Jep dorëheqjen kreu i Arkitektëve
Kreu i Shoqatës së Arkitektëve, Maks Mitrojorgji ka vendosur të japër dorëheqjen nga funksioni që mbante pas përdorimit që i ka bërë kryeministri Rama lidhur me ndërtimin e stadiumit “Arena Kombëtare”. Mitrojorgji, 68 vjeç, është tërhequr nga drejtimi i shoqatës, pasi ai nuk e ka duruar dot presionin e madh.
Fillimisht ai u deklarua së bashku me anëtarët e tjerë të shoqatës së arkitektëve kundër ndërtimit të stadiumit të ri, mbi veprën historike të Gerardio Bosios. Por, për habinë e të gjithëve, kur u ndodh përballë Ramës në mbledhjen e KKT, ai ndryshoi mendim radikalisht. Ai tha se nuk e njihte më parë projektin, por tani që u njoh me të ishte dakord.
Kjo deklaratë krijoi një furtunë të vërtetë mediatike. Profesionistët dhe mediat hodhën dyshimin se Rama nën presionin e madh të publikut e kishte shantazhuar Mitrojorgjin me humbjen e punës së njerëzve të tij më të dashur që ishin rrogëtarë në shtet.
Këto dyshime i nxiti edhe më tepër një deklaratë e vetë kryeministrit ku dukej qartë se ai po e përdorte kreun e shoqatës: “Edhe shoqata e arkitektëve ndryshoi mendim pasi u njoh me projektin” shkroi Rama në Facebook-un e tij.
Ndryshimi i mendimit i kushtoi Mitrojorgjit edhe kritikat e ashpra të kolegëve të vet. I pari reagoi zëvendësi i tij në shoqatën e arkitektëve, Arben Biçoku. “Distancohem nga qëndrimi i arkitektit Maksim Mitrojiorgji në mbledhjen e këshillit kombëtar të territorit të ditës së sotme, 29;04;2016, ku u shqyrtua projekti i stadiumit të ri të Tiranës, duke deklaruar se ai ishte qëndrim personal dhe jo rezultantja e mendimit të shoqatës së arkitektëve. Pozicionet hyra me mendjen time, po po dal me mendjen e shefit janë të papranueshme për mua dhe tregojnë mungesë karakteriale të theksuar” u prononcua ai.
Pikërisht nën këtë presion, mes ndërgjegjes së vet profesionale, trysnisë së kolegëve dhe shantazhit apo miklimit nga pushteti u gjend Mitrojorgji kur pranoi të jepte një intervistë të gjatë për çështjen e stadiumit në emisionin “Të paekspozuarit” të Ylli Rakipit. Dhe aty, gjatë këtij bashkëbisedimi, ai u kthye në qëndrimet e para. “Stadiumi mund të mos ndërtohej me kullë, mund të mos ishte aq i lartë, mund të mos ishte me ato ngjyra të ndezura” tha Maks Mitrojorgji gjatë intervistës. “Pra me një të rënë të lapsit ju po hidhni poshtë gjithë projektin pa e pranuar publikisht” – ja ktheu Rakipi. (Poshtë intervista e plotë).
Pikërisht, këto luhajtje, kuptimi i përdorimit brutal që i bëri Rama, detyrimi për të “tradhtuar” kolegët e tij, vështirësia për të shpërfillur bindjet si pasojë e trysnisë së pushtetit, e kanë bërë Mitrojorgjin që sot të shpallë dorëheqjen. Pas diskreditimit publik që i bëri Rama, pas pamundësisë për të mbrojtur mediatikisht pozicionin e tij, një ditë pas intervistës te “Të Paekspozuarit” kreu i Shoqatës së arkitektëve dha dorëheqjen. Duke u bërë një shembull i mirë se si përfundon pas shërbimit njëpërdorimsh nga Edi Rama. Duke treguar gjithashtu se pavarësisht luhatjes ka njerëz tek të cilët ndërgjegjja ska vdekur ende plotësisht dhe opinioni publik ndikon ende.