Ditari i Enverit: “Kadare, poet borgjez…”
Shënimet e Enver Hoxhës në ditarin e tij personal të datës 20 tetor 1975, të cilat janë pjesë e librit “Kadare në dokumentet e Pallatit të Ëndrrave”, të Dashnor Kaloçit të botuar nga UET Press, në të cilat ai ka shpërthyer i egërsuar ndaj Ramiz Alisë, i cili kishte pëlqyer poezinë e Ismail Kadaresë dhe fjalori banal plot sharje e akuza ndaj shkrimtarit. Hoxha: Është e qartë, Kadare është kundër-revolucionar dhe me atë poezi denigruese e sabotuese, maskon punën armiqësore…Letra e Mehmet Shehut, i cili i lutet Enverit që ta falë shkrimtarin, duke i kujtuar se ai nga origjina familjare nuk është armik…?!
Dokumenti që po botojmë në këtë kapitull të librit, është pjesë e ditarit personal e sekret të Enver Hoxhës dhe bëhet publik për herë të parë pas plot 41 vjetësh. Duke pasur parasysh raportet e marrëdhëniet e shkrimtarit Ismail Kadare me udhëheqësin komunist që në gjallje të tij, diskutimet, përfoljet dhe spekulimet e shumta që janë bërë e vazhdojnë të bëhen ende, si dhe disa debate apo replika në distancë të tij (Kadaresë), me të venë e diktatorit (Nexhmije Hoxhën), lidhur edhe me dorëshkrimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, që zonja Hoxha disa vite më parë nuk pranonte t’ia kthente autorit, mendojmë se ky dokument është një nga më të rëndësishmit në të gjithë kapitujt e librit. Kjo edhe për faktin se ai ndriçon e hedh dritë jo vetëm mbi raportet e shkrimtarit të njohur me udhëheqësin komunist, apo situatat tepër të vështira e mjaft kritike ku është gjendur shkrimtari Ismail Kadare asokohe, por tregon qartazi se si ka funksionuar parimisht mekanizmi, apo thënë më qartë; linja zyrtare mes tyre?! Po kështu mendojmë se rëndësinë këtij dokumenti që po botojmë në këtë kapitull të librit, ja shton edhe fakti se për poezinë “Në mesditë Byroja politike u mblodh”, apo siç njihet ndryshe “Pashallarët e kuq”, ka pasur një debat të madh në marsin e vitit 2002, kur drejtori i Arkivit Qendror të Shtetit, në atë kohë, prof. dr. Shaban Sinani, gjeti dhe dha për botim te “Gazeta Shqiptare”, (me kërkesën e kësaj të fundit), poezinë e plotë, e cila deri në atë kohë kishte qenë krejt e panjohur. Debat i cili zgjati jo pak dhe u ndez edhe më shumë nga shkrimet apo intervistat në shtyp të disa aktorëve që ishin marrë me problemin në fjalë, si ish-redaktori Duro Mustafaj etj., tashmë është i njohur edhe nga libri i profesor Sinanit “Një dosje për Kadarenë”, i botuar në dy vëllime në vitin 2005. Dhe në ketë kuadër, publikimi i ditarit të Enver Hoxhës për “Pashallarët e kuq”, në një farë mënyrë e mbyll deri diku “qarkun” e atij debati të hapur plot 14 vite më parë, por edhe mund ta rihapë përsëri atë…?! Pas kësaj paranteze të gjatë që bëmë për të sjellë në kohë, apo më saktë për të lidhur publikimin e poezisë për herë të parë në vitin 2002 me ditarin e Enver Hoxhës që po publikojmë tani, kthehemi te dokumenti në fjalë. Kështu në shënimet e tij të datës 20 tetor të vitit 1975, udhëheqësi komunist ka shkruar plot 11 faqe të ditarit, lidhur me poezinë “Në mesditë Byroja politike u mblodh”, të shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare, poezi të cilën del se atij ia ka dhënë Ramiz Alia, për t’i marrë aprovimin për botimin e saj. Kjo pjesë e ditarit është e shtypur me makinë shkrimi dhe në mjaft vende aty ka shënime me laps, të cilat janë bërë për të rregulluar apo korrigjuar disa nga falët apo fjalitë e shkruara në ato faqe ditari. Nga shkrimi, duket qartë se ai nuk është korrigjuar nga vetë Enveri, por ndoshta nga shefi i kabinetit të tij, (Haxhi Kroj), apo ndoshta dhe nga Nexhmija. Me shumë gjasa mendojmë se korrigjimi është bërë nga kjo e dyta, pasi shënimet me laps aty nuk janë thjesht gramatikore, por edhe te përmbajtja e tij…?! Nga sa shihet edhe nga faksimilet, fjala “Ramiz” pothuajse në të gjitha fletët ku përmendet, është ndryshuar me fjalën “shoku” dhe kjo duket qartë që është bërë për ta mbrojtur Ramizin, nga kritikat që i ka bërë Enveri dhe nëse ditari mund të botohej një ditë, emri i Ramizit të mos gjendej aty…?! Pra me pak fjalë, dikush është kujdesuar që ta mbronte Ramizin, qoftë dhe në dokumente, të cilat mund të hapeshin një ditë të bukur dhe do t’i sillnin jo pak telashe atij…?!
Bashkë me ditarin e Enverit, (të cilin ne po e botojmë të plotë në variantin fillestar, pra pa korrigjimet me laps), në këtë kapitull të librit po publikojmë edhe një letër të Mehmet Shehut, ish-kryeministrit të asaj kohe, (letër e cila mban po datën 20 tetor 1975 dhe është e shkruar me laps) ku Mehmeti i është bashkuar shqetësimit të Enverit në lidhje me problemin e poezisë “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”. Dhe siç duket, kjo gjë do ketë ardhur pasi ai është vënë në dijeni nga eprori i tij për atë problem, gjë e cila tregon qartazi se Enveri nuk e ka mbajtur vetëm për vete zemëratën e mllefin ndaj problemit që u kishte dalë, por e kishte ndarë atë edhe me kryeministrin, ndoshta për t’i matur pulsin, apo thjesht për të marrë një mëndim prej tij. Në fund të asaj letre prej 5 faqesh, është nënshkrimi: “Mehmeti”, gjë e cila lë të nënkuptohet dhe me shumë gjasa tregon se ajo është një letër shoqërore dhe jo zyrtare. Në atë letër që i mungojnë dy faqet e para, (apo më saktë, ne nuk i disponojmë ende), duket qartazi se Mehmeti i lutet shumë Enverit, që ai ta falë shkrimtarin e njohur, pasi ka bindje ende, se Kadare mund të ‘shërohet’…?! Dhe si për t’ia ilustruar këtë gjë, ai i kujton Enverit, se Ismaili, ka shkruar edhe vepra ku i ka kënduar partisë, luftës Nacional-Çlirimtare, popullit, madje jo njëherë, si p.sh. “Përse mendohen këto male”, të cilën e konsideron “poemë me partishmëri të lartë”. Në vijim të kësaj, pasi përmend edhe veprat e tjera të Kadaresë, si: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Qyteti i gurtë”, në fund, Mehmeti ndalet te “Dimri i vetmisë së madhe”, duke i kujtuar Enverit se, mes të tjerash: “Është e vetmja vepër ku portretizohet si duhet, me baza marksiste, udhëheqësi i Partisë dhe i popullit”?! Pra me pak fjalë, Mehmeti duke i përkëdhelur sedrën Enverit, gati sa nuk i thotë hapur atij: “Goditja ndaj Kadaresë, godet dhe “Dimrin…”?! Dhe pas gjithë këtyre “gjërave pozitive”, që sipas tij ka bërë Kadareja, si dhe disa kritikave në adresë të shkrimtarit tjetër të njohur, Dritëro Agolli, ku Mehmeti duket qartë që e përdor si alibi për “ta barazuar” në një farë mënyre me Kadarenë, në fund të letrës së tij, ai i kujton Enverit se “nga origjina familjare, Kadareja nuk është armik”. Por si për “të qenë brenda”, Mehmeti e mbyll letrën e tij me fjalinë “Kështu mendoj unë, por sidoqoftë, jam dakord si të vendosni ju…”?! Fjali tipike për udhëheqësit komunist nr. 2 të vendeve lindore, në adresë të shefave të tyre…?! Nuk po zgjatemi shumë me komentet rreth ditarit të Enverit dhe letrës së Mehmet Shehut, (pasi çdokush nxjerr konkluzionet e tij), por ajo që ka qenë e panjohur dhe nuk është ditur deri më tani, është fakti se si për koincidencë fatale, vetëm dy ditë pas datës 20 tetor 1975, (që Enveri ka hedhur shënimet në ditar), më 22 tetor 1975, Hetuesia e Tiranës, nisi procesin hetimor ndaj Fadil Paçramit, (ish-sekretar i Komitetit të Partisë të Tiranës për Propagandën e Kulturën, dhe gjithashtu shkrimtar e dramaturg jo pak i njohur), i cili mbahej i arrestuar që nga 4 shtatori i atij viti. Dhe gjatë shumë seancave hetimore (që do t’i shikojmë në kapitujt pasardhës të këtij libri me faksimilet përkatëse), Paçramit i është kërkuar që të deponojë edhe për lidhjet, marrëdhëniet e raportet e tij me shkrimtarin Ismail Kadare. Dhe i detyruar apo jo, ai e ka implikuar keq atë, duke e bërë pothuaj bashkëpunëtor…?!
Ditari i Enverit
“Jo. Tepër sekret të 11 faqet, prandaj mendoj të mbetet pa botuar”.
E Hënë 20 tetor 1975
Shoku Ramiz, më erdhi dy ditë më parë në këmbë në zyrë duke mbajtur disa letra në dorë. Më tha: “Kam një poezi të Ismail Kadaresë, të cilën ma dërguan shokët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dritëro Agolli. Ismaili ia kish dërguar gazetës “Drita” për ta botuar, por nuk ia botuan pse kundër armiqve që goditëm dhe për të cilët ne s’kemi folur. Por është vjershë shumë e fortë, e mirë. Lexoje njëherë”.
Këto më tha Ramizi për vjershën e Ismail Kadaresë.
E mora vjershën dhe i them, “Ulu ta lexoj” .
Titulli i poezisë ishte: “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”. Me të mbaruar 4 strofat e para, që i ka përmbledhur në pjesën Nr.1 të vjershës, i them Ramizit: “Si është e mirë kjo vjershë? Kjo është në kundërshtim me vijën e Partisë! Kjo shpreh të kundërtën e asaj që thotë Partia, të kundërtën e analizës që bën Partia, të realitetit të madh të rrethimit kapitalisto-revizionist dhe të rrezikut iminent nga një agresion i jashtëm kundër vendit tonë. Ismail Kadare që në strofat e para pretendon se nuk ekziston asnjë rrezik nga jashtë, se nga jashtë kufijtë tonë nuk rrezikohen dhe “klasat e mëdha brenda dimërojnë”. Për Ismail Kadarenë, politika dhe analizat marksiste-leniniste të Partisë janë false.
“Atëherë pse u mblodh Byroja Politike?” pyet Ismail Kadareja dhe vetë jep përgjigjen në pjesën Nr. 2 të vjershës. E tërë kjo pjesë shpreh pa dorashka ide antirevolucionare, antimarksiste, antiparti, dhe flet hapur kundër rendit socialist në vendin tonë. Sipas tij regjimi te ne është duke “shkuar në varr”, “është prishur nga themelet” dhe nxjerr “një ligj” se “shtetet nuk prishen nga çatitë por nga baza”. Pra sipas tij, çatia, “Byroja Politike” është e “shëndoshë”, kurse në bazë “rritet tumori i zi”. E tëra kjo është teori revizioniste, denigruese, sabotuese, dhe antisocialiste.
Më poshtë, ky poet borgjez atakon gjithë ndërtimin e socializmit në vendin tonë, gjithë direktivat e Partisë, gjithë politikën e strukturës dhe të superstrukturës dhe e quan një blof të madh që bëhet me qëllim për të mbuluar “kalbëzimin dhe burokracinë”. Me keqardhje ky poet korbash thotë se “Topa, himne e valle ka kundër armiqve” por “kundër burokracisë s’ka konsuj”. Me fjalë të tjera s’ka parti që të luftojë burokracinë dhe Partinë tonë marksiste-leniniste e quan “konsuj” ose “prokonsuj” si në Republikën e Romës antike, që u rrënua. Kështu do të rrënohet për Ismail Kadarenë edhe socializmi tek ne dhe këtë predikim e bën në vargjet e pjesës nr. 3. Për këtë poet reaksionar rendi ynë socialist është një rend burokratik dhe burokratët i kanë “duart të lyera deri në bërryl me gjak”, “rrëmojnë themelet, lajnë gjakun e dëshmorëve etj. etj.” Të gjithë këta përbindësha të veshur “si pashallarë të kuq me dekorata etj.” kanë zyrat, ministritë, Komitetin Qendror dhe “çojnë trupin e revolucionit në varr” (vargjet e pjesës nr. 4).
Por “doli Enver Hoxha” etj. etj., dhe poeti “Jevtushenko shqiptar” i thur elozhe Enverit si “i vetmi shpëtimtar”. Për Ismail Kadarenë nuk ekziston as popull, as klasë, as parti. Të gjithë janë krimbur, vetëm “Enver Hoxha qëndron dhe shpartallon armiqtë”. Maskimi i punës armiqësore të Kadaresë nuk qëndron, për të edhe Enver Hoxha që “ai mburr me terma pompoze” është si populli, Partia dhe klasa i krimbur (pjesa e 6-të).
Po kush e shpëtoi situatën, sipas këtij farë poeti që mban teserën e Partisë ? “Vetëm kontrolli punëtor!?“. Për të nuk ekziston diktatura e proletariatit, nuk ekziston dhuna kundër armiqve, ai, duke bërë fjalë për Enver Hoxhën thotë pikërisht: “Krisht ai nuk ish që t’i dëbonte/ Nga pushteti me kamxhik dhe stap”.
Por jo vetëm Krishti kishte teorinë “po të goditi në një faqe, nderi tjetrën”. Por “filozofia e këtij poeti reaksionar është e falsifikuar dhe aspak ekzakte. Është e qartë se Kadareja është kundër-revolucionar, është kundër diktaturës së proletariatit, kundër dhunës dhe shtypjes së armiqve të klasës, ai është kundër socializmit në përgjithësi dhe në vendin tonë në veçanti.
Këtë vepër armiqësore ai e bazon në goditjen e tmerrshme që Partia u bëri armiqve të klasës, tradhtarëve Beqir Balluku me shokë dhe burokratizmit që po e lufton që në ditët e para të lindjes së saj dhe, duke u bazuar në analizat marksiste-leniniste që u ka bërë këtyre ngjarjeve Partia, për të demaskuar të degjeneruarit, armiqtë e tradhtarët që pikërisht ishin “në çati” dhe jo në bazë, ky poet i lig e përgjithëson për të atakuar Partinë, bazën socializmin, që janë të fortë si çeliku dhe zbatojnë një rrugë të drejtë të palëkundshme marksiste-leniniste të bazuar në luftën e klasave.
Si e gjykova kaq të lehtë dhe të mirë një vjershë të tillë armiqësore i them Ramizit?! Kjo vjershë është e poshtër, antiparti, reaksionare, dhe kanë bërë mirë që e ndaluan. Nuk të lejohet i thashë Ramizit, të japësh mendime të tilla të sipërfaqshme dhe të mos shikosh brendinë, filozofinë dhe të kapesh nga “figurat” dhe nga pseudo mburrjet që i bën Enver Hoxhës”. Kjo i them Ramizit tregon një simpati të sëmurë nga ana jote për këta njerëz të sëmurë. Ruhu nga këto prirje! Bëj analizë të thellë, pse e shikove këtë çështje kaq lehtë dhe erdhe tek unë i “entuziazmuar për këtë vjershë”? Po sikur të mos e këndoja unë dhe të mbështetesha në gjykimin tënd, çdo të ngjaste? Vjershën mund edhe ta shtypja, pse në atë mënyrë, siç ma paraqite merrje “aprovimin tim”. Kjo s’duhet më të ngjasë, i them Ramizit, duhet dhe ke forca të luftosh pikëpamjet liberale që spikatin herë pas here tek ti.
I thashë Ramizit se do të bisedoj prapë me të, por përgatitu dhe thirr Ismail Kadarenë, e vëre përpara “mutrave” të tij dhe e bëje t’i lëpijë. Natyrisht, Ismail Kadarenë ne nuk duhet ta dënojmë me masa të forta, por duhet ta kritikojmë fort, pse hiqet “i zoti” e “me vlerë të madhe ideore”. Ai është nga ata elementë me talent prandaj e kemi mbrojtur. Unë vetë e kam mbrojtur, por me qëllim kurdoherë të korrigjojë shumë pikëpamje jo marksiste që spikatin mjaft herë në veprat e tij. Ismail Kadareja ka shkruar disa vjersha dhe romane të mira por në to ai ka lënë mjaft herë të shfaqen gjoja “mendime origjinale” por jo shumë në vijë.
Ne kemi shembull që në disa romane të tij Lufta Nacional-Çlirimtare del e zbehtë, e shpëlarë, roli i masave të popullit jo në vërtetësinë dhe në hovin e tij madhështor, por edhe në rolin e Partisë nuk e nxjerr si duhet. Në shkrimet e tij duken të theksuara tablo makabre, të cilave u jep rëndësi i përsërit, u jep rëndësi vagabondëve dhe vagabondazhit që nuk janë tipike për shoqërinë tonë. Ai shkruan bukur, ka turnyra dhe imazhe të bukura, ka edhe idera por në mes këtyre ideve ai fut edhe figura dhe ide të hidhura që tregojnë një botëkuptim të tij të veçantë. Kam përshtypjen se kur shkruan, Ismail Kadareja nuk e mendon më parë dhe kryesisht për edukimin e publikut tonë socialist, por mendon që vepra e tij të shtypet dhe të pëlqehet edhe jashtë, në botën borgjeze. Por që të shtypet e të pëlqehet duhet që kësaj “bote” t’i pëlqejnë disa gjëra, që s’janë në shoqërinë tonë si lajtmotiv, por të thuhen sikur janë. Ismail Kadaresë i është rritur mëndja që botuesit borgjezë i shtypin disa romane, ai do të vazhdojë dhe përpiqet të mbajë skemën e asaj bote, për sa i përket Shqipërisë Socialiste. Ai dëshiron të bëhet “shantri i saj”. Por jo, me të tilla gjykime siç duken në këtë vjershë, ne nuk duhet ta lejojmë. Jashtë duhet të çajmë edhe me romane të shkrimtarëve të tjerë.
Ne kemi folur në popull e në Parti për punën armiqësore të Beqir Ballukut e kompani, por jo në shtyp, Ismail Kadareja me një poezi do që të çajë ai i pari në këtë rrugë dhe çfarë të çarë sikur nuk dinte ta bënte Partia këtë gjë. Por, jam i bindur që Ismail Kadareja jo pa qëllim ka marrë të vërtetat, që i ka thënë Partia hapur popullit në mbledhje të gjëra për të bërë një vjershë ku të përgjithësojë punën e disa armiqve (që bile nuk i cilëson kush janë, kurse populli i di e i njeh se Partia s’ia ka mbajtur të fshehta) me gjendjen e shëndoshë dhe të shkëlqyer të vendit dhe të njerëzve tanë.
Ne duhet t’i ndihmojmë shkrimtarët dhe poetët me një fjalë të gjithë njerëzit e kulturës por të mos harrojmë se në ta mund të lindin edhe gjëra të mira, edhe barëra të këqija. Nuk duhen lënë të trashen kërcellet e këtyre barërave të këqija, duhet t’i shkulim pse atëherë shpërndajnë farën e keqe që mbyt grurin e shëndoshë. Pikërisht këta elementë duhet t’i edukojmë me marksizëm-leninizmin, me kritikë marksistë-leninistë, sa të mos jetë vonë, ashtu siç thotë vetë Ismail Kadareja “në rast se nuk duan të pushkatohen në bulevardin e madh”. Ismail Kadareja është larg një situate të tillë, por po të lihet pa u edukuar dhe pa u korrigjuar mund të rrëshqasë në këtë rrugë.
Ismail Kadareja ka bërë gjëra të mira dhe duhet të vazhdojë në këtë brazdë. Kjo vjershë mund të jetë një “aksident” por të mbetet një aksident dhe për këtë duhet ndihmuar në rrugën e Partisë dhe jo në rrugët oportuniste dhe liberale. T’i vëmë në dukje gjërat e mira të tij dhe ashtu kemi bërë, por t’i vëmë në dukje edhe gjërat jo të mira që të edukohet e të ecë kurdoherë drejt.
Letra e Mehmet Shehut drejtuar Enver Hoxhës
…ideologjike, te marksizëm-leninizmit, të vijës së partisë sonë, të luftës së klasave e ligjeve të saj, veçmas nuk njeh praktikën e luftës së klasave gjiganteske e të pashembullt që ka bërë dhe bën partia.
Mund edhe të gaboj kur them se Ismail Kadareja mund të shërohet, por unë e kam akoma vetë bindje, sepse Ismaili i ka kënduar Partisë, luftës nacional-çlirimtare, popullit jo njëherë dhe ka bërë vepra të mëdha në këtë drejtime. Poema e tij “Përse mendohen këto male”, është me partishmëri të lartë. “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Qyteti i gurtë”, janë nga romanet më të mira si nga përmbajtja dhe nga ana artistike. “Dimri i vetmisë së madhe”, me gjithë boshllëqet ideologjike, është një vepër e madhe që ngre shumë lart luftën e partisë dhe është e vetmja vepër ku portretizohet si duhet, me baza marksiste, udhëheqësi i Partisë dhe i popullit.. Dhe mesa di unë, Ismaili e ka ripunuar këtë roman për të ndrequr gabimet e bëra. Edhe me mua ka biseduar për këtë e ka bërë autokritikë.
Romanin “Dasma” ai e ka dënuar vetë si dështim etj. Për nga origjina, dihet se Ismailin s’e lidh gjë me armikun. Ai ndoshta ka dashur të fus në vjershë luftën kundër grupit komplotistëve e kundër burokratizmit. Por në këtë orvatje, dështoj. Shpresoj se po të bisedohet shtruar me të, do t’i kuptoj gabimet e rënda.
Për sa i përket konfuzionit që kanë dhe disa nga shkrimtarët e tjerë më të mirë në lidhje me luftën e klasave, luftës kundër burokratizmit etj., mjafton të përmendim dy vepra të gabuara, për mendimin tim, të Dritëro Agollit:
a) Romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, ku absolutizohet burokratizmi, ku del se rendi ynë është kalbur me burokratë të pandreqshëm si Zylua etj.
b) Drama “Fytyra e dytë”, në fillim ishte një dramë që e nxinte situatën e rendit tonë sepse këtu sundonin burokratët. Pastaj pas disa kritikave shumë të zbehta, e ndreqi këtë dramë gjer në një farë mase.
Kjo dramë ka 7-8 vjet që jepet. Por romani mbi burokratin Zylo është në qarkullim. Dhe megjithatë, më vonë siç duhet, Dritëroi shkroi poemën e mrekullueshme “Nëna Shqipëri”.
Ju e dini vetë më mirë se puna me shkrimtarët është delikate, ata duhen edukuar vazhdimisht. Dhe vetëm kur kalojnë krejtësisht në anën e kundërt, ndonjëri, si p.sh. Fadil Paçrami, duhen flakur e dënuar. Mendoj se Ismaili nuk ka shkuar gjer në atë shkallë. Këtyre njerëzve ne duhet t’u ndihmojmë duke u vënë në dukje gabimet e të meta, t’i edukojmë e të përpiqemi t’i shpëtojmë gjer në funt. Pastaj po e kaluan barrikadën për m’atanë, më qafë paçin vehten. Kështu mendoj unë. Por mund edhe të gaboj në mendimin tim. Sidoqoftë unë jam dakort si të vendosni ju.
20.X.1975 Mehmeti