Profili i Nelson Mandelës
Nga Ilir Hashorva
Mandela si njeri
Në vitin 2010, Nelson Mandela botoi librin “Bisedime me veten”. Libri, me një parathënie të Presidentit Amerikan Obama, u botua njëkohësisht në 22 vende të botës. Në të Mandela tregon jetën e tij dhe thekson se, ndryshe nga ç’duan ta paraqesin, ai nuk është veçse një njeri si të gjithë të tjerët, me të mira e me të meta, me ndjenja e me arsye, që ka triumfuar, por edhe që ka dështuar. “Një çështje që më shqetësonte thellësisht në burg, – shkruan ai – ishte imazhi jo i vërtetë që kisha projektuar pa dashje te bota jashtë: konsiderimi si shenjt… Si i ri, pata të gjitha të metat dhe bëra të gjitha gabimet e një djali fshati, përvoja dhe pikëpamja e të cilit ishin të ndikuara nga ngjarjet e zonës ku u rrita dhe e kolegjeve ku mësova. Bazohesha në arrogancë për të fshehur dobësitë që kisha”. Më tej, vazhdon e tregon se nuk kishte kaluar klasat, se sillej si grindavec me fëmijët, se zihej me gruan dhe shton: “Ngritja në pozitën e një gjysmëperëndie ka qenë diçka që më ka shqetësuar gjithnjë, për arsye se, në këtë rast, ti nuk je më qenie njerëzore. Unë dua që të njihem si Mandela, si një njeri me dobësi, disa prej të cilave janë të rëndësishme”. Për rrugën që ka ndjekur, thotë: “Kam kaluar në rrugën e gjatë drejt lirisë. Jam përpjekur të mos lëkundem, edhe kam gabuar, por kam zbuluar një sekret që, pasi je ngjitur në majën e një kodre, sheh se ke edhe kodra të tjera për të ngjitur. Tashti po pushoj pak dhe po sodis mjedisin e mrekullueshëm që më rrethon, duke vështruar largësinë e madhe nga erdha. Por, mund të pushoj vetëm për pak çaste sepse, së bashku me lirinë, vijnë edhe përgjegjësitë dhe nuk duhet të vonohem, sepse ecja ime e gjatë ende nuk ka mbaruar”.
Autobiografia e parë e Mandelës, e këtij luftëtari të lirisë, është përqendruar te qëllimi i çuarjes përpara të luftës. Autobiografia e dytë ka si qëllim të çmitizojë veten dhe të tregojë se u bë ai që u bë, jo se ishte pa të meta, por se i mundi ato, se triumfoi mbi to.
Mandela është një bashkim i tipit mbretëror afrikan dhe aristokratit britanik. Ai është Shef Afrikan dhe President Perëndimor, sportist e filozof. Ai është i sjellshëm dhe kavalier dhe duket aq i zhdërvjellët kur përdor takëme ngrënie nga më të ndërlikuarat kur është në Londër apo në Johanesburg, sa dhe kur ha me duar në vendlindjen e tij. Ai është shumë i kujdesshëm, i rregullt dhe i përpiktë. Në burg mbante kopje të të gjitha letrave që shkruante dhe dërgonte si dhe listën e të gjitha letrave që merrte së bashku me datat e përgjigjeve. Ai ngrihej herët në mëngjes, bënte fizkulturë dhe rregullonte me kujdes shtratin. Rregullimin e shtratit vetë e vazhdoi edhe kur u bë president. Mungesën e punktualitetit e konsideronte si të metë të karakterit, po ashtu konsideronte si të metë të karakterit mosmbajtjen e fjalës, apo mbajtjen me shpresa të rreme të të tjerëve.
Kur analizonte problemet, nuk i shihte thjeshtë bardhë e zi, por nga shumë anë e me shumë zgjidhje. Për Mandelën, në to ndesheshin faktorë nga më të ndryshmit dhe të kërkoje të jepje shpjegime, përgjigje a zgjidhje të çastit, të prera dhe të thjeshta, edhe pse ishte e lehtë dhe përshtypjelënëse, nuk ishte e drejtë.
Kur doli nga burgu në vitin 1990, Mandela 71 vjeçar, ishte i ndryshëm nga Mandela 44 vjeçar, i vitit 1962, kur hyri në burg. Në kohën kur hyri, ai ishte emocional, i pasionuar, i ndjeshëm, shumë shpejt i lëndueshëm, i padurueshëm, i donte ndryshimet përnjëherë. Kur doli, këto cilësi nuk i vëreheshin më, madje ai vetë i konsideronte si të papranueshme tek ata që i kishin. Ai ishte bërë më human dhe më i thjeshtë, më i urtë e më racional. Krahas rritjes së besimit në fuqinë e tij, kishte humbur arrogancën. Në këtë kohë, cilësimet që pëlqente t’ua vinte në dukje të tjerëve ishin: i balancuar, i matur, i përmbajtur, i pjekur.
Gjatë burgut, zemërimi dhe urrejtja ndaj sistemit iu shtuan, por ato u bënë më shumë racionale e analitike, sesa emocionale. Mandela nuk ankohej kurrë për çështje personale, por kur ngrihej për hir të të tjerëve, bëhej shumë këmbëngulës. Burgu e mësoi të duronte, të mos ngutej, pasi ngutja të çonte në gabime. Në përgjithësi të gjithë jemi të padurueshëm. Kultura jonë na mëson se shpejtësia të shpërblen dhe padurimin e shpejtësinë i shohim si virtyte, si guxim. Të jesh i ngadalshëm, të jesh i kujdesshëm, nuk do të thotë të mos jesh i guximshëm, por do të thotë të mos shohësh si të dobishme vetëm atë që do të ndodhë nesër, pas ca ditësh apo pas ca muajsh, por edhe atë që do të ndodhë pas shumë kohësh. Kjo nuk do të thotë se nuk duhen parë interesat afatshkurtra, por ato duhen parë të kombinuara me interesat afatgjata.
Ai nuk e shfaqi kurrë atë deformim që të krijon fuqia prej të cilit janë infektuar aq shumë udhëheqës: egomaninë, pompozitetin, apo paranojën. Gabimet që bënte, nuk i bënte nga egomania, pompoziteti apo nga paranoja, por nga ana e kundërt: ai tregohej më i thjeshtë, më miqësor e më me besim ndaj të tjerëve nga ç’duhej. Ai shihte të mirën te gjithkush dhe punonte që ta nxirrte në pah atë edhe prej atyre prej të cilëve nuk pritej.
Gjatë afro tri dekadave në burg, ai u qëndroi besnik parimeve të tij, në një kohë që politikanë të tjerë ishin bërë më oportunistë dhe që heronjtë dhe çështjet e mëdha po fshiheshin nga faqja e dheut. Të gjitha këto, e afronin atë gjithnjë e më shumë me Gandin. Në pjesën e dytë të jetës, dukej se ndikimi i Gandit mbi të ishte shumë i fuqishëm dhe, ai ndikim, në mënyrë të pavetëdijshme, po krijonte një Mandelë tjetër: ai u bë krejtësisht indiferent ndaj pasurisë dhe për gjërat që mendonte se ishin të drejta dhe të vërteta, qëndronte i palëkundur.
Mandela nuk e konsideronte kurrë veten si një gjeni politik dhe as si një udhëheqës të jashtëzakonshëm. Ai besonte se organizata e tij ishte produkt dhe kontribut i talenteve të ndryshme të asaj kohe dhe të kohëve të mëparshme. Ai kishte bindjen se ishte një krijesë e kushteve të Afrikës së Jugut, një krijesë e organizatës së tij, e Kongresit Kombëtar Afrikan (KKA). Ai nuk ngriti kurrë kult rreth vetes. Ai nuk kishte Kompleksin e Mesisë që është aq i shpeshtë në udhëheqës primitivë, por që, mjerisht, janë aq të shumtë. Në burg ai mund të kishte shfrytëzuar fare lehtë imazhin e tij kombëtar dhe ndërkombëtar për të siguruar privilegje dhe të gjithë do të ishin të gatshëm për t’ia siguruar ato. Por, ai nuk pranoi të bëhej asnjë përjashtim për të. Pasi kishin dalë nga burgu të gjithë shokët e tij, Mandela doli i fundit.
Mandela ishte kurajoz, por nuk e shihte kurajën si të lindur, ai e shihte atë si një rrugë të qenies që e zgjedhim vetë. Për të, kuraja nuk ishte mungesa e frikës, por mposhtja e saj. Për të, mungesa e frikës lidhej me budallallëkun apo marrëzinë, ndërsa kuraja ishte aftësia për të mos e lënë frikën të të mundte. Për Mandelën, të ishe trim nuk do të thoshte të ishe hero dramatik, apo të rrezikoje jetën në gjeste të jashtëzakonshme, nganjëherë edhe të kota por, që çdo ditë, në kushte të vështira, të qëndroje i palëkundur, të mos i nënshtroheshe frikës dhe ankthit.
Mandela si politikan
Mandela ishte njeri i parimeve. Kryeparimi i tij ishte: të drejta të barabarta për të gjithë, pa marrë parasysh racën, klasën, fenë, apo gjininë. Pas kësaj, çdo gjë tjetër për të ishte taktikë. Politikën e konsideronte si artin e bindjes ndaj argumentit.
Detyra e parë dhe më e rëndësishmja për të ishte të bashkonte vendin e plagosur nga ndarja dhe për këtë do të përdorte kompromisin, për sa kohë që ai e çonte drejt realizmit të një shoqëria ku raca të mos kishte më vend. Mandela nuk ishte idealist naiv. Ai ishte idealist pragmatik.
Në vitet e para si anëtar i KKA-së dhe si udhëheqës i Ligës së Rinisë, te Mandela zhvillohej konflikti midis parimit dhe taktikës. I nisur nga parimet, në fillim ai kundërshtoi pranimin e jo të zinjve në KKA. Më pas ndërroi mendje. Qëllimi i kërkonte që të bardhët që luftonin aparteidin të përfshiheshin në KKA. Po ashtu, ai fillimisht kundërshtoi pjesëmarrjen e komunistëve në KKA, më pas, edhe për këtë ndërroi mendje. Sa më shumë të kishte në organizatën e tij luftëtarë që të luftonin aparteidin, aq më mirë ishte.
Nga viti 1912, viti kur u themelua KKA-ja, protesta e padhunshme ishte forma e luftës së saj. Për dekada KKA-ja udhëhiqej nga parimet dhe shembulli i Gandit. Por, pasi qeveria përdori në mënyrë të vazhdueshme dhunën, Mandela filloi të largohej nga padhunshmëria dhe u bë nga të parët që kërkoi përdorimin e dhunës. Në këtë kohë, Mandela nuk mendonte më si Gandi që thoshte se, në qoftë se fitoje një luftë duke përdorur dhunën, ajo fitore nuk ishte fare fitore, ajo fitore nuk kishte vlerë.
Ndërsa miqtë Mandela edhe mund t’i harronte, kundërshtarët kurrë. Ata ai i mbante nën kontroll jo duke i ndjekur me metodat konvencionale, por duke i mbajtur pranë. Ai udhëzonte “Mbani miqtë pranë dhe rivalët edhe më pranë”. Ai nuk besonte në besnikëri ideale, në besnikëri absolute. Për të, besnikëria lidhej me interesat vetjake dhe për këtë ai mundohej t’i bënte rivalët të besonin se ishte në interesin e tyre që të ishin besnikë, apo t’u linte më pak mundësi të mos tregoheshin besnikë.
Në burg Mandela filloi të mësonte gjuhën dhe kulturën afrikaan, pra gjuhën dhe kulturën e të bardhëve, gjuhën e shtypësve dhe burgosësve të tij. Ai jo vetëm që perfeksionoi gjuhën, por mësoi edhe letërsinë dhe historinë e të bardhëve, kulturën e tyre. Mandela e dinte se nuk mund ta mundte armikun pa e njohur, pa e kuptuar dhe, që ta njihte, një nga gjërat që duhej të bënte ishte t’i mësoje gjuhën, historinë dhe kulturën e tij. Kur i njeh gjuhën, armiku të pranon më lehtë, atij i fute drejt e në zemër dhe është më mirë t’i drejtohesh zemrës së dikujt, sesa mendjes së tij. Mandela e dinte se paragjykimi ishte irracional dhe se nuk mund të rregullohej me mënyra racionale. Ai donte që të bardhët ta pranonin idenë e një kombi divers jo vetëm intelektualisht, por edhe emocionalisht. Ai u drejtohej gjithnjë mendjeve të njerëzve, por e dinte se fitorja përfundimtare do të arrihej kur t’u fitonte atyre zemrat.
Mandela porosiste: “Kur të fitoni mbi kundërshtarin, mos shfaqni dashaligësi. Koha e triumfit më të madh, është koha kur tregoni përmbajtje. Mos e turpëroni kurrë kundërshtarin. Bëjeni atë të mos dalë faqenxirë, sepse ashtu do ta bëni mikun tuaj”.
Mbas pesë vjetësh qeverisjeje, në vitin 1999, Mandela u largua nga jeta politike zyrtare aktive. Ai mund të qëndronte në atë post për jetë, po të donte, apo mund të zgjidhesh unanimisht edhe për një periudhë tjetër pesë vjeçare. Ai e dinte se puna e tij reale nuk ishte më të drejtonte anijen, por të përcaktonte kursin nga do të kalonte anija. Dhe ai këtë kurs e kishte përcaktuar. Kur e la zyrën, edhe pse u tregua i vëmendshëm dhe aktiv ndaj politikës, Mandela nuk mendoi kurrë që të përdorte mënyra dredharake për të rimarrë postin e presidentit. “Kur e lë skenën – tha ai – nuk mund të mbash duart tek perdja, për ta hapur atë në një rast tjetër”.
Mandela si udhëheqës
Stili i udhëheqjes së Mandelës, sipas rastit, sipas nevojës, mund të ishte ai i një udhëheqësi që udhëheq nga balli apo nga bishti. Të udhëheqësh nga bishti do të thotë që vetë të qëndrosh në hije dhe të lesh të tjerët të duket sikur udhëheqin, ndonëse në të vërtetë udhëheq ti. Detyra e udhëheqësit në këtë rast është t’i bindë të tjerët që të bëjnë diçka që do ai dhe njëkohësisht të mendojnë se ishin ata që e menduan dhe e bënë.
Veprimin e udhëheqjes nga bishti, Mandela e kishte mësuar qëkur ishte fëmijët dhe kulloste bagëtinë. Kur do, thoshte ai, që ta lëvizësh kopenë në një drejtim të caktuar, ti qëndro në fund me një shkop dhe lejo që disa nga bagëtitë, më të zgjuarat, më të shkathëtat e më me përvojë, të dalin në krye dhe të lëvizin në drejtimin që do ti. Bagëtitë e tjera ndjekin të parat. Në të vërtetë të gjitha bagëtitë veprojnë ashtu siç do ti, pavarësisht se shohin se i udhëheqin disa bagëti të tjera që dalin në krye. Po kështu, për ta lëvizur popullin në një drejtim të caktuar, në drejtimin që do ti, nuk është e nevojshme që të dalësh haptazi ti në krye por, të bësh të mundur që të duket sikur atë po e drejtojnë të tjerë, ndërsa e drejton ti.
Udhëheqësi, kur është e nevojshme duhet të udhëheqë edhe nga balli. Kur udhëheq nga balli, nuk mjafton thjesht të drejtosh ti, por edhe të shihet dhe të kuptohet që po drejton ti. Të udhëheqësh nga balli, do të thotë të kesh iniciativën, të japësh shembullin, të rrezikosh ti. E gjithë jeta e Mandelës dëshmon që në raste nga më të ndryshmet, ka qenë ai iniciatori i shumë veprimeve që më pas janë kuptuar si të dobishme: që nga udhëheqja e Ligës së Rinisë e deri tek çelja e bisedimeve me qeverinë.
“Edhe pse udhëheq ti nga balli, – thotë Mandela – duhet të kesh kujdes që kolegët të mos i lësh të mbeten prapa.” Të udhëheqësh i vetëm, pa u dhënë rol edhe të tjerëve, për të do të thoshte që shpejt apo vonë të dështoje. Ai kishte besim në forcën e skuadrës dhe dinte të nxirrte më të mirën prej secilit pjesëtar të saj.
Mandela ishte udhëheqës plot dinjitet. Ai nuk u jargavitej, si shumë të tjerë udhëheqësve të fuqishëm të botës.
Në vitin 2003, Mandela kritikoi publikisht Presidentin Amerikan Bush për pushtimin e Irakut. Ai e quajti Bushin agresor. Në shenjë proteste të luftës së Bushit në Irak, Mandela refuzoi ta takonte Bushin kur ai bëri një vizitë në Afrikën e Jugut.
Në fund të shekullit të njëzetë, revista e njohur amerikane “TIME” shpalli, sipas zgjedhjes së saj, njëqind personalitetet më të shquara të shekullit të njëzetë. Sipas fushave të aktiviteteve, ajo i ndau ato në pesë grupe, me nga 20 persona në secilin grup. Njëri prej grupeve emërtohej: “Udhëheqës dhe Revolucionarë”. Në këtë grup hynin kryesisht politikanë. Midis tyre ishin Gandi, Martin Luter Kingu dhe Mandela. Ajo revistë iu lut Mandelës të shkruante motivacionin për Gandin dhe Mandela e shkroi duke e quajtur atë “Luftëtar i shenjtë”.
Mandela, së bashku me Gandin e Kingun, dallojnë nga të tjerët jo sepse realizuan “këto apo ato”, porse “këto apo ato” i realizuan duke përdorur mjete me të cilat të tjerët dështojnë, apo se karakteri i tyre nuk i lejon t’i përdorin. Mjetet që përdorën ata ishin vetëm morale. Edhe vlerësimi më i madh sot i Mandelës, bëhet nga vende dhe popuj te të cilët morali zë ende njëfarë vendi.
Nga e gjithë bota vërshuan në Afrikën e Jugut personalitetet më të shquara të politikës dhe të kulturës, për të marrë pjesë në ceremonitë që u bënë për t’i dhënë lamtumirën Mandelës. Disa shtete shpallën zi kombëtare e të tjera urdhëruan uljen e flamurit në gjysmë shtize. Presidenti Obama tha për Mandelën se ishte një nga figurat me frymëzuese të shekullit të njëzetë dhe se e kishte frymëzuar dhe ndryshuar edhe vetë atë.
Shqipëria nuk çoi askënd Afrikën e Jugut për të shprehur nderimin e vet për Mandelën. Përse vallë? Për injorancë, për mungesë fondesh, apo për divergjenca politike? Më shumë mendoj për të parën. Fare pak, dy a tre, personalitete të politikës shqiptare thanë dy fjalë standarde bajate për Mandelën, nga ato që thonë përditë për ngjarje të ndryshme. Shtypi, në përgjithësi, i kushtoi fare pak kujdes, kurse televizionet, aq të shumta te ne, ato që çdo natë ftojnë të njëjtat fytyra për të folur e për t’u grindur për pisllëqet e politikës sonë, mesa di unë, nuk bënë asnjë program të posaçëm për të, ku të ftonin njerëz të kulturës, apo të politikës, që e njihnin sado pak Mandelën, për të diskutuar për anë të ndryshme të personalitetit të tij. Këto programe, jo vetëm do të kishin vlera kulturore, jo vetëm do të bënin të njohur Mandelën për popullin shqiptar, por edhe do ta qetësonin dhe paqësonin këtë popull, të paktën, për pak kohë. Mandela ishte një personalitet tepër ndikues. Ai ndikoi kur ishte gjallë, por ndikoi edhe i vdekur. Ai pajtoi dhe afroi shumë armiq tradicionalë: Presidentit amerikan Obama shtrëngoi duart me Presidentin e Kubës Raul Kastro.
“Vitin që lindi Mandela, viti 1918, – shkruaj unë në librin tim “Nelson Mandela”, duke perifrazuar vetë Mandelën, – ndodhën shumë ngjarje të rëndësishme botërore: mbaroi Lufta e Parë Botërore, Revolucioni Bolshevik në Rusi po konsolidohej, u përhap një epidemi e tmerrshme gripi nga e cila vdiqën miliona persona, një delegacion i Kongresit Kombëtar Afrikan mori pjesë në Konferencën e Paqes në Versajë. Por, Mvezo, fshati ku lindi Mandela, ishte i veçuar, i ndarë nga bota e ngjarjeve të mëdha dhe nuk dëgjonte për to. Aty jeta zhvillohej monotone, pa ndryshime, pa lidhje me botën”. Kjo m’u kujtua kur pashë se me sa indiferencë e priti dhe e ndoqi Shqipëria jonë vdekjen e Mandelës.
Shënim: Ilir Hashorva është autori i librit “Nelson Mandela”, i botuar në vitin 2012 nga shtëpia botuese “Toena”. Ky artikull është bazuar mbi atë libër.