Albspirit

Media/News/Publishing

Ju tregoj Gjirokastrën dhe Kadarenë

Nga Illo Foto/New York/

Profesori Agron Fico, më njofton se Gjirokastra, qyteti i manxuranës, do të festojë më 28 Janar 2016, tetëdhjetëvjetorin e birit të saj të dashur, Ismail Kadaresë, lauratit të urdhrit francez “Legjioni i Nderit”. Me këtë rast fatlum do të formuloj disa nga kujtimet, për bashkënxënsin e katër viteve të gjimnazit, në periudhën 1950-1954. Do të ndalem në mjedisin qytetar, ku është rritur Ismaili dhe në shkollën në gjirin e të cilës u brumos si poet dhe nga ku evoloi në shkrimtar të përmasave botërore.

Gjimnazi ishte dhe mbeti shkolla solide e arsimimit. Gjimnaze kishin vetëm Tirana, Shkodra, Korça, Gjirokastra. Gjimnazin e Gjirokastrës e ngritën nga themelet franko-zvicerianët, 92 vite më parë. Kanë mbaruar këtë gjimnaz , deri më sot mbi 10.2 mijë maturantë, aq sa ishte popullsia e qytetit në 1938 . Është ndërtesë e studiuar në projektim, për akustikë, optikë, kalitje fizike, që plotëson qëllimin e edukimit kompleks të nxënësve dhe punë normale të mësuesve.

Hyrja në gjimnaz bëhet në dy shkallë, që mbajnë të rrethuar një hapësirë të gjerë dhe të lartë sa dy kate të godinës. Një hyrje e tillë, nxënësit i mbush me frymë dhe mësuesit janë në gjendje, me një vështrim të monitorojnë gjithë vargun e nxënësve, që hyjnë dhe dalin. Kur nxënësi hyn i vetëm ose një grup i vogël, krijon përshtypjen se shkolla po i bie mbi kokë. Ndjen një marramendje të shtirur. Është autoriteti i shkollës, që e qorton për të mos hyrë i pa përgatitur mirë. Kur kalon katin e dytë, mjedisi i shkollës të mirpret me dritë. Shkolla di të përkëdheli nxënësit sistematikë. Bëhet fjalë, për një zgjidhje didaktike-inxhinerike perfekte, nëpërmjet ndërtimit, gati 100 vite përpara.

Koridoret janë të gjerë, plot dritë, bëjnë rezonancë dhe nuk mund të flasësh me zë të lartë. Në klasa dhe laboratore, rrinë ulur deri shtatqind nxënës. Me të gjithë oborret, trualli, nuk besoj se zë më shumë se 800 metër katror. Sipërfaqe e dobishme, përdorur rigorozisht me matematikë. Ndërtimi shkencor të edukon me forcë të ëmbël.

Shkollat e mesme, në Amerikë janë të ngjashme, deri në identike me gjimnazin e Gjirokastrës. Një bashkëbisedusi im më tha se shkollat amerikane ngjajnë si kështjella. Më dolli aty ku desha.

Ashtu janë dhe ashtu duhet të jenë, ja prita unë.

Nënkuptohet që jeta posht tyre është nën pushtetin e dijes. Këtu hyn dhe siguria. Prindi e dorzon fëmijën në një kështjellë, që presupozohet e pa mposhtur. Gjimnazet e hershme e japin projektin tipik shkencor të shkollës. U zgjata për gjimnazin, sepse sa herë lexoj ndonjë gjë për Ismailin, Gjirokastrën dhe shokët e shkollës, në sfond të kujtesës vendoset gjimnazi i famshëm i atij qyteti të kulturuar dhe historik.

Unikja e Varoshit, që mbaroi Ismaili, si e gjithë Gjirokastra, kishte mësues të apasionuar. Gjimnazi mblodhi nxënës nga e gjithë Shqipëria, sepse kishte të bashkëngjitur një konvikt, normal për kohën, me rreth 200 vende. Për Drejtorin e shkollës të qenit konviktor ishte garanci, që vije nga familje me përbërje të mirë politike, e lidhur me luftën. Për biografi dhe ambicie të sëmura u demaskuan publikisht shumë nxënës dhe 3, prej tyre (Ilia Tereska, Barjam Zyberi, Thanas Dhespa) u burgosën, me akuza të stisura nga Sigurimi famëkeq. Barjami vdiqi në burg . Zjarri i luftës klasore mbahej i ndezur edhe midis fëmijëve.

Cila ishte gjendja social –ekonomike e Gjirokastrës, në kohën, kur vijonte gjimnazin Ismaili?

Statistikat për popullsinë dhe sipërfaqen gjografike, tregojnë se rrethi renditet i katërti malor, në 26 rrethe. Me gjithë këtë konfiguracion gjografik të brishtë, popullsia fshat-qytet, ka jetuar në nivelin mesatar të Republikës, në mos më mirë.

Lagjet periferike të qytetit merreshin me bujqësi dhe blegtori, jo në mënyrë amatore, por me bujq dhe blegtorë të shquar për kualifikim. Trasporti brenda qytetit bëhesh me kafshë ngarkese dhe me hamej. Qafën e Pazarit nuk e kalonin lehtë makinat. Komunikimi me rrethet fqinj ishte rrethanor. Kërkesat për të udhëtuar drejt Tiranës, ishin shumë më të larta se kapaciteti transportues i dy autobuzve, që niseshin nga Sheshi i Çerçizit. Duhet të shkruaje emrin, në zyrën përkatëse dhe të prisje radhën, me gjakftofësi. Rruga për Tiranë, rreth 240 km. kryej për mbi 10 orë, duke përshkruar rrugën ushtarake të pa asfaltuar, që gjarpëronte në kurrizin e malit të Tartarit, për të vijuar rrugën fushore Vlorë – Tiranë, 130 km.

Bashkëveprimi me fshatrat e rrethit kishte krijuar një traditë shumë funksionale, për furnizim të ndërsjelltë. Kështu ndodhte dhe me qytetet fqinj. Ky ndërveprim shmangte nevojen e transporteve të rënda, që ishin të kushtueshme. Realizohej me harmoni dhe precizion kooperimi ndërqytetes.

Si kudo në vend, vepronte sistemi i triskëtimit, që plotësonte minimumin jetik familjar. Mallrat bliheshin vetëm në lagjen, ku banoje, përfshirë dhe bukën e përditshme. Kudo dukeshin plagët e luftës.

Mjedisi banus shkëlqente nga pastëria dhe mirëmbajtja. Kjo situatë higjenike ishte identike edhe në shumicën e shtëpive të fshatit.

Ishte koha, që sapo u ndërtua ujsjëllesi i qytetit. Përdorej pjesërisht edhe uji i sterrave. Për aq sa kam shëtitur unë, nuk kam parë as sot mjedise familjare, të pastra sa odatë gjirokastrite. Në Gjirokastër vazhdon jetesën një popullsi, që ka ditur të organizoi jetën në mënyrën më racionale të mundshme, duke u mbështetur kryesisht në burimet e brendshme natyrore dhe energjitë e banorëve, ku përfshihet dhe kurbeti.

Jeta mësimore –edukative në gjimnazin “A. Zeneli” zhvillohej brenda një rregulloreje të studiuar dhe strikte. Autoriteti i ndërtesës plotësohej nga autoriteti i trupit pedagogjik të përfaqësuar nga Drejtori. Në këtë gjimnaz kanë pas dhënë mësim personalitete të arsimit shqiptar. Përmend pak prej tyre: Çifti Luigj dhe Arta Gjoni (Franja), Thoma Papapano, Hysen Zavalani, Rustem Buzo, Fejzi Dika, Vehbi Bala, Mikel Koka, rusja Papkova etj. Të tërë mësuesit e donin shumë Ismailin, jo vetëm se ishte i urtë dhe i sjellshëm, por sepse e dinin, që lodhej shumë.

Autorët që botonin libra në Shqipëri, në atë hark kohor ishin të numëruar. 17 vjeçari nga Gjirokastra, Ismail Kadare botoi afër e afër, dy vëllime me poezi nga më të frymëzuarat e poetikës kohore shqiptare. Ishte eveniment i madh i kohës. Kjo punë kërkonte angazhim të madh mendor dhe fizik për një nxënës me ngarkesë maksimale me mësimet ditore, por jo për Ismail Kadarenë, që kalonte adoleshencën, duke u kalitur si shkrimtar i famshëm. I përballonte me sukses dhe humor të tëra ngarkesat. Jeta në klasë dhe pas mësimit, me shokët, e çlodhnin dhe i përtëritnin energjitë. I pëlqente humori, gazmoret, improvizimet e ndodhive serioze të mësimeve. Nuk e gjeje kurrë të ngrysur dhe të pa motivuar. E kishte të domosdoshme pozicionin “afolio” të mendjes dhe shokët ja krijonin këtë mundësi, në çdo bisedë, jashtë mësimit.

Drejtori i gjimnazit ishte i plotfuqishëm dhe shprehte vullnetin e shtetit. Komiteti i Rinisë luante rol parësor në marrëdhëniet midis nxënësve, këshillit pedagogjik dhe Drejtorit. Organizata e Partisë nuk kishte ndonjë rol, sepse kishte shumë pak antarë. Krerët e komitetit të rinisë i kishin veshur vetes një autoritet, që dhe vetë e dinin se ishte i pa merituar dhe fallco. Nuk di ndonjë rast, që aktivistët politikë të shkollave të jenë bërë shkrimtarë ose shkencëtarë të shquar. Kanë qenë kamardarë, që kanë skopjuar rrugëve të jëtës.

Secili mësus kishte autoritetin e tij, por mundoheshin të identifikonin autoritetin me atë të Komitetit të Rinisë. Të tëra këto autorite ishin të rëndësishme për mësimin, edukimin, disiplinën. Autoriteti i tyre ishte i vendosur nga lart dhe u imponohej nxënësve dhe mësuesve me mbledhje të gjata, dënime, demaskime politike.

Anekdotat për ta nuk kishin të sosur. Dikush nga nga klasa paralel, hapi fjalën se sekretari i komitetit të rinisë, nxënësi K. B. mbante kobure. Drejtori i konviktit, A. V. që varej nga shkolla, nuk e hoqi kurrë koburen nga brezi. Merret me mend sa biseda me humor mund të riprodhohen për ngjarje të tilla. Humor bëhej edhe për mësuesit, kryesisht në orët e fiskulturës dhe mbasdrekeve tona gazmore.

Autoriteti tjetër i shkollës ishte ai i Ismail Kadaresë. Autoritet i heshtur, jozyrtar, i vendosur nga vete nxënësit dhe shumica e mësuesve, pa suport shtetëror. Ai nuk dilte në presidiume dhe as nuk bënte diskutime të zjarrta, në mbledhjet e rinisë. Ai ishte i përkushtuar mësimeve me korrektesë dhe vijonin të botoheshin shkrimet e tij, që shquheshin për elegancë dhe lirizëm të rrallë. Të rralla ishin firmat nga Gjirokastra, që dukeshin në faqet e gazetave të Tiranës. Kritika letrare ishte e rreptë dhe vigjilente edhe ndaj cilësise artistike të çdo shkrimi, që botohej.

I tërë shtypi i kohës ishte i nderuar kur botonte shkrimet e këtij të riu, që po sfidonte të tëra firmat tradicionale të “shkrimtarëve me mjekër”. Fliste publiku, flisnin personalitetet, flisnin nxënësit anë e mbanë vendit. Ishte bërë poeti më i dashur i rinisë. Vetë autori heshte brenda modestisë proverbiale. Nuk kishte nevojë t’i bëhej reklame krijimtarisë së tij. Shqiptarët e njohën nga shkrimet në gazetat letrare, që ishin më të lexuarat dhe shumë popullore.

Në propocion me heshtjen e Ismailit, rritej autoriteti i tij, brenda gjimnazit. Nxënësit dhe pjesa më e rëndësishme e mësuesve, sytë i mbanin nga autoriteti i heshtur dhe në rritje i Kadaresë. Fama e tij po përhapej si llavë vullkanike, që nga Gjirokastra në Tiranën e kulturës, shkencës dhe letërsisë; kudo në atdhe. Rinia shqiptare e etur për liri gjeti te vepra e Kadaresë optimizmin dhe shpresën, për jetën më cilësore, nëpërmjet ndryshimit, që duhet ta kryente vetë. Vepra e Ismailit nënkuptonte një jetë tjetër, jashtë kufijve të shtetit të izoluar nga bota.

Gjimnazi ishte një fidanishte, ku ishin rritur personalitete, që bënë emër në profilet e tyre si shkencëtarë, inxhinierë, mjekë, shkrimtarë, profesorë. Këta e përkrahnin dhe e propogandonin veprën e Ismailit. Përmend disa prej tyre: Dritëro Agolli, Agim Shehu, Kleanth Koçi, Ylvi Vehbiu, Dhimiter Munxuri, Agron Fico, Jorgo Bulo, Vedat Shehu, Kristian Bukuroshi, Sofokli Krongo, Mevlan Kabo, Mersin Zeko, Vllasi Janopullo etj. Secili prej tyre në jetë krijuan një linjë të tyre të punës, ku edhe fenomeni Kadare bashkudhëtonte. Kur erdhi në klasën e parë të gjimnazit, djali bukurosh me syze u homogjenizua shpejt dhe natyrshëm me mjedisin e ri shkollor, klasën e I – B. Ismaili ishte bërë i njohur si autor poezish dhe proza të shkruara jo vetëm në shtypin e fëmijëve “Pionieri”, por në të tëra gazetat qendrore letrare. Biseda e parë e shokëve të rinj, ka qenë për reportazhin e tij “Një ditë në Kaninë”. Pushimet verore ai i kishte kaluar në kampin e pionerëve të Vlorës dhe kishte shkruar për Vlorën, por dhe këtë reportazh, që ishte prozë që rrithte ëmbël, e frymëzuar, që të rrëmbente. E kishim lexuar përpara se Ismaili të vinte në klasën tonë. Prisnim të na jepte spjegime të hollësishme për veprën e tij, siç bëjnë rendom shkrimtarët. Ai u përgjigjej thatë pyetjeve tona dhe shkrimin e konsideronte një frymëzim të zakonshëm, kalimtar. Ashtu kot. Gjërat janë të thjeshta dhe të njohura. E vështira nuk njihet, ndërsa e pa njohura ende nuk duket në horizont. Ismaili e ka pasur bezdi të flasi për vete. E vlerësonte veten shumë më pak se opinioni, që e ka rrethuar. Ai di të shkruaj artistikisht dhe kaq. Kjo punë nuk e lodh as atë, as lexuesin e tij, që e ndjek autorin e dashur hap pas hapi. Ne i komentonim çdo mëngjes shkrimet e tij, që na pëlqenin shumë, jo vetëm për atë se ishin të bukura por dhe për faktin, që i kishte shkruar shoku ynë, që ndante me ne shqetësimet e jetës rinore të nxënësit. Fizikisht e kishim në klasë autorin e “Frymëzimeve djaloshore”, vëllimi më i lexuar nga rinia e kohës. Nuk dihej sigurisht kush e donte më shumë njeri tjetrin: shkrimtari rininë e vendit apo rinia e vendit shkrimtarin. Klasa ishte një çerdhe e ngrohtë, ku Ismaili rrethohej me dashuri të pa kufishme nga 28 shokët dhe dy shoqet, që mbetën njerëzit e dashur për njeri tjetrin, në të gjithë jetën. Përgjegjësit e klasave zgjidheshin me mirëkuptim nga nxënësit dhe ndryshonin rrënjësisht nga karakteri i antarëvet të Komitetit të Rinisë, detashmenti i partisë. Të dy paralelet tona kishin përgjegjësa klase dy djem të guximshëm, të urtë, të pjekur përpara kohe dhe të shkëlqyer në mësime. Kishin aftësi drejtuese dhe dinin të bënin kompromise. Në klasën “A” përgjegjës ishte Polo Mihali, ndërsa në klasën tonë përgjegjës ishte Llukan Gjidede. Nuk u ndryshuan të katër vitet. Lluka bashkë me Artën, mësusen kujdestare, krijonin në klasë një mjedis bashkëpunues dhe të ngrohtë. Në klasë e ndjenin mirë veten dhe ata që gabonin dhe ata që u detyruan të mos e çonin deri në fund misionin e nisur të nxënësit. Mësuese Arta e ruante me xhelozi autoritetin e klasës dhe të secilit nxënës. Na donte si fëmijë, sepse nuk kishte fëmijë biologjikë. Ismaili kishte interes për të gjitha lëndët, përjashto matematikën dhe që për fat, ishte lënda e mësuese Artës. Interes më të madh tregonte për historinë dhe letërsinë, pa mohuar kuriozitetin për të gjitha shkencat. Ai dinte me hollësi jetëshkrimet e njerëzve të shquar, që nuk ishin në tekstet shkollore. Në biseda dyshe fliste për Fishtën, Koliqin, për Lumo Skëndon, Bari Omarin dhe intelektualët e politikës të viteve ’30, që diktatura të dënonte poq se u zije emrin në gojë. Llogjikën dhe psikologjinë na i jepte një mësues shumë serioz dhe i distancuar dukshëm edhe nga kolegët e tij, Mikel Koka, i ardhur nga Durrësi. E paraqiti lëndën e Logjikës si më të vështirën në rruzullin tokësor. Nuk kënaqej nga përgjigjet e asnjë nxënësi. I erdhi radha Ismailit të ngrihej në dërrasë. Pyetjes së mësuesit, po thuaj nuk ju përgjigj fare. Me sa dukej, nuk e pat lexuar librin, por foli për tema logjike të pa njohura nga ne të klasës. Mikeli nuk e fshehu habinë dhe e pyeti se ku i kishte mësuar këto gjëra, se ai nuk i kishte thënë. Habia e tij u shua kur Ismaili i renditi disa libra dhe autorë, që kishte lexuar vetëm për problemin nëse na sundon ose e sundojmë mendimin e përparuar logjik. Ismaili të lodhte me bibliografinë, që e mbështeste çdo fenomen të diskutueshëm. Ramë rehat me Logjikën si klasë. Shumicën e orës Mikeli debatonte me Ismailin, për probleme logjike, që teksti nuk i përmendte. Luigji, mësuesi i letërsisë, ishte ana tjetër e medaljes. Kishte qenë dhe në kolegjin jezuit. Në spjegimet për Danten, doli nga vetja. Më shumë recitonte se fliste. Nuk mbaroi me kaq. Kur u përgjigj Ismaili për Dante Aligerin, për Propoganda Fiden, për hollësitë fetare të kohës dhe për filozofinë danteske, Luigji e harroi mësimin e radhës, sepse e donte Danten marrëzisht. Nga ky moment e tutje, Luigji, simpatinë e Dantes e shkëmbeu me simpatinë për Ismailin, që për përfytyrimin e Luigjit, ishte pjekur mendimi, se kish të bënte me një gjeni, që po lindte në klasën, ku ai jepte mësime letërsie. Bindjen Luigji e bëri sunduese, për të gjithë mësuesit në vitin e tretë të gjimnazit. Ismaili e materializoi këtë ide, me veprën e tij madhore, me trofetë që realizoi dhe të tjera, që pritet t’i vëri në vend kauza e tij demokratike. Diskutimet ishin të larmishme brenda dhe jashtë klasës. Disa thoshin Luigji nuk e njihte Danten sa Ismaili. Të tjerë thoshin se e njihte dhe më mirë, por kishte frikë se drejtori e godiste si borgjez dhe jezuit, që “helmonte shkollën socialiste me ideollogjitë borgjeze”. Këto nuk ishin thjesht hamendësime. Luigji ishte bërë disa herë problem i Këshillit Pedagogjik dhe ishte kritikuar hapur nga Drejtori, në mbledhjen e përgjithshme të shkollës, ku merrnin pjesë mësues, nxënës dhe administrata. Ismaili na pat thënë se shpenzonte pak kohë për mësimet ditore, duke shfrytëzuar në maksimum, spjegimin e mësuesve. Shumë kohë shpenzonte për gjuhë të huaja dhe lexime jashtë shkollore. Mbante marrëdhënie me Lefter L. Dilo, drejtorin e muzeumi të qytetit dhe me librarin Alizoti, që të dy ishin biblioteka, që kishin marrë formën e njeriut të gjallë. Mjafton të sqaroj se Alizoti dinte përmendësh të gjithë përmbajtjen e librave, që tregtonte. Ti kapje një libër, nga rafti çfardo dhe ai të spjegonte përmbajtjen. E blije librin pa menduar dy herë. Disa ditë të javës, linim takim me shokët, për lojra mbasdreke në Bashten e Teqesë, një kompleks i improvizuar i lojërave dhe i gjimnastikës. Rrastiste që nuk vinte Ismaili. Të nesërmen na tregonte se nuk mund të linte pa përfunduar një libër, që nuk do të kishte atë interes, po ta ndërpriste. Abuzonte mbi kohën e pushimit, të gjumit dhe të lojrave të moshës. I përkushtohej punës, që ishte bazamenti kryesor i talentit. Nuk njihet ndonjë rast i një gjeniu, që ka ardhur nga rehatia personale. Ato talente të lindur, që i ka privilegjuar prejardhia, e kanë braktisur rehatinë dhe kanë zbritur në rreshtin e njerëzve të vuajtur. Kështu ka ndodhur me lordin Bajron dhe me çifligarin Lev Tolstoi. Ismail Kadare vazhdon të shkruaj me ritëm të lartë në të dy sistemet. Vepra e tij gjeniale lindi dhe u konsolidua në gjirin e popullit të thjeshtë. U mbështet nga talenti dhe u rrit nga puna vetiake mbinjerëzore. Nuk ka patur nevojë të ndihmohej nga askush. Në dedikimin që më ka bërë në fletoren time të kujtimeve të maturës, bashkëmaturanti Ismail Kadare, midis të tjerave shkruan: “Përpara se të kujtojmë, le të jetojmë, që të mos thërrasim më vonë siç thirri një poet: Më kthe rininë”! (Fjalinë e fundit e ka shkruar gjermanisht). Këto fjali të ngjeshura, metaforike i ka shënuar maturanti 18 vjeçar, Kadare, që e priste dhe realizoi një vepër të madhe, shumë dimesionale, në hapësirë, kohë dhe problematike. Mbas gjimnazit u ndava me Ismailin dhe u takuam rrallë dhe spontanisht, sepse patëm vektorë të ndryshëm jetësorë. Në ish fermën Levan, ku fillova punën, në vitin 1960, u njoha me shkrimtarin martir, Astrit Delvina. Ishte i internuar, por punonte si ndihmesmjek. Ismailin e kishte idhull. Ishte koha që unë lexoja fare pak. Astriti më paraqiste në mbrëmje shkrimet e botuara, duke u përqëndruar te çdo gërmë e shkrimeve të Ismailit. Kjo ndodhi deri në vitin 1961, kur Astriti u burgos dhe s’u pamë kurrë më.

Fotografine e Ismailit, me kornizë të praruar, e sollën në dhomën e pritjes, fëmijtë e mi gjimnazistë të gjimnazit Lushnjë, në fillim të viteve 80 të shekullit kaluar. Aty është ende, sepse duhet ta përcjelli brezi tjetër, që ka lindur në diasporë. Brezat e lindur në Diasporë e kanë shumë kollaj të familjarizohen me veprën e Ismailit, sepse gjithkush le të zgjedhi ta lexoi në një nga 50 gjuhët, që është përkthyer. Nderi i tyre dhe i qeverisë shqiptare është të mundësojnë që Ismaili dhe literatura tjetër shqipe, të lexohen në gjuhën e Kristoforidhit, të Naimit, të Nolit dhe të Fishtës.

Arratisja e Kadarese nga atdheu shënon historikisht fillimin e revolucionit demokratik shqiptar, që u finalizua me revoltën studentore të dhjetorit 1990. Franca u bë për shkrimtarin tonë, atdheu i dytë, duke i dhënë gjithçka, që ju mohua në atdheun mëmë. Ai mbeti vetëm shkrimtar, përfaqësuesi i përjetshëm i popullit, në tranzicionin demokratik të deformuar. Vepra letrare, e vijuar në Francë, hedh dritë mbi shumë ngjarje shqiptare, trojet arbënore, Diasporën, Ballkanin dhe botën mbarë. Mirënjohje për Francën e paqes, tolerancës, shkencës, artit, letërsisë dhe përparimit njerëzor!

Illo Foto, studiues, NY- 20 Janar 2016.

Please follow and like us: