Albspirit

Media/News/Publishing

KADARE PARALAJMËROI RREZIKUN E TERRORIZMIT

Dalip & Kadare

– Shqipëria është një vend që rrezikohet seriozisht nga terrorizmi, ndaj luftën kundër tij mund ta konsiderojë si luftë të saj dhe për interesat e saj. Nga ana tjetër, miqësia me ShBA-të mbetet faktor i rëndësishëm në të gjitha rrafshet: politike, ekonomike, të së ardhmes së Kosovës./
– Nga përvoja e hidhur e “miqësive” ose më saktë kinsemiqësive të kaluara, Shqipëria duhet megjithatë të nxjerrë një mësim themelor. Miqësia e një vendi të vogël demokratik evropian, siç është vendi ynë, s’ka asgjë të përbashkët me sjelljen e sejmenit. Psikologjia e sejmenit karakterizohet nga një ndjekje e verbër ndaj të zot, qoftë edhe kur bie ndesh me interesat e veta./
-Shteti shqiptar duhet të ruajë kështu drejtpeshimin dhe balancën natyrale të tri besimeve, të vendosura prej shekujsh në Shqipëri. Ky drejtpeshim është i njëmendtë dhe nuk është një shpikje poetësh. Të tre fetë kanë të njejtin legjitimitet./
– Në këtë kah shteti duhet të ndalojë revizionimin e historisë kombëtare sipas interesave të njerit apo tjetrit besim. Një shtrembërim i tillë u nxit sidomos vitet e fundit nga propaganda serbe. Për të përligjur dëbimin e shqiptarëve si banorë të rrënjës (autoktonë) të gadishullit, u bënë përpjekje që teza e autoktonisë të shpallej nacionaliste, ose të zëvendësohej nga teza e ardhjes dhe vendosjes së shqiptarëve në Kosovë prej perandorisë otomane. Kjo gënjeshtër serbe përkon me tezat e disa islamistëve arabë e shqiptarë sot./
***
Nga Dalip Greca/
Në optikën e prijësit të letrave shqipe, Ismail Kadare, rreshtimi i Shqipërisë në krah të Amerikës dhe Anglisë, vlerësohet si një hap pozitiv dhe në drejtimin e duhur. Rreshtimi i Shqipërisë në këtë krah përkon me interesat madhore të kombit. Nga ana e moralitetit ky rreshtim riprodhon mirënjohjen tradicionale për SHBA-të, të cilat në fillim të shekullit të shkuar kundërshtuan copëtimin e saj dhe në fundshekullin që u mbyll, luajtën rolin kryesor në çlirimin e Kosovës.Unanimitetin e shqiptarëve për të ndërhyrë ushtarakisht kundër Irakut, Kadare e shpjegon me faktin se jo shumë kohë më parë, gjithë shqiptarët, kudo që jetonin, prisnin me ankth ndërhyrjen ushtarake, për t’i dhënë fund masakrave në Kosovë dhe regjimit kriminel serb të Millosheviçit, aq shumë të ngjashëm me atë të Sadam Hyseinit.
Në këtë intervistë Kadare flet me shqetësim për tendencën që vihet re për të mbjellë përçarjen fetare.
Shkrimtari na kujton se formula shqiptare e gjertanishme e vendosjes së kombit mbi tre besimet fetare të tij ka qenë dhe vazhdon të mbetet e vetmja formulë e pranueshme.
Një pjesë të rëndësishme të intervistës e zë mendimi i shkrimtarit për gjuhën kombëtare shqipe….

Si e gjykoni qëndrimin e Shqipërisë në krahun Anglo – Amerikan, në acarimin e sotëm?

Kadare: Mendoj se zgjedhja që ka bërë Shqipëria ka qenë e drejtë. Në raste si ky, zgjedhja politike diktohet nga gërshetimi i detyrimeve morale dhe interesat e vendit, duke përfshirë dhe ato pragmatike. Renditja e shqiptarëve në krahun e Evropës Atlantike (një Evropë që nuk mund të konceptohet e ndarë nga ShBA) përkon me interesat madhore të vendit. Nga ana e moralitetit, Shqipëria riprodhon mirënjohjen tradicionale për ShBA-të, të cilat në fillim të shekullit kundërshtuan copëtimin e saj, dhe në fund të shekullit luajtën rolin kryesor për çlirimin e Kosovës. Ky detyrim moral, për fat të mirë, nuk bie ndesh me interesat kombëtare. Shqipëria është një vend që rrezikohet seriozisht nga terrorizmi, ndaj luftën kundër tij mund ta konsiderojë si luftë të saj dhe për interesat e saj. Nga ana tjetër, miqësia me ShBA-të mbetet faktor i rëndësishëm në të gjitha rrafshet: politike, ekonomike, të së ardhmes së Kosovës. Lidhur me opinionin pothuajse unanim shqiptar, për ndërhyrjen në Irak, unanimitet që ka shkaktuar në rrethe të caktuara një farë habije, për të mos thënë ironi, do të dëshiroja të shtoja se jo shumë kohë më parë gjithë shqiptarët, kudo që jetonin, prisnin me ankth ndërhyrjen ushtarake, për t’i dhënë fund masakrave në Kosovë dhe regjimit kriminel serb të Millosheviçit, aq shumë të ngjashëm me atë të Sadam Hysenit. Kjo ishte një arsye më tepër, për të shpjeguar qëndrimin shqiptar sot. Meqënëse janë të ditura qëndrimet e ndryshme midis anglo – amerikanëve dhe një pjesë të Evropës, lidhur me Irakun, është e nevojshme të ndalemi në një pikë. Për herë të parë në historinë e saj, Shqipëria pati kontakte, probleme dhe drama me shtete të mëdhenj ose aleanca botërore, në gjysmën e dytë të shekullit të XX. Në gjysmën e parë të shekullit problemet sado dramatike të ishin, kishin patur karakter rajonal: acarimi me Italinë, Jugosllavinë, rrallë me Greqinë.
Përpjekjet e Shqipërisë komuniste me atë që mund të quhet “botë e madhe”, kanë qenë, për fat të keq, një koleksion dështimesh nga më të hidhurat.
Nga përvoja e hidhur e “miqësive” ose më saktë kinsemiqësive të kaluara, Shqipëria duhet megjithatë të nxjerrë një mësim themelor. Miqësia e një vendi të vogël demokratik evropian, siç është vendi ynë, s’ka asgjë të përbashkët me sjelljen e sejmenit. Psikologjia e sejmenit karakterizohet nga një ndjekje e verbër ndaj të zot, qoftë edhe kur bie ndesh me interesat e veta. Sejmeni, për t’i bërë qejfin të zot, është gati të armiqësohet me tërë botën. Një bejte e kohës së socializmit: “Jemi lidhur te Stalini,
S’trembemi nga hiç njeri!”
e jepte saktë këtë psikologji poshtëruese. Ajo jepte gjithashtu thelbin e strategjisë antishqiptare të qeveritarëve komunistë. Për hir të besnikërisë ndaj Jugosllavisë në fillim, ndaj Rusisë sovjetike pastaj, ndaj Kinës staliniste më pas, e së fundmi ndaj marksizëm – leninizmit, për 40 e ca vjet Shqipëria komuniste bëri një politikë vetëvrasëse, duke u armiqësuar me gjithë botën e qytetëruar.
Sot, në kushtet e acarimit midis Evropës dhe ShBA, është e nevojshme të kujtohet kjo njollë e së kaluarës sonë. Acarimi evropiano – amerikan i ka vënë në pozitë të vështirë disa vende të kontinentit, sidomos ata të ish – Lindjes, që presin të hyjnë në familjen evropiane. Trysnia dhe shantazhet kundër këtyre vendeve, që renditen përkrah ShBA dhe aleatëve të saj, kanë qenë krejt të pavend dhe zgjuan me të drejtë nervozizëm në këto vende. Antiamerikanizmi që është bërë modë sot, në një pjesë të Evropës, nuk mund të kapërdihet në pjesën tjetër, e sidomos në ato shtete që kanë dalë nga sundimi sovjetik dhe diktatura komuniste. Në këtë grup vendesh bën pjesë edhe Shqipëria. Për këto vende është një trishtim i madh krijimi i aleancave të reja me Rusinë e sotme, kundër ShBA-ve. Për këto vende është e papranueshme ringjallja e antiamerikanizmit, ashtu si gjatë luftës së ftohtë. Antiamerikanizmi ka qenë shtylla mbajtesë e gjithë diktaturave të lindjes. Ai ka qenë programi kryesor i gjithë përkrahësve të stalinizmit dhe gjithë servilëve të Bashkimit Sovjetik në Perëndim. Rikthimi i kësaj nostalgjie sot në këtë zonë të botës është një shenjë shumë e keqe.
Për vizionin e ketyre vendeve, që është edhe vizioni ynë shqiptar, nuk mund të ketë perëndim dhe vlera perëndimore të ndara më dysh. Me fjalë të tjera, të pretendosh të jesh evropian, duke qenë kundëramerikan, është një gjë absurde. E kundërta gjithashtu: proamerikanizmi, në një vështrim të thellë nuk mund të kuptohet si kundërvënie ndaj Evropës. Në këtë pikshikim nuk ka asnjë kundërthënie e aq më pak një qëndrim dyfytyrësh, tek ata vende që, ndërsa mëtojnë të hyjnë në Evropë, nuk heqin dorë nga miqësia me ShBA. Mund të thuhet me plot gojën se qëndrimi i tyre është në logjikën e gjërave dhe se vizioni i tyre për perëndimin është më i saktë se i “Evropës së vjetër”. Për ne perëndimi nuk mund të jetë veçse një botë unike, që duhet të zhvillohet së bashku e të mbrohet së bashku. Pa bërë kompromise morale, pa prekur parapëlqimet e saj, Shqipëria duhet të kuptojë se është në interesat e saj madhore që ky acarim të kalojë dhe që uniteti midis ShBA dhe Evropës të rivendoset sa më shpejt.
-Në Shqipërinë e karakterizuar nga bashkëjetesa fetare jo rrallë ka depërtime të sekteve të ndryshme që përpiqen të ndikjonë dhe të mbjellin përçarjen mes qytetarëve.Ka patur kritika edhe për një farë servilizmi të shtetit dhe politikës ndaj fesë dhe një prirje për të plotësuar çdo kërkesë për ndërtimin e objekteve të kultit vend e pa vend?
Kadare: Është e vërtetë se sot në Shqipëri ka përpjekje për të mbjellë përçarje fetare. Përçarja fetare është konsideruar tradicionalisht në vendin tonë si një mënxyrë, e cila do të vinte në rrezik qënien e vetë kombit, qënien e Shqipërisë. Ka dy shekuj që mëndjet më të ndritura të kombit e kanë dhënë alarmin për këtë rrezik të mundshëm. Ka disa shekuj që populli shqipatr, ai që si çdo popull ka bërë disa herë gabime, për këtë gjë themelore nuk ka gabuar. Toleranca fetare dhe harmonia ndaj feve kanë qënë një nga meritat më të mëdha, meritë për të cilën shqiptarët kanë të drejtë të krenohen.
Për fat të keq, shenjat e sëmundjes po duken tani dhe ato mund të bëhen vdekjeprurëse po nuk u morën masat.
Formula shqiptare e gjertanishme e vendosjes së kombit mbi tre besimet fetare të tij ka qenë dhe vazhdon të mbetet e vetmja formulë e pranueshme.Ajo rrjedh nga logjika e jetës dhe e historisë sonë. Duke qenë kombi një dhe fetë tre, është e natyrshme që çdo problem fetar do të jetë i ndërvarur nga faktori kombëtar. Shqiptari para se të jetë ortodoks, katolik ose myslyman është shqiptar. Kjo kontratë e pranuar pothuaj njëzëri nga populli ynë, nuk duhet megjithatë të na vejë në gjumë. Historia tregon se toleranca, paqa fetare, nuk është e dhënë përgjithmonë. Ajo mund të prishet lehtë, për t’u kthyer në të kundërtën e saj, shembulli i Libanit e dëshmon.
Për të kuptuar më mirë këtë, ne duke u krenaruar me të drejtë për paqen fetare të gjertanishme, duhet të dimë se kjo paqe, përveç logjikës së jetës, është edhe rrjedhojë e një lufte titanike të bërë nga Rilindja kombëtare shqiptare në shekullin XIX. Tabloja nuk ka qenë megjithatë aq idilike saç na pëlqen ta besojmë. Vetë studimi i Rilindjes jep tërë dramaticitetin e gjendjes.
Besimet fetare në Shqipëri, në mos janë vënë drejtpërdrejt në rivalitet me kombin, duke pretenduar përparësinë mbi të, tërthorazi kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë për këtë. Shembulli klasik që vazhdon deri në ditët tona, është nga njëra anë koncepti arkaik i kishës greke, për identifikimin e besimit ortodoks me kombësinë greke, dhe nga ana tjetër, koncepti i islamit radikal, që bën të njejtin identifikim të ballkanasve muslimanë me kombin islam ose arab.
Të dy këto koncepte kanë qënë të drejtuara praktikisht kundër kombit shqiptar, duke u përpjekur t’i shkëputin, në emër të fesë, copa të tëra të tij. Me fjalë të tjera t’i shkëputin qindra mijëra ortodoksë shqiptarë, duke i quajtur grekë, dhe qindra mijëra myslimanë shqiptarë, duke i quajtur turq ose arab. Nën këtë flamur fetar Greqia ende sot vazhdon konvertimin, me trysni direkte, të shqiptarëve në grekë, duke u ndërruar identitetin, madje edhe emrat. Nën këtë flamur nga Kosova u dëbuan në mes të shekullit mbi 300 mijë shqiptarë (çka do të thotë rreth një milion shqiptarë të ardhshëm, domethënë të sotëm) duke u quajtur turq.
Janë këta vetëm dy shembuj, për të kuptuar se çështja e sotme e besimeve në Shqipëri duhet parë në radhë të parë nisur nga interesi kombëtar dhe nga asgjë tjetër. Historia ka treguar se përndezjet e tepruara fetare, dallditë, intrigat, histeritë përfundojnë një ditë kundër kombit shqiptar.
Në këtë vështrim shteti shqiptar ka për detyrë madhore të mbrojë kombin nga ky rrënim, që ka shekuj që vazhdon. Si rrjedhojë e kësaj gërryerje, e këtij genocidi latent, shqiptarët e humbën shtratin dhe peshën e tyre natyrale në Ballkan dhe bashkë me to humbën shumë gjëra.
Shqipëria duhet të mbrojë qenien dhe identitetin e vet me të gjitha ato mjete që përdorin sot vendet demokratike të Evropës. Për fat të keq, një nga mënyrat dinake që përdoret sot në disa vende, për të shkelur mbi interesat kombëtare të vendeve të tjera, është ngatërrimi i qëllimshëm i identitetit me nacionalizmin agresiv.
Shqipëria duhet që pa asnjë kompleks dhe pa fshehur, të vejë interesat kombëtare mbi ato fetare. Për sigurinë e tolerancës dhe të paqes fetare në vend, është e domosdoshme që shteti dhe ligjet e Republikës të ndalojnë çdo veprimtari, ngacmim apo bezdi, të secilit besim kundër tjetrit. Shteti shqiptar duhet të ruajë kështu drejtpeshimin dhe balancën natyrale të tri besimeve, të vendosura prej shekujsh në Shqipëri. Ky drejtpeshim është i njëmendtë dhe nuk është një shpikje poetësh. Të tre fetë kanë të njejtin legjitimitet.
Në këtë kah shteti duhet të ndalojë revizionizmin e historisë kombëtare sipas interesave të njerit apo tjetrit besim. Një shtrembërim i tillë u nxit sidomos vitet e fundit nga propaganda serbe. Për të përligjur dëbimin e shqiptarëve si banorë të rrënjës (autoktonë) të gadishullit, u bënë përpjekje që teza e autoktonisë të shpallej nacionaliste, ose të zëvendësohej nga teza e ardhjes dhe vendosjes së shqiptarëve në Kosovë prej perandorisë otomane. Kjo gënjeshtër serbe përkon me tezat e disa islamistëve arabë e shqiptarë sot.
-Çfarë duhet të bëjë shteti shqiptar që të parandalojë shoqatat me karakter fetar të eksportojnë në Shqipëri, nën mbulesën e fesë, ideologji dhe politika, që bien ndesh me interesat e vendit?
Kadare: Shteti shqiptar duhet të marrë masa që, ashtu si në shumicën dërmuese të vendeve perëndimore, besimet fetare të mos përzihen në politikë. Që shkollat, fondacionet, shoqatat me karakter fetar të mos eksportojnë në Shqipëri, nën mbulesën e fesë, ideologji dhe politika, që bien ndesh me interesat e vendit dhe të njerëzimit mbarë. Që vendet e kultit dhe simbolet fetare të jenë më të tërhequra dhe më modeste, (gjë që është në thelbin e të tri feve të mëdha monoteiste: krishtërimit, islamizmit dhe judaizimit). Që kurrsesi të mos synojnë të konkurojnë dhe aq më pak të vënë në hije institucionet dhe simbolet republikane. Që klerikët të jenë vendës dhe predikimet të bëhen në gjuhën shqipe. Me këtë të fundit lidhet çështja e autoqefalisë së Kishës ortodokse shqiptare, largimi i peshkopit grek dhe rivendosja në krye të saj e një peshkopi shqiptar. Së fundi, Shqipëria duhet të quajë jo të ligjshme hyrjen në çfarëdo lloj aleance me baza fetare, sepse pjesëmarrja në një aleancë të tillë do të jetë një provokacion për dy besimet e përjashtuara, rrjedhimisht një lejim i përçarjes kombëtare. Në këtë kah është e ngutshme rishikimi i anëtarësimit të Shqipërisë në Ligën Islamike, anëtarësimi i nismëtuar nga demokratët dhe heshturazi i miratuar nga socialistët, ndonëse i paratifikuar prej Parlamentit.
Shqipëria nuk duhet të pranojë të identifikohet me kurrfarë cilësimi fetar. Ajo nuk mund të cilësohet as vend ortodoks, as katolik e as islamik, i moderuar ose jo. Propozime të tilla mund të qëllojë të bëhen edhe nga miqtë e saj, për arsye konjukturale dhe me qëllime aspak dashakeqëse, por që mund të kenë përfundime të kundërta. Shqipëria nuk mund të shërbejë si një ekspozitë, si një disneyland, apo një rezervat speciesh të rralla. Vite më parë, Hrushovi, miku dhe pastaj armiku i saj, hodhi tezën që Shqipëria të shërbejë si karrem për tërheqjen e vendeve araba drejt komunizmit. Ne e kemi provuar mbi shpinën tonë se ç’pasoja katastrofike mund të sjellë pasioni për të dhënë shembuj groteskë, si ai i shpalljes së vendit të parë pafe në botë. Të identifikosh vendin me njërën fe është pak a shumë e njejta histori. Në rastin e parë shkeleshin me këmbë të tre besimet e tij, në rastin e dytë, për hir të njërit, shkelen dy të tjerët.
– Në fillim të ndryshimeve që sollën rrëzimin e komunizmit në Shqipërinë e viteve ‘90-të, u fol shumë për kontributin e diasporës në demokratizimin e shpejtë të vendit, por në të vërtetë, edhe sot ai kontribut është simbolik.Çfarë nuk shkon në marrëdhëniet e ndërsjellta mes dy palëve?
Kadare: Pyetja juaj ka lidhje me një problem të ndërlikuar dhe delikat, që tepër rrallë është prekur në shtyp. Edhe kur është prekur trajtimi ka qenë i njëanshëm.
Ka qenë e pritshme që pas 45 vjet izolimi komunist, krahas ngazëllimit, që do të shoqëronte hapjen e kufijve dhe krijimin e kontakteve midis diasporës shqiptare dhe atdheut, do të lindnin edhe keqkuptime të dyanshme. Ishin shqiptarë vërtet të dy palët, por ishin shqiptarë të formuar në rende dhe regjime të ndryshme. Të shumtë ishin ata që mbartnin nostalgji dhe mall. Po të tjerë kishin kujtime të hidhura dhe mllefe.
S’është vendi këtu të analizohet kjo dukuri në mënyrë shterruese. Do të përpiqem të kap disa anë të saj.
Në qoftë se për komoditet shprehjeje do t’i quanim Shqipërinë dhe diasporën dy palë, mund të themi se të dy palët kanë patur iluzione për njëra – tjetrën. Shqipëria ka pritur shumë nga diaspora, kjo e fundit gjithashtu nga atdheu i vet. Iluzionet, ose më mirë gënjimet, vijnë si rrjedhojë e mungesës së njohjes, e mallit, e përfytyrimeve të gabuara që krijon ndarja.
Diaspora shqiptare nuk ishte dhe vështirë se mund të ishte, ajo që në mënyrë naive e mendonte një pjesë të shqiptarëve: e pasur, e mbushur me milionerë, moderne, çudibërëse. Ajo nuk e kishte fuqinë ekonomike ose të lobingut, si diaspora e hebrejve ose e grekëve, për të sjellë vetëm dy shembuj. Investimet që u pritën prej këaj diaspore ishin të kufizuara, në karahasim me reklamën që u bë. Nga ana e vet, Shqipëria nuk e priti këtë diasporë me atë hare që kjo e fundit kujtonte. Shkak për këtë mund të ishte modestia e saj ekonomike, por shkaqe gjithashtu ishin zilitë, mllefet, mbeturinat e mosbesimit komunist: po vijnë për të fituar, për të na shfrytëzuar etj.
Në Shqipëri, si kudo në Ballkan, aq sa i vështirë është mirëkuptimi, aq të lehta janë keqtrajtimet. Mendoj se të dy palët kanë ç’të qortojnë në këtë rast.
Mendoj se ky problem ka lidhje, ose më mirë, fsheh një tjetër problem madhor, që duke qenë i kohës, ka edhe një vazhdë historike: lehtësinë me të cilën shqiptarët revoltohen kundër vendit të tyre. Është një sëmundje e vjetër e një pjese të kombit shqiptar kudo që ai jeton, brenda ose jashtë Shqipërisë. Ngatërrimi i atdheut me regjimin, me partitë, shkrofëtimat dhe mallkimet kundër tij, janë kthyer, për fat të keq, në një lloj sporti kombëtar.
Një pyetje shqetësuese lind në këtë rast. Përse me kaq lehtësi dhe për çdo gjë hidhet baltë kundër atdheut? Përse kaq lehtë lëshohet, nëma dhe fjala e fundit: mos ia pafsha kurrë bojën Shqipërisë! Dhe janë po ata shqiptarë që në vende të tjera respektojnë çdo rregull, i paguajnë taksat çdo vendi, vetëm Shqipërisë nuk duan t’i japin asgjë. Binden kudo, madje shpesh janë edhe servilë, kurse me t’u gjendur përpara zyrave dhe administratës shqiptare, trimërohen e janë gati të rrëmbejnë kazmën për t’i shkatërruar.
Shembull tipik për këtë ka qenë bllokimi verën e kaluar në kufirin grek të emigrantëve shqiptarë që, pas pushimeve të kaluara në Shqipëri, ktheheshin në Greqi. Doganierët grekë i linin ditë të tëra të prisnin në rrugë të madhe, i fyenin me cinizëm, u grisnin pasaportat, i shtynin si bagëtitë e megjithatë, për një habi të madhe, për një habi të neveritshme, këta mijëra shqiptarë, jo vetëm që nuk thoshin gjysmë fjale kundër torturuesve të tyre, por gjithë vrerin e nxirrnin kundër Shqipërisë, e cila në këtë rast, nuk kishte asnjë faj. Dhe si të mos mjaftonin mallkimet kundër vendit të vet, dy hapa më larg në mënyrë servile e puthnin tokën greke!
Këtë hakërrim kundër Shqipërisë e kam vënë re edhe te disa liderë apo intelektualë të Kosovës. Janë gati të takojnë këdo e të marrin udhën për këdo, me përjashtim të institucioneve shqiptare dhe të kryeqytetit shqiptar. Ka edhe gazeta në gjuhën shqipe, që përdorin kundër Shqipërisë një gjuhë prej nepërke. Shprehjet “Boshti Tiranë – Athinë – Beograd kërkon të shesë Kosovën”, ose “Tirana kuislinge”, ose “Shqipëria kuislinge bëhet gati t’i bashkohet Greqisë”! janë të zakonshme në këto gazeta. Gjithkush mund të ketë kritika tepër të rrepta kundër qeverisë shqiptare, kundër partisë që drejton, por askujt nuk i lejohet të mohojë atdheun, për hir të politikës. Tirana nuk është e asnjë partie, por është kryeqyteti ynë i përbashkët. E aq më tepër Shqipëria. Është shkuar aq larg saqë Shqipëria është quajtur diktaturë e fëlliqur, si ajo e Sadam Hyseinit etj. etj.
I gjithë ky helm antishqiptar, që shpërndahet ditë e natë nga vetë renegatët shqiptarë, ka pasoja të rënda për të ardhmen e kombit tonë. Thyerja shpirtërore e një kombi është ajo që shpesh parapërgatit thyerjen e përgjithshme. Populli shqiptar, opinioni i tij, duhet të ngrihet kundër kësaj veprimtarie antishqiptare që po zhvillohet mu në sytë tanë. Si rrjedhojë e kësaj etheje propagandistike, një pjesë e emigracionit shqiptar, si ai që punon dhe jeton në Greqi, ndodhet në një gjendje çoroditjeje. Shtypi shqiptar, duke qenë shpesh në këtë trysni atdhemohuese, nuk i ngre këto probleme. Nuk kam parë ndonjëherë të flitet për faktin e dhimbshëm se si emigrantët tanë në Greqi u thonë fëmijëve :”mos tregoni se jeni shqiptarë!”. Këta prindër të papërgjegjshëm e këto gra me tru të kufizuar, nuk e kuptojnë se, duke i detyruar fëmijët të fshehin identitetin e tyre, bëjnë një krim të rëndë, në radhë të parë kundër vetë fëmijëve. Sepse fëmijë të tillë, që rriten me këtë frikë e këtë mashtrim, nuk mund të jenë fëmijë normalë. Ata do të jenë të gjymtuar psiqikisht, do të urrejnë në fillim prindërit e vet, që i kanë pjellë të tillë, do të urrejnë Shqipërinë, do të urrejnë Greqinë që i ka shtypur, e pas saj do të urrejnë gjithë botën. Prindërit e papërgjegjshëm shqiptarë, duke kujtuar se me atë fshehje identiteti i kanë shpëtuar fëmijët e tyre, në të vërtetë s’kanë bërë gjë tjetër veçse i kanë përgatitur fatkeqësitë. Sepse fëmijë të tillë, më së shumti, janë pre e krimit dhe e burgjeve.
Si përfundim i kësaj drame raciste të kohës sonë, ne kemi mijëra fëmijë që i kanë humbur Shqipërisë e njëkohësisht njerëzimit. (Pjesa e pare e Intervistes ekskluzive, qe Shkrimtari i madh, Ismail Kadare nga Parisi i dha editorit te sek. Shqip te Gazetes Illyria ne Nju Jork në shtator 2003, Dalip Greca, editori i sotem i Diellit. E risjellim me rastin e 80 vjetorit te Lindjes te Shqkrimtarit)
Shenim:Fotografia paraqet nje cast intervistimi te Ismail Kadaresë nga Dalip Greca për TV Kultura Shqiptare në Nju Jork, Shtator 2006, kur Shkrimtari u nderua nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.Në këmbë ish botuesi i ILLYRIA-s Ekrem Bardha, dhe Adem Belliu, president i TV Kultura Shqiptare, duke filmuar. (gazetadielli.com).

Please follow and like us: