Albspirit

Media/News/Publishing

Ministri i Drejtësisë s’ka besim te policia? 

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, u bëri thirrje qytetarëve që gjyqtarët që u kërkojnë para për procese gjyqësore t’i denoncojnë direkt në zyrën e prokurorit. Në analizën vjetore të Gjykatës Administrative, duke komentuar arrestimin e gjyqtarit Ibrahim Hoxha, të kapur një natë më parë teksa po merrte 600 mijë lekë për një çështje gjyqësore, Manjani u shpreh: “Nxis çdo qytetar të Republikës që të mos denoncojë vend e pavend, por në zyrën e Prokurorit, që raste të tilla të jenë sa më të suksesshëm që të jetë e mundur”.

Po përse Ministri i Drejtësisë u tregon qytetarëve zyrën e Prokurorit dhe jo atë të policisë? Disa javë më parë, gjatë vizitës së tij në Uashington, Prokurori i Përgjithshëm, Ardiatik Llalla, duke folur për Zërin e Amerikës tha se qytetarët po bëjnë çdo ditë e më shumë denoncime pranë prokurorisë, për shkak se e kanë humbur besimin te policia.

Deklarata e Kryeprokurorit nuk kaloi pa u vënë re nga dhe pa komente nga qeveria. Aq e fortë ishte ajo saqë Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, iu desh t’i përgjigjet personalisht. Ai tha se e vërteta është krejt e kundërt dhe se qytetarët kishin më shumë besim te policia se dy vjet më parë.

Po atëherë, përse Ministri i Drejtësisë, anëtar i kabinetit qeveritar u bën thirrje qytetarëve që të mos bëjnë denocnime “vend e pa vend, por në zyrën e Prokurorit”? Përse kjo thirrje kaq e hapur që anashkalon policinë në ndjekjen e ngjarjeve të korrupsionit?

Deklarata e Llallës nxirrte në shesh një problematikë të madhe: qytetarët nuk besonin më te një polici e akuzuar për lidhje me grupet kriminale, për emërim në postet drejtuese të saj të personave me precedentë penalë apo të militantëve partiakë, të vënë nën akuzë për bashkëpunim me grupet e trafikut të drogës dhe kultivimit të hashashit.

Please follow and like us: