Albspirit

Media/News/Publishing

KADARE – TRAGJEDIANI MË I MADH I SHEKULLIT XX

 

ME RASTIN E 80-VJETORIT TË LINDJES/

Xhelal Zejneli
Njëzet vjet pas lufte, i shoqëruar nga prifti, një gjeneral erdhi në malet e nëmura dhe tragjike të Shqipërisë për të kërkuar eshtra. Në misionin e tij kishte diçka nga madhështia e grekëve dhe trojanëve, diçka nga funeralet homerike. Duke kërkuar kocka nëpër grykat plot baltë, i huaji u mposht nga ideja e neveritshme e kotësisë së misionit të tij. Sakaq, kritikët e huaj panë te Kadareja, absurdin e ekzistencialistëve francezë – Sartrit dhe Kamysë. Ndërkaq, në zemërimin e brendshëm të një plake të marrosur vërejtën përroin xhojsian të ndërgjegjes. Romani i parë i tij i cilësua si manifest kundër luftës.
Lëvrues i tregimit, i novelës dhe i romanit, i zhytur në natën e legjendës ballkanike, disidenti kryesor letrar – Kadareja, e krijoi veprën e vet në rrethana të një sistemi tiranik dhe të një ideologjie totalitare.
Për induktimin e të njëjtës ironi ndër lexues me anë të këndvështrimit magjik të jetës, kritikja amerikane Leonie Caldecott thotë se proza e Kadaresë vezullon me realizmin magjik të Gabriel Garsia Markezit. Derisa qëndresa në Kështjellën e rrethuar të kujton Shkretëtirën e Tatarëve të shkrimtarit italian Dino Buxatit, paraqitja artistike e një atmosfere plot intriga mesjetare, si ato te Doruntina, të ngjallë skenat e trishta te Emri i trëndafilit të Umberto Ekos. Labirintet e Tabir Sarajit kritikët i kanë krahasuar me botën e Franc Kafkës dhe me skenat plot ankth të Xhorxh Oruelit në “1984”. Por, sipas kritikut amerikan Richard Eder, Kadare shkruan në një përmasë krejt të ndryshme nga realizmi profetik i Xhorxh Oruellit dhe i shkrimtarit hungarez-britanik, me prejardhje çifute Arthur Coestller-it dhe ndoshta më errët se fantazia profetike e Franc Kafkës. Ai ka dhuntinë e të shkruarit me parabola të një peshe të madhe. Gjeniu i letrave shqipe, thotë studiuesi Robin Smyth, metaforën e tij për ingranazhet e makinerisë totalitare e hedh me shkëlqim dhe saktësi të madhe. Atmosfera shumë e largët në tregime, e pakufizuar në kohë, të përkujton krijimet e shkrimtares daneze Isak Dinesensit (emri i vërtetë Baroness Karen von Blixen), ndërsa “burgu” i pritjes përpara vdekjes së mirëpritur dhe të pashmangshme te Prilli, sipas shkrimtarit Andrew Sinclair, paraqet fatalizëm dhe është kod nderi. Përshkrimet e gjalla të një bote të përshkuar nga makthi, të shpijnë te romanet e kategorisë së parë të shkrimtarit të shprehjes gjuhësore gjermane, me origjinë çifute, të lindur në Ruse të Bullgarisë – nobelistit Elias Canetti.
Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet dhe fenomenet, faktet historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Në Peshën e kryqit, e cila bashkë me Ftesë në studio dhe Nga një dhjetor në tjetrin përbën një lloj trilogjie politiko-letrare, autori zbulon ankthin dhe vuajtjet vetjake gjatë viteve të skëterrës për intelektualët. Është autobiografi e romancierit nën regjimin stalinist, që ia del të botojë veprat e tij, por që asnjëherë nuk është i sigurt për reagimin e gjysmëperëndive të Byrosë Politike.
Preokupim i vazhdueshëm i shkrimtarit, që i ktheu mitet dhe legjendat në realitet, ka qenë edhe fati tragjik i Kosovës. Vepra Krushqit janë të ngrirë (1986) u bën jehonë ngjarjeve shpërthyese të kryengritjes shqiptare në Kosovë, në mars dhe prill të vitit 1981. Vepra është dëshmi artistike sesi autoritetet e Beogradit, kërkesave të shqiptarëve për liri dhe pavarësi, u përgjigjen me përndjekje të ashpra dhe vendosjen e shtetrrethimit.
Romancieri më i shquar i kohës sonë, në të gjithë botën dhe në të gjitha gjuhët, siç e quan shkrimtari dhe kritiku amerikan Bruce Bawer autorin e Spiritusit, i ka dhënë njerëzimit disa kryevepra, si: Gjenerali, Kronikë në gur, Pallati i ëndrrave, Kamarja e turpit, Doruntina, Prilli i thyer, Kështjella, Piramida, Ura me tri harqe, Qorrfermani etj., në disa prej të cilave, stigmatizon me mjeshtri artistike ideologjitë totalitare dhe regjimet diktatoriale, që nga Perandoria e Lindjes, të shtrirë në tre kontinente, deri në Lindjen e Largët. Në shënjestër të veprës kadareane është nacional-socializmi, për të cilin ishte krim të ishe çifut si dhe postulati E drejta është gjithmonë në anën e prijësit. Vepra e tij demaskon përndjekjet, burgosjet, izolimet, torturat në vende e kohë të ndryshme; makartizmin, krimet staliniste të viteve ‘20-‘30 të shekullit XX, Revolucionin kulturor në Kinë, kolonelët e zinj, pinoçetët në Kili, pol potët në Kampuçia, millosheviqët. Demaskimi i njëmendësisë politike dhe ideologjike te Koncerti në fund të dimrit është sulm i drejtpërdrejt ndaj regjimit diktatorial të Shqipërisë komuniste. Mesazhi i veprës së tij tregon se i vetmi demiurg i jetës shoqërore është njeriu dhe shoqëria.
I rrahur në të gjitha dallgët e artit modern, Kadareja bëri histori prej prehistorisë, pa rënë në kundërthënie me gjykimin modern. Vepra e tij, sa ç‘është ushqim shpirtëror, po aq është edhe art sublim.
Me krijimtarinë e shkrimtarit më të shumanshëm të kohës sonë, siç e vlerëson Kadarenë shkrimtari dhe dramaturgu francez, i lindur në Odesë – Alain Bosquet, janë marrë, si kritikët letrarë shqiptarë, ashtu edhe të huajt. Me veprën e tij janë marrë Jorgo Bulo, Dalan Shapllo, Razi Brahimi, Dilaver Dilaveri, Klara Kodra, Xhevat Lloshi, Perikli Jorgoni, Adriatik Kallulli, Alfred Uçi, Pipi Mitrogjorgji, Floresha Dado, Muzafer Xhaxhiu, Abdurahim Myftiu, Moikom Zeqo, Shaip Beqiri, Tefik Çaushi, Injac Zamputi, Shaban Sinani, Emin Kabashi, Bashkim Kuçuku etj. Me veprën e Kadaresë janë marrë edhe kritikët dhe studiuesit nga Kosova. Për shumë kritikë të huaj, fëmija që lindi në qytetin e gurtë, është kalibër i jashtëzakonshëm i artit letrar. Kritikja letrare Shusha Guppy thotë se Kadarenë e kanë krahasuar me Gogolin, me Kafkën, me Oruellin, por zëri i tij është origjinal, universal, e prap me rrënjët thellë në tokën e vet.
Më 2008-2009, kundër Kadaresë u ndërmor një fushatë. Ata të cilët para tridhjetë apo dyzet viteve, në shkrimet dhe në studimet letrare të tyre e ngritën lartë veprën e Kadaresë, tani thonë se ka qenë shkrimtar oborri dhe se i takon realizmit socialist. Krijimtaria letrare e Eskilit shqiptar e dëshmon të kundërtën. Vepra e Kadaresë, këtij tragjediani më të madh të shekullit XX, është sulm mbi diktaturën, tiraninë, despotizmin, qeverisjen autoritare dhe autokratike, ideologjinë totalitariste dhe kultin e prijësit. As edhe si njeri, nuk i ka shërbyer regjimit komunist të pasluftës. Përkundrazi, ai ka qenë më i syrvejuari i pushtetit. Por edhe pushtetarët ia kanë pasur frikën. Aurën e tij ndërkaq dhe veprën me vlera universale, kanë tentuar ta shfrytëzojnë dhe ta prezantojnë në arenën ndërkombëtare si letërsi të shtetit komunist.
Recensione për veprat e Kadaresë janë botuar në revistat letrare më prestigjioze të metropoleve të botës, sikundër që edhe intervistave të tij u është dhënë dritë në gzetat dhe në revistat më me renome të rruzullit.
Vepra kadareane zbulon para Perëndimit dhe mbarë njerëzimit, një botë të re, atë të Ballkanit, mitet dhe legjendat e gadishullit, si vazhdimësi e miteve dhe e legjendave të kohës homerike, nxjerr në shesh fjalën mitike që ngre të vdekurin nga varri, kokat e prera që Tunxh Hatai i dërgon në kryeqytetin e Perandorisë së Lindjes për t’u vendosur në Ibret-Tash, ëndrrat e grumbulluara në Tabir Sarajin misterioz, që t’i përkujtojnë plakat e Dodonës apo orakujt e Delfit në Greqinë e Vjetër, ëndërshpjeguesit romakë, asirë, perësë, mongolë për të parë se nga u vjen rreziku zotave, përpjekjet prometeane të shqiptarëve për të mbijetuar përballë stuhive të historisë,
Që në fillim të krijimtarisë së tij, e quajtën ambasador të kulturës shqiptare në botë. Princi i kombit në letërsi ka botuar rreth pesëdhjetë vepra letrare dhe është përkthyer në dyzet e pesë gjuhë të botës, përfshi dhe gjuhën baske, ndërsa ka mbi 1000 botime në botë. Është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe laureat i shumë çmimeve kombëtare. Më 1996 u pranua anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me çmime prestigjioze për letërsi, si: më 1992 Prix Mondial Cino Del Duca; më 2005 Man Booker Internacional Prize, në Britani; më 2009 Premio Principe de Asturias de las Letras, Spanjë; më 2015 Jerusalem Prize, Izrael që do t’i dorëzohet në hapjen e Panairit Ndërkombëtar të Librit në Jerusalem në shkurt 2016. Më 1 janar 2016 presidenti i Francës ia dha urdhrin Komandant i “Legjionit të Nderit”. Ka qenë kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, sikundër është dhe sivjet, i propozuar nga ASHSH.
Në Shqipërinë e ndodhur në udhëkryq, vepra e më të madhit shkrimtar të gjallë të kohës, siç e quan Kadarenë kritiku francez Guillaume Allary, është një shpresë, një ogur i bardhë për të.

 

Please follow and like us: