Viron Mihal Prodani: Historia e plotë e tragjedisë së “Titanik”
Viron Mihal Prodani: Historia e plotë e tragjedisë së “Titanik”
Me kalimin e kohës, për një histori ose ngjarje të ndodhur, nga hetimet, zbulimet, personazhet e vjetër dhe të rinj, dalin fakte dhe interpretime të reja. Për tragjedine e “Titanik”, me kalimin e kohërave dhe brezave ka histori pa fund sa reale, prekëse aq edhe imagjinare. Janë botuar romane me drama dashurie dhe ekranizuar filma që me teknologjinë e sotme, nata e mbytjes së “Titanik” për teleshikuesin ndoshta është më e llahtarshme se sa ajo që ka ndodhur në fakt. Me këtë shkrim për historinë e “Titanik”, ditët e udhëtimit dhe pasojat e natës së tragjedisë nuk dua që ta dramatizoj ose hiperbolizoj atë. Nëpërmjet të dhënave sa më afër realitetit, treguesve të ndryshëm, lexuesit do ta perceptojnë vetë “Titanik” dhe bashkë me këtë, tragjedinë e natës duke u gdhirë data 15 prill 1912.
- HISTORIKU I “TITANIK”
Historia e “Titanik” fillon që nga viti 1867. Në këtë vit, 31 vjeçari Thomas Henry Ismay bleu për shumën 1.000 stërlina emrin, flamurin dhe GOODWILL të linjës ‘White Star Line’ që kishte qenë në tregun australian. Ismay kishte synim të futej në këtë biznes me pasagjerë. Sëbashku me mikun e tij George Fletcher mundën të disenjonin 3 anije me nga 4 ton secila. Kapitali u regjistrua në një vleftë prej 400.000 stërlinash. Kur Thomas doli në pension, dy djemtë e tij Bruce dhe James ishin në bordin drejtues të kompanisë, e cila vendosi që anijet e ardhshme do të shkëlqenin më shumë për nga konforti dhe modelimi sesa nga shpejtësia e tyre. Duke u nisur nga këto kërkesa, në vitin 1899 modeluan dhe ndërtuan për ‘White Star “Oceanic”. Padyshim që kulminacionet e ndërtimit dhe modelimit u arritën në fillim të shek. XX-të me ndërtimin e anijeve ‘Atlantic’, ‘Baltic’, ‘Republic’ dhe ‘Adriatic’. Por yll i vërtetë i kompanisë White Star Line ishte anija “Olimpic”. Në vitin 1911, kreu udhëtimin e saj të parë drejt New Yorkut.
- PËRMASAT E GJIGANDIT “TITANIK”
“Titanik” ishte anije e shoqërisë angleze ‘White Star Line’. U prodhua në kantierin e ndërtimit të anijeve “Harland & Wolf” të Belfastit. U deshën 5 vite për ta ndërtuar dhe u quajt si “Gjigand i detrave”. “Titanik” ishte anija më e shtrenjtë e kohës që kushtonte 7.5 milonë dollarë. Gjatësia e saj ishte 269 m, gjerësia 28 m dhe pesha bruto 46.328 ton. Mbante një ngarkesë prej 66.000 ton. Forca e motorave ishte 55.000 hp. Kishte 3 helika, 29 kaldaja me 5 m diametër secila. Në 159 furrat konsumonte 650 ton qymyr në ditë. Shpejtësia 24 milje në orë.
- KAPACITETET E AKOMODIMIT DHE SHËRBIMIT
Në dispozicion të pasagjerëve dhe ekuipazhit anija kishte 3.000 krevate, restorante luksoze, shëtitore, banja turke, fusha skuoshi, pishinë me ngrohje, qendër shëndetësore me sallë operacioni, 3 biblioteka me 30.000 volume. “Titanik” duke u nisur nga çmimi i biletës, akomodimit dhe shërbimit që u bëhej pasagjerëve kishte 3 klasa. Çmimet e biletave për këtë udhëtim 6 ditor ishin:
Klasi i parë për një person kushtonte 30 L ose 150 $ (sot 2950 $).
Klasi i parë suitë 870 L ose 4.350 $ (sot 83.200 $).
Klasi i dytë 13 L ose 60 $ (sot 1.200 $).
Klasi i tretë 3-8 L ose 15-40 $ (sot 300-790 $).
Në këtë udhëtim pasagjerët sipas klasave ishin 334 në klasën e parë, 282 në klasën e dytë dhe 706 në klasën e tretë. Për të përballuar udhëtimin dhe rezervat, anija kishte marë furnizime të mëdha me ushqime si: Mish i freskët 34.014 kg, Peshk i freskët 4.989 kg, Peshk i kripur 1.814 kg, Proshutë 3.401 kg, Shpendë 11.339 kg, Vezë të freskëta 40.000 kokë, Salciçe 1.133 kg, Bukë 1.000 kg, Akullore 794 kg, Kafe 997 kg, Caj 365 kg , Oriz, fasule etj. 4.535 kg, Sheqer 4.535 kg, Miell 200 fuçi, Drithëra 4.535 kg, Portokalle 16.329 kg, Limona 7.257 kg, Rrush 453 kg., Qumësht i freskët 5.678 litra, Krem i freskët 1.200, Qumësht kondes. 2.271 litra, Gjalp i freskët 2.721 kg, Zarzavate 3.000 kg, Patate 40 ton, Recel 508 kg, Birrë në shishe 20.000 copë, Verë në shishe 1.500 copë, Ujë mineral shishe 15.000 dhe Pije alkolike shishe 850.
- PERSONELI I “TITANIK”
Lista e ekuipazhit në lundrimin e datës 10 prill 1912 e firmosur nga kapiteni ishte:
1kapiten
7 ndihmës
2 kirurgë
7 nëpunës
2 marangozë
1 marinarë
8 ndihmës marinarë dhe intendentë
39 detarë A.B.
2 pastrues xhamash
2 kamarierë sallë-mencë
2 master
Gjithsej 73
Gjithashtu kishte:
28 inxhinierë
8 inxhinierë elektrikë
289 ekuipazh në dhomat e motorit
Gjithsej 325
Po ashtu kishte:
2 telegrafistë
471 shef shërbimi dhe stafi
20 punonjës shërbimi
1 matrous
Gjithsej 494
Pra gjithë personeli i “Titanik” përbëhej nga 892 vetë.
- HARTA E SHTETEVE DHE KONTINENTEVE TË PASAGJERËVE
Në udhëtimin e saj të parë dhe të fundit “Titanik” kishte pasagjerë nga shumë shtete të botës. Numri më i madh i tyre ishte nga Anglia, SHBA, Suedia, Irlanda, Finlanda etj. Ndonëse për ndonjë shtet kishte një numur të vogël të pasagjerëve, harta e shteteve ishte nga të pesë kontinentet. Po jap një tablo të hartës së shteteve, kontinenteve dhe numrin e udhëtarëve për çdo shtet e kontinent.
I- EUROPA II- AMERIKA
1-Anglia 455 1-SHBA 360
2-Suedia 96 2-Peru 1
3-Irlanda 86 3-Meksika 1
4-Franca 34 4-Uruguaj 4
5-Finlanda 50 5-Tailanda 5
6-Norvegjia 26 ——
7-Bullgaria 26 371
8-Rusia 9 III- AUSTRALIA
9-Zvicra 21 1-Australia 3
10-Kroacia 4
11-Greqia 5 IV- AFRIKA
12-Austria 18 1-South Afrika 9
13-Portugalia 2
14-Italia 3 V- AZIA
15-Belgjika 18 1-Siria 24
16-Spanja 8 2-India 6
17-Danimarka 12 3-Japonia 1
18-Skocia 12 4-Turqia 6
19-Gjermania 2 5-Hong-Kong 8
——- 6-Liban 7
887 —–
52
Gjithsej: 1.322 pasagjerë.
- ITENERARI I UDHËTIMIT TË “TITANIK”
Provat e “Titanik” për daljen e tij të parë në det, u planifikuan për ditën e hënë në datën 1 prill 1912. Më 29 mars, zjarrfikës, inxhinierë, mekanikë dhe ndihmës ekuipazhi vendosën firmën për lëshimin e tij në det. Provat kishin për të filluar në ora 10.00 të mëngjezit, por një erë e fortë nga veri-perëndimi përfshiu të gjithë zonën duke turbulluar ujrat e Loughsit dhe trazuar kufijtë e ngushtë të lumit ‘Lagan’ dhe të Kanalit ‘Viktoria’ me dallgë të mëdha të bardha. Ishte e pamundur nën ato kushte atmosferike të lundroje trupin e një anije aq gjigande si “Titanik” në një kanal të ngushtë si ai Viktoria.
Data 2 prill agoi pastër dhe qartë. Qindra spektatorë të shpërndarë rreth kanalit ‘Viktoria’ brohorisnin me admirim lëshimin e “Titanik” në ujë. Prova e tij e fundit përfundoi me sukses në ora 19.00. Të mërkurë, datë 10 prill 1912 pak pas lindjes së diellit, ekuipazhi i anijes filloi të takohet në dok. Një nga një dhe pastaj në grupe të vogla anëtarët e ekuipazhit u mblodhën duke plotësuar skenën gjigande të ekuipazhit të “Titanik”. Kapiteni Eduward John Smith në orën 7.30 të mëngjezit shkoi direkt në kabinën e tij për të marrë raportin e lundrimit nga komandanti i tij në detyrë, Henry Tingle Wilde. Po në orën 7.30 hipi në bord gjithashtu dhe Maurice Harvey Clark, drejtori i emigracionit të Bordit të Tregtisë. Ishte funksioni i tij të pastronte “Titanik” nga emigracioni ilegal dhe të inspektonte elementë si uji i pijshëm, magazinimi i ushqimit, pajisjet sanitare për ekuipazhin dhe pasagjerët. Oficerë të tjerë kishin kaluar natën në bord duke survejuar mbarëvajtjen e anijes natën e saj të fundit në port.
“Titanik”do të kishte këtë itenerar udhëtimi: SOUTHAMPTON – CHERBOURG – QUEENSTOWN – dhe do ta përfundonte atë në portin e NEW YORK.
Porti i Southampton është inaguruar si port transatlantic në vitin 1907. Anija u nis nga ky port të mërkurën e datës 10 prill 1912. Pasi mori në bord ekuipazhin prej 982 vetë dhe 924 pasagjerë u drejtua drejt Francës dhe pas 6 orë lundrim u ankorua po këtë datë në portin Cherbourg. Këtu hipin edhe 269 pasagjerë. Në mëngjez të datës 11.4.1912 arrin në portin Queenstown të Irlandës, mer 129 pasagjerë dhe në orën 2 të drekës “Titanik” lë Europën duke u nisur për në portin e New Yorkut duke patur në bord gjithsej 1.322 pasagjerë, 892 vetë ekuipazh, gjithsej 2.214 vetë.
Katër ditët e para të udhëtimit ishin të përkryera, koha e mirë, oqeani i qetë. Motorat me 50.000 kuaj fuqi shtynin anijen me shpejtësinë 24 milje në orë. Për këto kushte, kapiteni i anijes z. Smith vendosi të ngrejë shpejtësinë në maksimium.
Në orën 19.30 anija “Californian” njofton praninë e aizbergut 50 milje larg “Titanik”. Në orën 21.40 anija “Mezaba” jep përsëri mesazh për rrezikun nga një aizberg.
Në orën 23.40 kapiteni Flit i “Titanik” shikon aizbergun 450 m larg. “Titanik” që ecte me shpejtësinë mbi 24 milje në orë për të evituar përplasjen ballore me aizbergun devijon por goditet në pjesën e poshtme djathtas.
“Titanik” u përplas me ajzbergun në afërsi të Neufoundlandit, pas 5 ditë udhëtim në orën 23.40 të datës 14 prill.
Përplasja nuk u kuptua nga pasagjerët e klasit të parë, kurse katër kate më poshtë përplasja ishte e tmerrshme. Kapiteni Smith, pasi shikon këtë gjendje të rënduar, i kërkon konstruktorit të “Titanik”, z. Thomas Andrew të raportojë për gjendjen e krijuar. Z. Andrew njofton kapitenin se “Titanik” i mbetet më pak se 2 orë dhe më pas do të mbytet. Në orën 00.15, salla e radios jep sinjalet e para SOS. “Ejani na ndihmoni, jemi përplasur me një ajzberg”. Kapiteni jep urdhër të përgatiten varkat e shpëtimit. Në orën 00.45, hidhet varka e parë. Oficeri Pituan jep urdhër se në fillim do të hipin gratë dhe fëmijët.
Ora 00.50 “Titanik”, mesazh “Olimpikut”: Kërkoj asistencë immediate.
Ora 01.10 “Titanik”, mesazh “Olimpikut”: Jemi përplasur me ajzberg. Anija është me kokë poshtë. Ejani sa më shpejt, përgatisni varkat e shpëtimit.
Ora 01.35 – dhoma e motorit po mbushet me ujë.
Ora 01.45 – dhoma e motorit e mbushur plot me ujë.
Evakuimi i pasagjerëve vazhdon dhe në orën 2.05 hidhet varka e fundit me 45 pasagjerë.
Anija “Carpathia” i përgjigjet mesazhit SOS të “Titanik” se është 50 milje larg dhe i duhet 4 orë për të mbritur deri aty. “Titanik” u fundos pas 2 orë e 40 minuta në orën 02.20 të datës 15 prill 1912.
Në orën 3.00, kapiteni i “Carpathias”, Rostron urdhëroi ndezjen e disa raketave që t’iujepte të kuptonin të mbijetuarve se ndihma po vinte.
Kush ishin arsyet e fundosjes?
Projekti i gabuar, konstruksioni i dobët i anijes, shpejtësia më e madhe se ç’duhej e anijes në momentin e përplasjes me akujt, neglizhenca e madhe e drejtuesve të anijes, vrojtuesve apo të gjitha këto sëbashku nga pak. E projektuar për të bërë udhëtimet më të sigurta, më komode më të gjata në botë, ajo bëri që në udhëtimin e parë rrugën më të pasigurtë, e më të shkurtër që ka bërë deri në atë kohë një anije transoqeanike. Në orën 3.35, anija greke “Carpathia” ishte në pozicionin ku mund të shihte anijen “Titanik”, nëse ajo nuk do të ishte fundosur. Aty gjeti veç zbraztirë dhe mbeturina të anijes. Në orën 4.00, varkat me të mbijetuarit lundruan drejt “Carpathias”. Një ndër të mbijetuarit ishte edhe Bruce Ismay, pronari i “Titanik”. Ky në gjendje të shokuar u mor në kujdesin e Doktor Mc. Gee. Kapiteni Rostorn urdhëroi që flamuri i anijes së tij të ulej në gjysëm shtize. Ndërkohë që anija kaloi mbi vendin ku u fundos “Titanik” ai tha: “Një shërbim për respekt të atyre që humbën dhe mirënjohje të atyre që shpëtuan”. Kjo merr të mbijetuarit, 702 vetë dhe rreth orës 21.00 të 18 prillit mbërrin në molin 54 të New Yorkut. Në port janë mbledhur me mijëra njerëz për të marrë vesh të mbyturit dhe të shpëtuarit. Të mbijetuarit hipën në makinat që kishte vendosur linja ‘White Star’ për t’i dërguar ata sipas destinacionit, në shtëpitë e të afërmve, në hotelet apo në ambulancat për t’i dërguar në spitalet ku do të mernin shërbimet mjekësore. Kur “Carpathia” ishte akoma në det, para mbritjes në New York, të mbijetuarit e “Titanik” formuan një komitet për të mbledhur fonde dhe për t’ia dhënë më pas ekuipazhit të “Carpathia”. Kur “Carpathia” arriti në New York, shuma prej 4.360 USD ishte shpërndarë ndërmjet ekuipazhit. Me kalimin e kohës, fondi kaloi shumën e 15.000 USD, e cila ju dorëzua Company Morgan për të ruajtur këtë shumë. Për këtë akt human të kryer, Kapiteni Rostorn dhe 5 të tjerë të ekuipazhit të anijes “Carpathia” u dekoruan me medalje ari.
- MASAT E SHPËTIMIT
Pronarët dhe konstruktorët e “Titanik”duke u nisur nga përmasat e saj, teknollogjia dhe materialet e ndërtimit, paisjet e drejtimit, fuqitë motorike, nuk parashikonin ndonjë avari aq më tepër për një mundësi mbytjeje të anijes. Për këto arsye, edhe masat për shpëtimin dhe evakuimin e pasagjerëve dhe ekuipazhit me varkat e shpëtimit ishin neglizhuar. Kapaciteti i numrit të pasagjerëve dhe ekuipazhit të anijes ishte 3.000 vetë. Kapacitetet e shpëtimit ishin, 14 varka standart me 65 persona secila dhe 20 varka të tjera në të cilat mund të hipnin gjithsej 1.178 vetë ose 40%. Po të tjerët?! Jo pak, po për mbi 1.500 njerëz nuk ishte menduar fare. Mbi 1.500 vetë, megjithë përpjekjet, luftën për jetë a vdekje me oqeanin, shkuan në fund të tij dhe nuk i shpëtuan dot as lutjet as orkestra që ju jepte kurajo dhe guxim deri në minutën e fundit.
- FËMIJËT DHE TË RINJTË NË “TITANIK”
Në anijen “Titanik”, krahas të rriturve dhe të moshuarve kishte një numër të madh të fëmijëve dhe të rinjve. Numuri i fëmijëve disamuajsh dhe të rinjve deri në moshën 20 vjeç arrinte në 260. Nga këta, mundën të shpëtonin 64, dhe fatkeqësisht u mbytën 196. Po paraqes një pasqyrë, ku këta fëmijë e të rinj janë grupuar sipas klasit të vaporit, djem, vajza, sa kanë shpëtuar dhe sa janë mbytur.
Klasi Fëmijë 0 – 20 vjet Shpëtuan U mbytën
Vaporit Gjithsej Djem Vajz Gjithsej Djem Vajza Gjithsej Djem Vajza
1 23 13 10 18 10 8 5 3 2
2 44 24 20 18 5 13 26 19 7
3 193 120 73 28 19 9 165 101 64
Totali: 260 1 57 103 64 34 30 196 123 73
Fëmijët dhe të rinjtë deri në moshën 20 vjeç, zinin 20% të numrit të përgjithshëm të pasagjerëve. Po kështu ishin 21% e atyre që shpëtuan dhe 20% e pasagjerëve që u mbytën. Më i dhimbshëm është fakti që në një familje kishte disa të mbytur nga kjo grup moshe.
- FAMILJET QË U PREKËN MË SHUMË NGA KJO TRAGJEDI
Në anije, përveç individëve kanë hipur dhe shumë familje. Ka nga këto familje që shpëtuan të gjithë anëtarët e saj, shpëtuan pjesërisht, por fatkeqësisht që u mbytën të gjithë. Këto familje janë nga shtete të ndryshme dhe pasi të mbërinin në portin e New Yorkut do të vazhdonin në shtete të tjera ku shumë nga këta nuk arritën kurrë. Familjet që u mbytën me të gjithë anëtarët e saj ose disa prej tyre janë:
Emërtimi I Familjes | Vendi Rezident | Numri I Antarëve | Te Mbytur | ||||
Nr.gjithsej | nga keta | ||||||
nr | mosha ne muaj | nr | mosha ne vjec | ||||
Allison | SHBA | 4 | 3 | 3 | 2;25;30 | ||
Anderson | Suedi | 4 | 4 | 4 | 2;6;39;39 | ||
Asplund | Suedi | 8 | 5 | 5 | 5;9;13;23;40 | ||
Baclini | Siria | ||||||
Boulos | Siria | ||||||
Bourke | Irland | ||||||
Cacic | Croacia | ||||||
Cor | Austria | 3 | 3 | 3 | 19;27;35 | ||
Danbom | SHBA | 3 | 3 | 1 | 4 | 2 | 28;34. |
Ford | England | 5 | 5 | 5 | 9;16;18;21;48 | ||
Frolicher | Zvicer | 3 | 3 | 3 | 22;48;60. | ||
Goodvin | Angli | 8 | 8 | 8 | 6;9;10;11; | ||
14;16;40;43 | |||||||
Hocking | Angli | 3 | 3 | 3 | 21;23;53. | ||
Jensen | Danimarke | 3 | 3 | 3 | 17;20;48. | ||
Johnston | Angli | 4 | 4 | 4 | 8;9;34;34. | ||
Kink | Zvicer | 5 | 2 | 2 | 22;27. | ||
Klasen | Suedi | 3 | 3 | 3 | 1;18;36. | ||
La Roche | France | 3 | 3 | 3 | 1;3;22. | ||
Lefebre | France | 5 | 5 | 5 | 2;4;6;11;39. | ||
Mc Coy | Irlande | 3 | 3 | 3 | 21;22;28. | ||
Moor | Rusia | 2 | 2 | 2 | 6;27. | ||
Moybarek | Liban | 3 | 3 | 3 | 3;7;26. | ||
Nackid | Siria | 3 | 3 | 3 | 1;19;20. | ||
Oreskovic | Austria | 3 | 3 | 3 | 20;20;23. | ||
Panula | SHBA | 6 | 6 | 6 | 1;2;7;14;16;41 | ||
Paulson | Suedi | 4 | 4 | 4 | 3;6;8;29. | ||
Peter | SHBA | 3 | 3 | 3 | 1;4;24. | ||
Rice | Irland | 6 | 6 | 6 | 2;4;7;9;10;39 | ||
Richard | Angli | 3 | 3 | 1 | 10 | 2 | 3;25. |
Rosblom | Finland | 3 | 3 | 3 | 2;18;41. | ||
Sage | England | 11 | 11 | 11 | 4;7;9;11;13; | ||
18;19;20;44 | |||||||
44;16. | |||||||
Skoog | Suedi | 6 | 6 | 6 | 2;4;9;10;40;43 | ||
VanBilliard | South Afrik | 3 | 3 | 3 | 9;10;35. | ||
Van der Planke | Belgjik | 4 | 4 | 4 | 16;18;31;31 | ||
Van Impe | Belgjik | 3 | 3 | 3 | 10;30;36. | ||
Wells | Angli | 3 | 3 | 3 | 2;4;29. | ||
- PËRMASAT E TRAGJEDISË SË MBYTJES TË “TITANIK”
Në anijen “Titanik”, në të tre portet hipën 1.322 pasagjerë. Kishte në bord një personel prej 892 vetë duke bërë kështu 2.214 numrin gjithsej të pasagjerëve dhe ekuipazhit. Nga 1.322 pasagjerë, natën e 15 prillit u mbytën 1.018, nga të cilët 163 nga klasi parë, 223 nga klasi i dytë dhe 632 nga klasi i tretë. Nga ekuipazhi prej 892 vetë u mbytën 494 duke shpënë kështu gjithsej numrin e të mbyturve në 1.512 vetë. Shpëtuan gjithsej 702 vetë nga të cilët 304 nga pasagjerët dhe 398 nga ekuipazhi. Nga pasagjerët e shpëtuar 171 ishin të klasit të parë, 59 të klasit të dytë dhe 74 të klasit të tretë. Fëmijë nga 109, shpëtuan 56 u mbytën 53; femra nga 425, shpëtuan 316 u mbytën 109; meshkuj nga 1680, shpëtuan 330 u mbytën 1.350. Ironia e fatit, bëri atë që shumë nga pasagjerët sidomos ata të klasit të parë por edhe të dy klasave të tjera, pas katër ditëve të bukura, të akomoduar në dhomat dhe ambientet më lluksoze edhe se të hoteleve të kohës, përfunduan në fund të oqeanit në terrin e 1.000 m thellësi. Kostoja e dëmeve nga mbytja e “Titanik” sot vlerësohet në vleftën e 400 milionë USD. Në anije, kishte edhe njerëz të pasur që udhëtonin për arësye të ndryshme që nuk i mbijetuan tragjedisë. Të tillë janë: Astor, John Jacob N.Y vjec 47 si njeriu më i pasur i botës. Nuk mbijetoi. Gruaja Mrs Madeleine Talmadge Force Astor vjec 19 mbijetoi duke hipur në varkën me numur 4. Guggenheim, Benjamin N.Y vjec 46 mbreti i bakrit dhe hekurit. Nuk mbijetoi. Straus, Isidor N.Y. vjec 67 pronar i magazinave të mëdha. Nuk mbijetoi. Gruaja Mrs Rosalia Ida Blun Isidor vjec 63. Nuk mbijetoi. Penasco, Mr Victor de Satode Madrid vjec 24 milioner spanjoll. Nuk mbijetoi. Gruaja Mrs. Josefa de Soto Penasco vjec 22 mbijetoi duke hipur në varkën me numur 8. Shumë herë, në një vend nga aksidente të ndryshme, kanë mbetur disa ose edhe dhjetra të vdekur. Shtetet kanë shpallur zi kombëtare. Në tragjedinë e “Titanik”nuk janë dhjetra por mbi 1.500 vetë. Nuk janë nga një shtet por mbi 30 shtete. Nuk janë nga një kontinenet por nga të pesë kontinentet. Nuk ka disa, por 196 fëmijë dhe të rinj nga 2 muaj deri në 20 vjec që janë mbytur. Tragjedia e “Titanik” me këto përmasa, i tejkalon kufijtë e një ose disa shteteve, është tragjedi Botërore. Tragjedia e “Titanik” me gjithë këta fëmijë e të rinj nuk është më një tragjedi, por një mënxyrë. Mbi 1.500 vetë, nuk do të arrinin kurrë në destinacionin e fundit që ishte moli 59 në Manhatan. Fundi i oqeanit Atllantik do të ishte banesa e tyre e përhershme. Njerëzit kur vdesin, kanë një varr në tokë dhe një gur mbi kokë ku shkruhet emri – mbiemri – data e lindjes dhe e vdekjes. Ndryshe nga të tjerët, mbi 1.500 të mbyturve ne thellësinë 1.000 m, te gjithëve sëbashku, në hartë në një pikë të oqeanit do t’u shkruhet: “Atllantik 41o 46’ veri dhe 50 o 14’ perëndim, 15.04.1912”.
- CEREMONITË FETARE, BAMIRËSIE QË U ORGANIZUAN PAS TRAGJEDISË
Në Katedralen Shën Paul të Londrës, në datën 19.4.192 për të humburit dhe këtë ngjarje të rëndë u mbajt një ceremoni fetare ku morën pjesë 2.000 vetë. Ceremoni të tilla u mbajtën edhe në Westminster Cathedral në Londër nga komuniteti katolik në Paris dhe New York. Për të mbledhur fonde për familjet e viktimave, u organizuan disa aktivitete kulturore si: Në Covent Garden dha cfaqje Shtëpia e Operas Mbretërore, në Londër 7 orkestra profesionale performuan 500 pjesë të ndryshme. Sponsorizime nga të ardhurat e mbledhura bënë edhe Metropolitan Opera New-York, Broadway Theatre New-York, Cambridge Theatre Londer, Palace Theatre Londer, London Hipodrom etj.
- MESAZHI NË SHISHE I NJË VIKTIME TË “TITANIK”
Dy njerëz, në tetor të vitit 1929 duke shëtitur buzë detit afër molit D’Nansea gjetën një shishe ku kishte brenda një shkrim, një fotografi me dy burra dhe një gjilpërë gravate. Fotografia ishte e dëmtuar ndërsa shkrimi lexohej me vështirësi. Në të shkruhej: “Janë minutat e fundit të “Titanik”që po fundoset. Unë po mbetem këtu bashkë me kunatin tim. Gruaja me Janin e vogël dolën nga vapori me barkën e fundit. Orkestra po bie akoma. Oficerët po ngasin andej e këndej. Njerëzit po çmenden”.
Në këtë letër nuk tregohet emri i tij, i gruas, përveçse i djalit dhe nuk di nëse janë marrë më pas me identifikimin e këtyre personave. Unë pas 104 viteve, duke u nisur nga fakti që djali ka hipur në barkë bashkë me nënën dhe babai mbeti në anije, verifikoj listat e pasagjerëve që ishin me tre anëtarë në familje. Më rezulton, se në listat ku është një familje me tre anëtarë ku djali i mitur dhe nëna kanë hipur në varkë ndërsa babai ka mbetur në anije është vetëm një rast. Kjo familje ka hipur në portin Cherbourg C France me desinacion Haverford, PA USA.
– Thayer, Mr John Borland Haverford,PA Vjec 49 klasi 1 C ——
– Thayer, Mrs John Borland
(Marian Longstreth Morris) Haverford, PA Vjec 39 klasi 1 C Varka 4
– Thayer, Mr John Borland Haverford. PA Vjec 17 klasi 1 C Varka B
- SHTYPI SHQIPTAR PËR TRAGJEDINË E TITANIKUT
E gjithë bota ka folur për tragjedinë e “Titanik”. Janë botuar shumë libra, shkruajtur në revista e gazeta me dhjetra faqe, janë zhvilluar emisione televizive dhe ekranizuar disa filma. Po Shqipëria dhe shqiptarët si e kanë pritur këtë ngjarje? Çfarë kanë shkruajtur dhe botuar? Mos harrojmë, që Shqipëria në prill të vitit 1912 ishte nën sundimin otoman dhe gazetat që botoheshin në gjuhën shqipe ishin të pakta. Shtypi në gjuhën shqipe ishte më i zhvilluar në diasporë si Rumani, Bullgari dhe SHBA. Gazeta “Dielli”, gazetë shqip e përjavshme që botohej në Boston, më 18 prill 1912 boton artikullin “Vapori Titanic u mbyt”. Midis të tjerave shkruan: M’i madhi vapor në botë “Titanic” i kumpanisë White Star Line, tek çante përmes Oqeanin që të harinte në NewYork, udhës u përpoq më copëra akuj të mëdhenj sa një mal dhe pasi u cpua tej për tej zuri të fundose në ujë. Vapori “Carpathia” ishte i pari që harriu në vendi i mbytjes dhe që mundi të shpëtojë vetëm 868 shpirt, prej të cilëve më të shumtët janë gra dhe fëmijë. 1312 shpirt të tjerë lajmërohet që u mbytnë bashkë me kapidanin e vaporit…
“Titanic” kishte kushtuar 10.000.000 dollarë dhe kjo ishte e para udhë që bënte vapori gjigandik. Për të vënë re është se ky vapor sillte me vete aq të pasur miliunarë sa asnjë vapor tjatër nuk ka sjellë këtu në Amerikë. Me që kemi frikë se mos në këtë vapor ndodhej nonjë shqiptar, zyra e “Diellit” po merret vesh për këtë gjë. Te numëri tjatër do të shënojmë më shkoqur ngjarjen e përmbytjes”.
Gazeta “Liri e Shqipërisë” që botohej në Sofie më 18 prill 1912 boton artikullin “Mbytja e më të madhit vapor ‘Titanik’”. Ndër të tjera dhe kjo gazetë shkruan: “Një lajm i hidhur, një prishje e madhe hodhi në helm gjithë botën, këto ditët e fundit: m’i madhi vapor i botës “Titanik” gjeti varrin e tij në ujrat e thella të Oqeanit ‘Atllantik’. Vapori “Titanik” është i shoqërisë inglize “White Star Line”, është më i madhi, më i shpejti dhe më i forti i tërë vaporëve tregtarë të botës. Mer 45.340 ton dhe 3.115 udhëtarë veç 800 shërbëtorëve që ka brenda. Ka kushtuar 50 milion franga…Kapidani i vaporit duke dashur të fitonte lavdi i dha forcë të madhe pa marë në sy ndonjë rrezik. Duke ecur me nxitim të madh “Titanik” u përpoq me një mal prej akulli. Kapidani urdhëroi të hidhen varkat në det dhe të nxiren më parë gratë e fëmijët. Telegrafisti kërkon ndihmë nga vaporët e tjerë. Më afër nga këta ishte “Carpatia” i cili me nxitim të madh arriti pas 7 orë në vendin e mbytjes…Në këtë ngjarje fatkeqe u varrosnë 1.635 shpirt dhe shpëtuan vetëm 705. Nga të mbyturit janë edhe ca njerëz të çquar si milioneri amerikan Astor, i madhi bankier Gutenhajm, director i “Revif of Revif” z. Stead, axhutanti i kryetarit të Shteteve të Bashkuara z. But si dhe z. Andrevs që e kishte bërë “Titanik”. Nuk dimë në ka patur shqiptarë në këtë vapor….”. Rapo Guri.
Të dy gazetat, në numurat e ardhshëm deri në fund të vitit 1912 por edhe gjatë vitit 1913 nuk publikuan ndonjë të dhënë nëse kishte apo jo shqiptarë në anijen Titanik. Emigrantët shqiptarë në SHBA kishin një përfaqësues në zyrat e emigracionit në Ellis Island që ndiqte lëvizjet e emigrantëve shqiptarë në hyrje dhe dalje të saj por prej tij nuk kishte ndonjë njoftim zyrtar për këtë problem. Në listat e publikuara të pasagjerëve të “Titanik”nuk figuronte asnjë shqiptar. Shoqëritë shqiptare, në qytete të ndryshme në SHBA janë mbledhur në disa aktivitete pas tragjedisë por prej tyre nuk ka dalë ndonjë shqetësim apo informacion nëse kishte apo jo shqiptar në anije. Po të kishte shqiptarë të shpëtuar apo të mbytur, patjetër që do të publikohej në shtypin e kohës sidomos në gazetën “Dielli”.
- A KISHTE SHQIPTARË NË ANIJEN “TITANIK”?
Marr shkas nga një shkrim në “Gazetën Shqiptare” të datës 24.04.2005 ku thuhet se në anijen “Titanik” udhëtonte edhe një shqiptar që i mbijetoi tragjedisë dhe quhej Ilo Kovi Deti. Këtë e dëshmonte djali i tij Dhimitri Ilo Deti në moshën 80 vjeçare. Duke u nisur nga të dhëna dokumentare të kohës dhe arsyetimet në lidhje me kohën dhe ngjarjen, do të jap sipas meje cdo thënie të Dhimitrit nëse ishte apo jo Ilo Kovi Deti si pasagjer në anijen Titanik.
- Iloja ka shkuar në Amerikë në vitet 1906-1907 nga fshati i Vithkuqit.
Ilo Kovi ka qënë në SHBA. Gazeta “Dielli” No. 127 datë 7.12.1911, publikon një njoftim me titullin “Radhua e ndihmëtarëve të rinj të Diellit” ku midis të tjerëve është edhe Ilo Kovi Central Falls 1 dollar. Ndihmëtarë të rinj quhen të gjithë ata që kontriubojnë për herë të parë për një gazetë, shoqëri bamirëse etj.
- Emri që do të përdorte Iloja si pasagjer i “Titanik”do të ishin Ilo Kovi, Ilo Deti, Ilo Kovi Deti. Në Amerikë e quanin edhe Lui Jakov. Në asnjë rast, në listat e publikuara të pasagjerëve të Titanik, të cilat i kam parë edhe vetë nuk ka asnjë variant të emrit – mbiemrit që përmend djali i tij. Në SH.B.A., në gazetën “Dielli” përmendet Ilo Kovi dhe Ilo Kovi Vithkuqi.
- Mund të ketë udhëtuar si turk apo grek. Në anije, kishte 6 pasagjerë në klasin e 3 nga Turqia në moshë të re me mbiemrat Krekorian, Lahowd, Mardirosian, Siraynian, Vartunian, Zakarian. Asnjë nga këta nuk ka mbijetuar, nuk figuron të kenë hipur në varka. Në anije, kishte 5 pasagjerë në klasin e 3 nga Greqia në moshë të re me mbiemrat Chronopoulos, Vassilios, Lemberopoulos. Asnjë nga këta nuk ka mbijetuar, nuk figuron të kenë hipur në varka.
- Ka shkuar sepse ishte kurioz të hipte në një anije si “Titanik” ose ka shkuar në dasmën e një shoku në Angli. Të shkoje në Angli, duhej që më parë të merrje një vizë në Ambasadën Angleze në Washington të cilës duhej t’i tregoje arësyen e vajtjes, garancinë pasurore dhe garancinë se kush të pret atje. Kjo them se është e pamundur, që një emigrant punëtor i një fabrike me të ardhura financiare minimale të merrte një vizë të tillë për në Angli. Aq më tepër që Iloja nuk ishte bërë shtetas amerikan. Ikja në Angli, e bën akoma të pamundur nëqoftëse Iloja ka shkuar në SHBA në mënyrë të paligjshme pra jo brenda kuotës që kishte Shqipëria për të shkuar emigrant në SHBA që në atë kohë ishte 288 vetë në vit. Edhe nëqoftëse Iloja ka patur dokumenta sic e përmenda më lart, që të shkosh në Angli si vizitor duhej të kishe të ardhura të mëdha për të përballuar shpenzimet e udhëtimit nga Southbridge në Londër e kthim, shpenzimet e hotelit, ushqimit për disa ditë etj. Nuk e di sa kushtonte një bilete e klasit të tretë në “Titanik” por di që një biletë e klasit të parë për 6 ditët e udhëtimit Southampton- New York ishte 4.000 – 5.000 dollarë. Ata që kanë shkuar në udhëtimin e parë të “Titanik” për kuriozitet apo dëshira të vecanta kanë qenë milionerë ose miliarderë që janë përmendur më lart. Nëqoftëse ka shkuar edhe për dasmë dihet që shpenzimet kanë qenë akoma më të mëdha.
- Ka qenë anëtar i kishës në Southbridge dhe shoqërisë Mirëbërëse të Vithkuqarëve. Po, ka qenë në Southbridge dhe ishte anëtar i kishës së Shën Kollit. Kisha e Shën Kollit në Southbridge ku banonte Iloja ka ngritur një komision kishtar që do të merrej me mbledhjen e ndihmave për të ndertuar një kishë të re. Njoftime për mbledhjen e ndihmave janë bërë në gazetën Dielli në datat 4, 11 prill 1912. Gazeta Dielli në numurin 147, datë 25 prill ka një artikull që titullohet: “Nga Southbridge, U lumtë! U lumtë”! “I ndercmi drejtor. Ju lutem botoni këto ndihma të cilat na u dërguan me anë të z. Lazo Kosta nga atdhetarët e dashur për kishën e Shën Kollit të Southbridges”. Ndër ndihmëtarët është edhe Ilo Kovi Vithkuqi. Dihet që ndihmat janë dhënë pas dates 4 dhe 11 prill që është bërë thirja dhe para datës 25 prill 1912. Kjo periudhë që përputhen me datat kur Iloja duhet të ishte nisur në Angli dhe udhëtimit të “Titanik”– 10 prill deri 18 prill kur mbritën të mbijetuarit në portin e New Yorkut. Pas mbritjës në New-York, kaluan disa ditë deri sa u nisën dhe mbritën në vendet e tyre. Nëse Iloja ka qenë i dëmtuar ka shkuar në spital për të marë ndihmë mjekësore duke u vonuar kështu më shumë për të mbritur në Southbridge. Mbi të gjitha, me 13.6.1912 gazeta Dielli njofton për themelimin e kishës së re shqipe të Shën Kollit në Southbridge. Mendoj se më pak se një muaj pas tragjedisë, në këtë ceremoni do të përmendej për tragjedinë që i ndodhi bashkeqytetarit dhe anëtarit të kishës Ilo Kovi Detit.
- Iloja ka patur shokët Tasi Moni, Koli Renxa, Vasil Kolaci, Koli Shorja, Pandi Rrapo.Te gjithë këta, kanë qenë anëtarë të shoqërisë apo kishës së Vithkuqarëve dhe ndonjë i zgjedhur në to. Por asnjë prej tyre nuk ka përmendur Ilo Kovi Detin si pasagjer në tragjedinë e Titanik.
- Kishte hipur ilegalisht në anije? Z. Maurice Harvey Clark, drejtor i Emigracionit të Bordit të Tregtisë kishte si funksion të pastronte “Titanik” nga emigracioni ilegal. Ai kishte qenë në bord disa herë duke inspektuar për këtë dhe probleme të tjera por nuk ka ndonjë komunikatë nëse kishte pasagjerë ilegalë.
- Jehona e mbytjes së “Titanik” në shtypin shqiptar. Për tragjedinë e “Titanik”kanë publikuar këto gazeta: “Dielli” Boston në Nr.146 datë 18 prill 1912 me titullin “ Vapori ‘Titanic’ u mbyt”, “Liri e Shqipërisë” Sofje Nr.38 datë 18 prill 1912 me titullin “Mbytja e më të madhit vapor “Titanik”. Të dyja këto gazeta, përvec të tjerave shkruanin se në numurat e ardhshëm do të njoftojmë nëse kishte apo jo shqiptarë në anije. Asnjë nga këto gazeta, pas datës së publikimit deri në fund të vitit 1912 dhe vitin 1913 nuk kanë dhënë ndonjë njoftim nëse kishte apo jo pasagjerë shqiptar në anijen Titanik. Me këto të dhëna faktike të kohës apo mendime të mia, nuk dua të them prerë nëse ishte apo jo në anije Ilo Kovi Deti por vetëm të pyes: A ishte Ilo Kovi Deti pasagjer i mbijetuar në anijen “Titanik”në udhëtimin e saj tragjik nga data 10-15 prill 1912?!