Albspirit

Media/News/Publishing

Papa: Të qenët migrant nuk është krim


Papa Françesku

Papa Françesku i ka bërë thirrje Evropës që “të shembë” muret e ndërtuara për të penguar migrantët dhe të krijojë një “ekonomi sociale” që u shërben të gjithëve.

Papa ka thënë se ai ka ëndërrur një Evropë ku “të qenët migrant nuk është krim”.

“Evropa duhet të respektojë të huajin, migrantë dhe njerëz nga kultura të ndryshme dhe të ndjekë obligimin moral për të ndërtuar një sistem të ri ekonomik, me vende të punës, të paguara mirë, sidomos për të rinjtë tanë”, ka thënë Papa.

Duke kujtuar themeluesit e Bashkimit Evropian, si Robert Schuman dhe Alcide De Gasperi, Papa Françesku ka thënë:

“Sot, më shumë se kurrë, vizioni i tyre na frymëzon për të ndërtuar ura dhe për të shembur mure”.

Papa i ka bërë këto komente në Vatikan pasi i është dhënë çmimi prestigjioz Charlemagne, për përpjekjet e tij për të promovuar paqen globale, mirëkuptimin ndërkulturor dhe unitetin evropian.

Në këtë ceremoni ka folur edhe presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schultz, i cili u ka bërë jehonë komenteve të Papës.

“Evropa po përballet me një sfidë historike, sa i përket çështjes së migrantëve. Në asnjë moment, që nga Lufta e Dytë Botërore, nuk ka pasur kaq shumë njerëz që janë larguar si sot. Por, populistët janë duke luajtur lojë të pistë. Ata nuk kërkojnë zgjidhje, por nxisin frikë. Frika mund të jetë e kuptueshme, por nuk është këshilltare e mirë në politikë”, ka thënë Schulz.

Vitin e kaluar, mbi një milion veta, shumica të ikur nga lufta dhe varfëria në Lindjen e Mesme, kanë arritur në Evropë.

Disa vende evropiane kanë mbyllur kufijtë ose kanë ngritur gardhe me tela për të penguar hyrjen e migrantëve.

https://www.facebook.com/Cerciz-Loloci-444479355625593/

Please follow and like us: