Albspirit

Media/News/Publishing

NATO sugjeron që Kosova të bëjë FAK-un me ndryshime kushtetuese jo vetëm me ligj

 

Kreu kosovar i ekzekutivit, Isa Mustafa, ka thënë se do të punohet fuqishëm në transformimin e Forcave të Sigurisë të Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës dhe në përplotësimin e kushteve, njëherë të bashkëpunimit më të ngushtë me NATO-n dhe pastaj të anëtarësimit në NATO.

“Ky tash është edhe objektiv themelor i cili neve na mbetet në këtë periudhë”, ka thënë Mustafa, përcjell Koha.net. “Sa i përket kushteve ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet tona, e kemi përgatit ligjin, i kemi përgatit ndryshimet kushtetuese dhe çdo gjë është në rregull, por duhet të punojmë më shumë me pakicat që ta fitojmë përkrahjen e tyre dhe votën e tyre në Kuvend, sepse duhet të sigurojmë 2/3 e të gjithë deputetëve dhe 2/3 e pakicave si kriter kushtetuese, të cilën gjë duhet ta bëjmë edhe me një përkrahje më të madhe të komunitetit ndërkombëtar, sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkrahje e cila është prezentë, por e cila në këtë moment duhet të adresohet edhe ndaj palës tjetër, e cila deri më tani e ka penguar këtë proces”, ka shtuar më tej ai.

Mustafa ka thënë se “në të gjitha takimet që kemi pasur në NATO, unë vitin e kaluar me sekretarin e NATO-s dhe përfaqësuesit tjetër të NATO-s, na kanë bërë të ditur se ky transformim duhet bërë duke ruajtur pajtimin i cili është arritur deri më tani dhe sugjerimi është që të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese dhe jo vetëm përmes Ligjit mbi Forcat e Armatosura”.

Please follow and like us: