Dy biznesmenë grekë denoncojnë në “STOP” padrejtësitë, njëri kërcënohet me jetë
Në emisionin investigativ “Stop” këtë herë ka ardhur denoncim nga dy biznesmenë grekë. Spiro Shkiza është njëri nga biznesmenët, i cili është kërcënuar me jetë nga një çift shqiptar, për shkak të një konflikti pronësie me shtetasin Sokol Bako. Biznesmeni grek tregon për “Stop” se ka bërë biznes me këtë të fundit në vitin 1990. Shkiza rrëfen se pasi i ka dhënë 20 % të kapitalit ortakut të tij, Bako, gjithçka ka shkuar mirë deri në vitin 2005. Por, në këtë vit, Bako ka tentuar që t’i përvetësojë pronën, duke e kërcënuar së bashku me bashkëshorten e tij. Aktualisht gjykata i ka dhënë biznesmenit grek 80 % të kapitalit, por pavarësisht kësaj, ai nuk nuk mund të futet në pronën e tij. Ai shton gjithashtu se kërkon të investojë në Shqipëri, por për shkak të konfliktit e ka të pamundur.
Spiro Shkiza , biznesmen grek:“Kam ardhur këtu të tregoj historinë time me Sokol Bakon, i cili nuk më lejon të futem në pronën time. Në 1990 Sokol Bako më ofroi të blija një kënd lojrash në qendër të Gjirokastrës. I dhashë 20 % të kapitalit nga ortakëria. Gjithçka shkonte mirë deri në 2005, kur ai nuk më njohu më dhe më nxori nga prona. Për zgjidhjen e këtij problemi u drejtova në gjykatë. Gjykata e lartë në 2012 vendosi që 80 % e kapitalit të mbetej e imja dhe 20 % e Sokolit. Sigurisht këtë vendim e ka edhe ai, por nuk e njeh. Pas këtij vendimi nuk arrita të shkoj tek përmbarimi sepse u sëmura. Sokol Bako së bashku me gruan e tij më kërcënojnë se do më vrasin. Dua të futem në pronën time jo me pushkë, por me fjalë. Dua të investoj në Shqipëri, një azil, një shtëpi për fëmijët jetim dhe ndërtesën e tretë një dhuratë për shtetin shqiptar të bëjë çfarë të dojë.”
Rasti tjetër vjen nga biznesmeni, Stelio Tomanoglou, i cili kërkon që të pajiset me leje qëndrimi në Shqipëri, por kjo i është refuzuar. Për mikrofonin e “STOP” biznesmeni grek është shprehur se e do Shqipërinë dhe kërkon që të investojë në këtë vend. Për këtë arsye ai ka trokitur në dyert e institucioneve për të përfituar këtë dokument.
Sipas tij, për t’u pajisur me leje qëndrimi i duhej të tërhiqte disa dokumenta nga Ambasada greke këtu në Tiranë, por kjo e fundit ka refuzuar ta ndihmojë. Tomanoglou thotë gjithashtu se i është drejtuar edhe Ministrisë së Jashtme greke, por edhe ky institucion i ka mbyllur derën. E vetmja përgjigje që ai ka marrë nga ministria greke është që të mbajë paratë dhe të kthehet në Greqi.
Stelio Tomanoglou, biznesmen grek: “Nuk di pse e bëjnë këtë, ndoshta shteti grek nuk dëshiron të kemi biznese këtu në Shqipëri. Kam jetuar me shqiptarë dhe i dua shumë ata, prandaj zgjodha Shqipërinë për të investuar. Kam edhe një muaj kohë që të qëndroj këtu. Kërkoj nga shteti shqiptar që të më ndihmojë me Ambasadën greke që të kem mundësi të përfitoj leje qëndrimi në Shqipëri”, shprehet biznesmeni grek./tvklan.al