Albspirit

Media/News/Publishing

Muzikë shqiptare në sheshin San Giovanni, në Romë

 “Fanfara Tirana” interpreton live në Romë. Në skenën më të madhe  italiane, të improvizuar në sheshin San Giovanni, orkestra frymore shqiptare, do të performojë të dielën krahas artistëve më të njohur italianë.

“Primo Maggio 2016”, titullohet koncerti më i madh live, që zhvillohet në Itali, i cili nis herët në mëngjes dhe mbyllet në mesnatë. “Fanfara Tirana” do të interpretoj disa herë.

“Nesër për 1 Maj nga kjo skenë do përshëndesim të gjithë spektatorët italian dhe shqiptar, qofshin në publik apo duke na ndjekur gjatë transmetimit direkt në RAI. Në këtë koncert të madh live në Itali, do të prezantojmë projektin tonë “POgonista” së bashku me grupin Modena City Ramblers, në orën 16:00. Më pas, do të performojmë sërish live përkrah njërit prej kantautorëve tanë të preferuar dhe më në zë në arenën italiane Max Gazze, ftesën e të cilit nuk nguruam ta pranonim. Ky aktivitet do të organizohet në orën 21:30”, shprehen pjesëtarët e grupit “Fanfara Tirana”, të cilët ndodhen në Romë.

Fanfara Tirana është  grupi i vetëm shqiptar që ka arritur jo vetëm të eksportojë artin shqiptar në botë, por edhe të korrë famë e sukses ndërkombëtar.

”Modena City Ramblers”, është një ndër grupet më të njohura të muzikës folk në Itali, e cila zhvillon aktivitetin e tyre muzikor që prej 25 vitesh. Ndërkaq Max Gazze është një ndër muzikantët më të përfolur të momentit në Itali me albumin e tij “Maximilian”, i cili po thyen rekordet botërore me 17 milion klikime. Në koncert do të interpretojnë edhe Gianluca Grigniani, Fabrizio Moro, Peppe Barra, etj.

“Një falenderim të veçantë meriton edhe Ministria e Kulturës, e cila na mbështeti në këtë pjesëmarrje. Kjo është hera e parë që  në karrierën tonë 15 vjeçare  një institucion shtetëror na mbështet dhe shpresojmë të bëhet rruge për çdo artist apo grup që eksporton aromën e muzikës sonë në arenat e rëndësishme ndërkombëtare” shprehen pjesëtarët e grupit “Fanfara e Tiranës”.
Muzika e tyre që merr frymëzim në folklorin dhe sidomos në muzikën urbane shqiptare dhe e riarranxhuar për instrumentë frymorë  të bandës është një tren i pandalshëm ritmik me një energji që të lë pa frymë. Një miks i mirë  ku dyzohet arti dhe shoë, folklori dhe xhazi, që ka ngritur peshë publikun e qindra festivaleve ndërkombëtarë.

Albumi i tyre i fundit “Kabatronics” pati një jehonë ndërkombëtare me mbi 100 recensione në “The Times”, “The Guardian”, etj.

Please follow and like us: