Albspirit

Media/News/Publishing

KADARE NDEROHET NGA KOLEGJI AAB ME ÇMIMIN “ALI PODRIMJA”

 

Për të nderuar poetin e ndjerë Ali Podrimja, Kolegji AAB në Prishtinë, ka vendosur që të themelojë çmimin “Ali Podrimja” dhe të parin si më të merituarin për këtë çmim, ky institucion ka zgjedhur shkrimtarin Ismail Kadare. Çmimi do t’i ndahet Kadaresë sonte në mbrëmje, në ambientet e këtij institucioni. Rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, tha se edhe më herët janë ndarë çmime të ndryshme për arritje shkencore, në sport dhe në art, por për letërsi është hera e parë. “Ideja për çmimin ‘Ali Podrimja’ ishte diskutuar para vdekjes së poetit, por pas vdekjes së tij duke ditur për krijimtarinë e tij të dalluar kemi vendosur që çmimin për letërsi ta quajmë ‘Ali Podrimja’”, ka thënë Lulzim Tafa për “Zërin”. Ai tha se për kandidatin e dhënies së çmimit të parë për letërsinë nga institucioni që udhëheq, është formuar një juri profesionale e përbërë nga poetë dhe profesorë. “Universiteti e ka themeluar jurinë profesionale në përbërje të profesorëve të letërsisë, shkrimtarëve të cilët kanë përcjellë krijimtarinë e personaliteteve të shumta, kombëtare dhe ndërkombëtare”, tregon ai. Ndërkaq për dhënien e këtij çmimi Kadaresë, Tafa tha se juria ishte bazuar në krijimtarinë e shkrimtarit. “Duke parë që Kadare është shkrimtari më i shquar, sikur Podrimja që është në letërsi, ai është në prozë e poezi, dhe juria ka vendosur t’ia dhurojë Kadaresë”, duke shtuar se nuk ka pasur kandidat tjetër për dhënien e këtij çmimi, duke marrë parasysh emrin që ka Kadareja dhe renomeja që ka fituar. Tafa konsideron se ceremonia do të jetë shumë e veçantë. “Ali Podrimja si njëri nga shkrimtarët më me nam në të gjithë shqiptarinë, ka merituar të ketë një çmim të tillë në emrin e tij po ashtu edhe Kadareja, si një shkrimtar tepër i dalluar gjithashtu ka merituar një çmim të tillë, prandaj besoj se kjo ceremoni do të jetë shumë e veçantë”, tha ai. Rektori tha se për organizimin e kësaj ceremonie është dashur përgatitje vetëm teknike të cilat kanë zgjatur rreth dy javë, pasi që ideja ishte më herët. Tafa thotë se ky çmim mund të shndërrohet në çmimin më të madh letrar jo vetëm në Kosovë: “Pretendohet të jetë çmimi më i madh i letërsisë i ndarë ndonjëherë në Kosovë dhe ndoshta edhe në rajon”. Përveç ndarjes së çmimit, organizatorët thonë se do të ketë një natë plot art. “Do të përformojë dhe kori i Filarmonisë së Kosovës, ndërkaq aktorët profesionistë të Teatrit Kombëtar do të interpretojnë poezi të Ismail Kadaresë, do të mbajë fjalim edhe njëri nga anëtarët e jurisë për arsyeshmërinë e këtij çmimi si dhe Kadare”, tregon Tafa. Ai shtoi se do të mendohet që ndarja e këtij çmimi të bëhet tradicionale dhe të ndahet çdo vit. Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare të tillë si: “The Booker Prize Man”, pastaj është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”, ai u nderua me çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias për Letërsi”, po ashtu ai është fitues i çmimit “Rexhai Surroi” për romanin “Darka e gabuar”. Kadare po ashtu disa herë ka qenë një ndër pretendetët kryesorë për ta fituar çmimin Nobel për Letërsi. Ndër kandidatët kryesorë për këtë çmim ishte edhe vitin e kaluar. Ismail Kadare është një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi. Shquhet për novela, romane, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe sprova. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri dhe veprat e tij janë përkthyer në mbi 45 gjuhë të botës. Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; në 2005 fitoi Man booker International Prize dhe në vitin 2009 mori çmimin Prince of Asturias për Artet. Ai e ka ndarë jetën e tij mes Francës dhe Shqipërisë, dhe është martuar me shkrimtaren e njohur të skicave dhe tregimeve për fëmijë, Helena Kadare. Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm në gjimnazin “Asim Zeneli”. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas studioi në Moskë, për dy vite, në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” nga viti 1958 në vitin 1960.

Veprat e Ismail Kadaresë
Lirika, vjersha dhe poema:
Frymëzime djaloshare (1954)

Endërrime • Shekulli im (1961)

Motive me diell (1968)

Shekulli im (1961)

Koha (1976)

Ca pika shiu ranë mbi qelq.

Tregime, novela dhe drama:
Qyteti i Jugut (1967)

Emblema e dikurshme (1977)

Ura me tri harqe

Gjakftohtësia (1980)

Koha e shkrimeve (1986)

Tri këngë zie për Kosovën (1998)

Ikja e shtërgut (1999)

Çështje të marrëzisë

Ditë kafenesh

Stinë e mërzitshme në Olymp.

Romane:
Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1963) (’67) (’71) (’73) (’76) (’78) (’80) (’90) (’98) • Dasma (1968) • Kështjella (1970) (’73) (’76) (’78) (’80) • Kronikë në gur (1971) (’72) (’76) (’78) (’80) (’97) (2000) • Dimri i vetmisë së madhe (1973) (’77) (’99) • Nëntori i një kryeqyteti (1975) (’80) • Kush solli Doruntinën (1979) • Nëntori i një Kryeqyteti (1980) • Prilli i thyer (1980) • Nata me hënë (1985) • Koncert në fund të dimrit (1988) (’89) (’90) (?’99) • Dosja H (1990) • Përbindëshi (1991) • Piramida (1992) • Viti i mbrapshtë (1990) (2003) • Kasnecët e shiut (1994) • Pallati i ëndrrave (1996) • Spiritus (1996) • Qorrfermani (1999) • Vjedhja e gjumit mbretëror (1999) • Breznitë e Hankonatëve (2000) • Vajza e Agamemnonit (2000) • Lulet e ftohta të marsit (2000) • Qyteti pa reklama (2001) • Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut (2002) • Pasardhësi (2004) • Shkaba (2004) • Hija (2007) • Spiritus (2007) • Muzgu i perëndive të stepës • Darka e gabuar (2008) • E penguara (2009) • Aksidenti (2010) • Mjegullat e Tiranës (2014).

Sprova, ese, studime dhe intervista:
Autobiografia e popullit në vargje (1971) (’80) • Linja të largëta (1971) • Ftesë në studio (1990) (2004) • Eskili, ky humbës i madh (1990) • Dialog me Alain Bosquet (1996) • Kushëriri i engjëjve (1997) • Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë (1998) • Ra ky mort e u pamë (2000) • Kohë barbare (Nga Shqipëria në Kosovë) (2000) • Bisedë përmes hekurash (2000) • Unaza në kthetra (2001) • Eskili, ky humbës i madh (2001) (2006) • Princesha Argjiro (2003) • Poshtërimi në Ballkan (2004) • Dantja i pashmangshëm (2005) • Identiteti evropian i shqiptarëve (2006) • Hamleti, princi i vështirë (2006) • Mosmarrëveshja, mbi raportet e Shqipërisë me vetveten (2010) • Mbi krimin në Ballkan; Letërkëmbim i zymtë (2011) • Çlirimi i Serbisë prej Kosovës (2012).

3 shtator 2014.

https://www.zeriamerikes.com/a/kosovo-literature-/1742231.html

https://telegraf.al/kulture/ismail-kadare-merr-cmimin-ali-podrimja-ja-si-jane-njohur-dy-lideret-e-letersise/

 

Please follow and like us: