që është një art që të ndihmon të afrohesh me diçka. Sipas meje, është një mënyrë më e lehtë e njohjes së komunizmit. Nga ana tjetër, e rëndësishme është promovimi i rehabilitimit të këtyre vendeve, që të lënë funksione të ndryshme nga ato që kanë patur më parë”, shprehet fotografi.
Analiza e së shkuarës nëpërmjet artit të fotografisë, në një ndër periudhat më të vështira sipas artistit, është një përpjekje për të nxitur mendimin për të ardhmen. Projekti do të jetë i përfunduar në qershor, kohë në të cilën do të jetë edhe ekspozita e përbërë nga 30 fotografi.