Maks Velo bënte piktura moderniste, shante punët e realizmit socialist
Procesverbalet e hetuesisë/Maks Velo bënte piktura moderniste, shante punët e realizmit socialist
Kërkimet në Arkivin e Shtetit të zbulojnë të reja përditë. Kemi gjetur së fundmi këtë dokument, në të cilin lexohet deklarata e piktorit Edison Gjergo, gjithashtu i burgosur, për arkitektin dhe piktorin Maks Velo. Ndër të tjera, përveç njohjes e bisedave të tyre me “ndikim të huaj”, në fund të deklaratës së tij, Gjergo pohon se Velo i kishte shprehur planin për t’u martuar me një franceze, me të cilën shoqërohej asokohe, kur ishte 30-vjeçar. Megjithëse ata ishin miq të ngushtë e askush nuk dyshon në deklaratën e Gjergos, kemi pyetur vetë Velon për këtë marrëdhënie të rrallë për kohën.
Procesverbali në hetuesi i Maks Velos në vitin 1979
Unë hetuesi, Dhimitraq Shkodrani, mora në pyetje të pandehurin Maks Velo, i cili pohoi:
Pyetje: Na tregoni, i pandehur, se me cilët persona keni bërë biseda armiqësore për artin dhe letërsinë?
Përgjigje: Unë, nga viti 1965 jam njohur me Edison Gjergon, që kur ishte student në Institutin e Arteve. Këtë shoqëri me të e kam vazhduar edhe më vonë, pasi ka mbaruar Institutin. Me Edisonin kam biseduar dhe diskutuar si për piktorët, ashtu edhe për rrymat moderne dhe që të dy i kemi përkrahur ato. Me të kam biseduar për piktorë të ndryshëm, si Van Gogh, Matisse, Gogen, Toulouse-Lautrec etj., si dhe për rrymat impresioniste, postimpresioniste; kam thënë që janë të mira sepse në to piktori mund të shprehë mendimet dhe ndjenjat e tij, kurse për realizmin socialist kemi thënë se piktori mendimet dhe ndjenjat e tij i shpreh në mënyrë të pjesshme. Rrymat moderniste të japin më shumë mundësi për të punuar, për faktin se duke përdorur ngjyrën dhe formën në mospërputhje me realitetin, mundet që të krijohen vepra që të kenë vlerë. Po gjithashtu, si unë, edhe Edisoni, kemi vlerësuar piktorin modernist Picasso, duke thënë se ai është një piktor i madh, i cili di të shprehet në të gjitha rrymat moderne…Unë i kam shkuar në studio Edisonit dhe i kam parë punimet e tij që ishin moderniste dhe më pëlqenin, i kam përkrahur ato dhe kam shprehur edhe mendim aprovues për to. Madje, tablonë “Epika e yjeve të mëngjesit’, në diskutimin krijues të ekspozitës, e kam lavdëruar. Po gjithashtu, Edisoni ka ardhur edhe në studion time dhe unë i kam treguar pikturat e mia moderniste, ai i ka pëlqyer, i kam thënë se këto piktura janë me vlerë të madhe, por këta nuk i kuptojnë dhe për këtë nuk i ekspozojnë. Si unë, ashtu edhe Edisoni, kemi biseduar për disa nga piktorët tanë që pikturojnë në mënyrë realiste dhe se ne nuk na pëlqen, kështu p.sh. kemi folur keq për Nexhmedin Zajmin, punët e Foto Stamos, punët e Fatmir Haxhisë etj… Me Edisonin kemi shprehur pakënaqësitë tona për komisionet e ekspozitave, kur ato nuk ekspozonin punimet tona moderniste që ne paraqisnim. Për pikturat që shiteshin në vendin tonë, te dyqani i artit, si unë, ashtu edhe Edisoni, kemi biseduar se këto shiten lirë, pikturat tona i marrin lirë, kurse të piktorëve të tjerë i marrin më shtrenjtë. Po gjithashtu, kemi folur me simpati për shkrimtarët dekadentë si Hemingway dhe Remarque…Procesverbali m’u lexua, thëniet e mia ishin shkrojtur drejt dhe i vërtetoj me firmën time.
Pyetje: I pandehur, vazhdoni të na tregoni aktivitetin tuaj armiqësor…
Përgjigje: Siç kam shpjeguar në procesin e mëparshëm unë, krimin për të cilin jam akuzuar, e kam pranuar. Kam pasur pikëpamje të gabuara në arte dhe konkretisht do ta shpjegoj më poshtë:
Nën influencën e librave, revistave të huaja dhe disa ekspozitave të përpara vitit 1973, unë kam krijuar pikë- pamje të gabuara moderniste në lidhje me pikturën, të cilat vetvetiu i kam pasqyruar në veprat e mia, në skica, në vizatime, pastele, akuarele dhe piktura me vaj. Këto lindën si rezultat i një moslidhjeje nga ana ime me realitetin ose me natyrën, mosstudim aq sa duhet i vizatimit.
Kështu që unë, në shumë vizatime u jepja më shumë prioritet linjës ose raporteve grafike bardhë e zi, sesa brendisë së veprës. Për hir të tyre, kam bërë deformime dhe lojëra që shkuan deri në largimin e plotë nga realiteti dhe punime të disa vizatimeve abstrakte. Prandaj, edhe kur merrja si subjekte tema pozitive nga folklori, në fund ato nuk kishin vlerën që u jep arti realist, prandaj dilnin të cunguara dhe pa forcë artistike.
Disa nga punimet e mia moderniste i thjeshtëzoja aq shumë, sa ikte ideja esenciale e veprës. Në pikëpamjet e mia moderniste ka ndikuar edhe mosnjohja aq sa duhet e vizatimit dhe, duke gjetur si rrugë më të lehtë vizatimin jo të saktë e me deformime, më bënte të kaloja në rryma ekspresioniste, ku ekspresiviteti është primar.
PROCESVERBALI I MARRJES NE PYETJE TE PIKTORIT EDISON GJERGO
Dëshmi
Në Tiranë, më 19.2.1979
Unë hetuesi, Dhimitraq Shkodrani, mora në pyetje Edison Gjergon, i datëlindjes 1939, lindur dhe banues në Tiranë, i pamartuar, me arsim të lartë, profesion piktor, i dënuar në vitin 1975 me 8 vjet heqje lirie për agjitacion dhe propagandë kundër shtetit, me kombësi dhe nënshtetësi shqiptare, aktualisht vuan dënimin në Rep. 313, Tiranë: Dëshmitari u paralajmërua për përgjegjësinë penale që ka në bazë të nenit 202 të K.P. për dëshmi të rreme. Dëshmitari Edison Gjergo Dëshmitari u pyet rreth çështjes dhe deklaroi: Unë me Maks Velon njihem qysh kur kam qenë student në Institut. Unë isha student i ditës, ndërsa Maksi vinte e mësonte si student i jashtëm e këtu takoheshim me njëri-tjetrin dhe jemi njohur.
Nga viti 1968-69 kemi krijuar njëfarë miqësie me njëri-tjetrin dhe ai më ka ftuar në studion e tij. Unë në atë kohë kisha mbaruar shkollën dhe punoja piktor në Kombinatin e Tekstileve. Siç shpjegova më lart, unë kam shkuar vazhdimisht te studioja e Maksit, ai më ka treguar punët e tij që ishin moderniste me ndikime të huaja.
Në atë kohë unë punimet e Maksit i kam parë dhe më kanë pëlqyer, madje, si rezultat i punës propagandistike që bënte Maksi me mua, unë kam rënë nën ndikimin e tij dhe kam bërë edhe vetë piktura moderniste, për të cilat jam kritikuar dhe jam futur edhe në burg.
Kështu, më kujtohet në vitin 1971-1972 duke qenë në studion e tij, Maks Velo më ka lexuar libra, ishin disa citate të nxjerra nga piktorët modernistë, si Picasso, Van Gogh, Chagall, Matisse etj., ku thuhej “piktori duhet të shprehë në pikturat e tij botën individuale, ndjenjat e tij, pasionet e tij dhe nuk duhet që të shprehë realitetin objektiv”.
Për këto gjëra më ka folur Maksi, ai më lavdëronte piktorët e mësipërm, duke më thënë se ata janë të mëdhenj dhe ne duhet që të mësojmë nga ata, t’i kopjojmë ata. Pikturat e tyre kanë vlerë të madhe artistike.
Maksi në studio kishte edhe albume, ku kishte vepra të këtyre piktorëve modernistë. M’i ka treguar edhe mua dhe më ka dhënë mësim për t’i kuptuar ata. Po kështu në studion e tij kishte ekspozuar shumë piktura me shije moderniste, më kujtohet se ka qenë një pikturë me një fshat dhe me vorreza, pikturë tjetër ishte me disa vullnetarë me veshje kombëtare për të transformuar, sipas influencës dekadente. Për këto piktura që kishte bërë, ai më ka thënë se këto janë piktura me të vërtetë me vlera artistike dhe me shije në përshtatje me kohën.
Maksi më thoshte se unë punën time e kam mbështetur te piktorët modernistë të ditëve tona, si Picasso, Chagall e Matisse, të cilët sot janë baza e pikturës dhe në rrugën e tyre duhet që të ecin të gjithë piktorët, ndërsa këtu në vendin tonë, këta të komisionit, nuk m’i pranojnë punimet e mia për shkak se shkalla e njohjes së tyre është e tillë, që nuk i kuptojnë. Këtu lejohen të ekspozohen piktura që nuk kanë vlerë artistike, që janë pa shije, që nuk janë të kohës, prandaj niveli i ekspozitave në vendin tonë është i ulët dhe piktura jonë ka mbetur mbrapa.
Dua të shtoj se edhe Maksi ka ardhur në studion time dhe duke diskutuar rreth pikturave të mia dhe për tablonë “Epika e yjeve të mëngjesit”, e ka pëlqyer e më ka thënë se kjo është punë e mirë e ka vlera artistike dhe duhet që të ecësh në këtë rrugë, kurse në fakt ajo ishte një punë moderniste dhe që është kritikuar.
Maksi më ka thënë se ti duhet të vazhdosh rrugën e pikturave moderniste, kurse për pikturat e mia të realizuara sipas realizmit socialist, m’i ka sharë. Ai më ka thënë se veprat e realizmit socialist janë skematike, piktori nuk shpreh atë që ndjen, por atë që i diktohet e për rrjedhojë nuk kanë vlera artistike.
Po gjithashtu, Maksi më ka thënë se pikturat e realizmit socialist nuk kuptohen nga e gjithë masa, por nga disa persona, kurse pikturat moderniste kuptohen nga e gjithë masa për faktin se piktori shpreh ndjenjat e tij. Më kujtohet se Maksi më ka thënë se piktorët jashtë shtetit punojnë sipas qejfit, pikturojnë çfarë dëshirojnë, ata kanë një liri veprimi të pakufizuar, kurse këtu te ne duhet që të jesh i angazhuar rreth vijës politike, përndryshe nuk ekspozohen punimet e tua.
Më ka thënë se piktorët e sipërpërmendur janë milionerë, kanë shumë të ardhura, veprat e tyre shiten me çmime përrallore, kurse këtu te ne, veprat tona shiten shumë pak dhe nuk është si jashtë shtetit.
Unë di se Maksi ishte njohur me një vajzë franceze, e cila kishte ardhur për studime dhe më ka thënë se dua që të martohem me të e për këtë do të bëj një lutje, por më vonë më ka thënë se nuk u bë ajo punë. Procesverbali m’u lexua, thëniet e mia ishin shkrojtur drejt dhe i vërtetoj me firmën time…
ANI JAUPAJ