Spanjë, urdhërarrest për 12 aleatët e Putin; lidhje me mafian ruse
Autoritetet në Spanjë kanë lëshuar urdhërarreste për zyrtarë të hershëm të qeverisë ruse, të afërt me presidentin Vladimir Putin, pas një hetimi dhjetëvjeçar mbi aktivitetet e mafias ruse.
Një gjykatë kombëtare spanjolle ka kërkuar arrestimin e 12 personave të lidhur me grupe kriminale ruse që veprojnë në vendin iberik.
Mes tyre është edhe Vladislav Reznik, një eksponent i spikatur i partisë Rusia e Bashkuar të drejtuar nga Putin, si dhe bashkëshortja e tij Diana Gindin.
Të tjerë janë Nikolai Aulov, nëndrejtor i Shërbimit Federal rus të Antidrogës, si dhe Igor Sobelevsky, ish-nëndrejtor i Komitetit Hetimor të Prokurorit të Përgjithshëm.
Shumica e personave të kërkuar nga Spanja ndodhen në Rusi, shkruan britanikja “The Guardian”.
Zyrtarët e lartë mendohet të kenë ndihmuar një nga grupet më të njohura mafioze ruse, Tambov, e infiltruar në strukturat shtetërore si polici, autoritetet portuale dhe banka e korporata.
Grupet kriminale Tambov dhe Malyshev, të cilat bënë emër duke trafikuar heroinë në Shën Peterburg kur Putin ishte nënkryetar i bashkisë në vitet ’90, dyshohen se kanë pastruar para përmes pasurive të patundshme spanjolle.
Ato akuzohen gjithashtu për vrasje, gjobëvënie, trafik armësh dhe droge. Urdhërarrestet janë lëshuar që në janar, por lajmi për to është bërë publik vetëm këtë javë.
Hetimi i prokurorëve spanjollë përforcon dyshimet e mëparshme se qeveria ruse funksionon si një shtet mafioz, i përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar.
Bosi i bandës Tambov, Gennady Petrov, ka qenë i lidhur me aleatë të ndryshëm të Putin. Në vitet 1998-1999, Petrov ishte bashkëpronar i Bank Rossiya, bashkë me persona të tjerë që banojnë pranë kompleksit të vilave Ozero, ku jeton Putin, në Shën Peterburg.