Pse refuzonte Britania t’ia kthente arin Shqipërisë
Libri “Bulevardi Stalin nr. 57”, rrëfimi tronditës i çiftit francez në Shqipërinë e viteve ‘82-89, si pedagogët e parë të huaj në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Udhëtimi i Elisabeth dhe Jean Paul Champseix në Tiranë, kishte impresione tronditëse siç është dhe rrëfimi i mëposhtëm se si ky çift arriti të marrë nga psikoza shqiptare edhe historinë e saj, atë që njihej si politikë e kampit komunist, por në veçanti duke sjellë një dëshmi historie se si e morën këtë në Shqipëri për Enver Hoxhën. Sjellja e kësaj atmosfere në librin që u ndalua të përkthehej, rikthehet me përkthimin e ish-studentes Irena Rambi
Të huaj në Tiranë
Duke u nisur për në Tiranë, ne sigurisht e dinim që do përballeshim me një jetë të vështirë por mendonim se ajo do pasurohej nga kontaktet që do të vendosnim me përfaqësuesit e ambasadave të ndryshme. Duke qenë se raportet private me shqiptarët ishin të pamundura, shpresonim se qytetarët e huaj do të organizoheshin për të mbijetuar dhe për të ndërtuar marrëdhënie pak a shumë normale, por jo, aspak, dhe kjo megjithëse të huajt janë fort të pakët në numër, sepse ka vetëm rreth pesëmbëdhjetë ambasada. Rast i vetëm në botë, as Bashkimi Sovjetik dhe as Shtetet e Bashkuara nuk janë të përfaqësuara: Revizionistët dhe imperialistët nuk e shkelin tokën shqiptare! Përveç Francës, ngjyrat e Evropës Perëndimore mbrohen nga Italia dhe Greqia. Në 1987 vendoset edhe Gjermania Federale. Që të lejohej të vendoste marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë kjo kish pranuar të paguante në mënyrë tepër të fshehtë dëmet e luftës, të cilat nuk u përmendën më zyrtarisht. Ato kishin marrë formën e donacioneve në natyrë, çka do i lejojë Gjermanisë të sigurojë tregje të rëndësishme në Shqipëri. Britania e Madhe nuk është e përfaqësuar sepse mban në kasafortat e saj thesarin shqiptar, rreth 360 milionë franga ar, të vjedhura nga nazistët. Ajo refuzon t’ia kthejë këtë thesar Shqipërisë sepse e mban atë përgjegjëse për dëmet që patën pësuar dy anije lufte të hedhura në erë në kanalin e Korfuzit më 1946-n. Anglezët ishin përpjekur dikur ta destabilizonin regjimin me parashutimin e disa diversantëve, por pa rezultat. Veprimet anglo-amerikane bashkërendoheshin nga spiuni Kim Philby. Megjithatë, bisedimet janë angazhuar tashmë për një pajtim të mundshëm. Lindja përfaqësohet nga Polonia, Rumania, Hungaria, Bullgaria, Gjermania Lindore, të cilës Shqipëria nuk i kërkon dëmshpërblime lufte, dhe Çekosllovakia që konsiderohet si syri i Moskës. Edhe Koreja e Veriut është e përfaqësuar; punonjësit e saj nuk dalin kurrë në rrugë pa stemën e “udhëheqësit të madh” Kim Il Sung mbërthyer në jakë të xhaketës. Në fund, tablonë e mbyllin Turqia, Algjeria, Egjipti, Vietnami dhe Kuba. Kështu, numri i përgjithshëm i të huajve në Tiranë nuk i kalon të treqindat. Përveç Francës së madhe dhe zemërgjerë, e cila i argëton punonjësit diplomatikë me një seancë filmi në javë, ambasadat e tjera dimërojnë. Vetëm Kina i pranon një herë në vit “djajtë e huaj” për t’i mundur paq vendçe në një turne pingpongu.
“Vigjilencë” dhe spiunim
Kur mbërritëm në Shqipëri, na pati habitur shumë mosbesimi që e karakterizonte shoqërinë shqiptare. Kudo mbretëronte një klimë tmerri. Parulla “Vigjilencë”, e kudondodhshme, e yshtte çdo individ të parandalonte sabotimet e mundshme të “armikut të brendshëm”. Sundonte një atmosferë luftarake, e ushqyer edhe nga ndërtimi i një numri të pafund bunkerësh rreshtuar nëpër fshatra, propaganda anti-jugosllave. Spiunimi nxitej dhe shpesh ishte i pranishëm edhe nëpër filmat për fëmijë. Heronjtë e vegjël vëzhgonin me dyshim aktet e individëve ose gjatë luftës, ose pas saj. Ata u shmangeshin makinacioneve dhe shkonin u tregonin partizanëve ose autoriteteve komuniste, për çka përgëzoheshin. As i huaji nuk i shpëton dot kësaj ndjesie të lodhshme. Ai e di se edhe në rrugë nuk i shpëton dot syrit kolektiv dhe se mund të akuzohet për synime dashakeqëse ndaj shtetit shqiptar. Nganjëherë kjo kthehet në estradë. Një ditë, një roje i ambasadës italiane po shëtiste me të shoqen me makinë. E kapi një nevojë e ngutshme dhe e ndaloi makinën në anë të një kodrine me shkurre aq të dobishme në këto raste. Zgjodhi një gëmushë dhe u zbraz. Mirëpo nuk e kishte marrë parasysh vigjilencën shqiptare, e cila ushqen parullat e kudondodhura si të ishte një urdhëresë fetare hyjnore. Disa fëmijë të vegjël, të ushqyer me seriale plot spiunë, menduan se më në fund u kishte ardhur dita për t’u bërë heronj të socializmit dhe se do të thyenin kushedi ç’plan të mbrapshtë të armikut të huaj. Lajmëruan disa ushtarë që po kalonin atypari, çka nuk ishte aspak e vështirë sepse këta i gjeje pak a shumë kudo, dhe të gjithë bashkë po e prisnin italianin e pabesë që po vinte kodrës teposhtë. E pyetën se çfarë kishte bërë mirëpo ky nuk dinte shqip dhe u nxitua të futet në makinë për t’u larguar. Ushtarakët rrethuan makinën, e kërcënuan dhe e detyruan të dilte nga makina për t’u shpjeguar. Përpjekja e tij për të ikur i kishte nxehur ca më shumë gjakrat: Nuk kishte më dyshim se diçka po luhej aty. Italiani i pafat e kuptoi më në fund se çfarë kërkonin dhe nuk deshi të tregonte me shenja aktin e dobishëm që sapo kishte kryer. Duke ditur se një numër i madh shqiptarësh e flasin italishten, u rrek t’u shpjegonte në gjuhën e Dantes se për çfarë i ishin dashur ferrat. Ushtrisë popullore iu shqyen sytë nga zhgënjimi. Mirëpo ngelej edhe një “fishek” në mes, mos vallë ky kishte gënjyer? Atëherë iu kërkua të tregonte faktet. Biri i ujkonjës e ndjeu dinjitetin të plagosur dhe i dërrmuar sa s’ka më, iu ngjit kodrinës përpjetë, i ndjekur nga ushtarët në radhë. E gjeti gëmushën në fjalë dhe u tregoi të gjithëve provën e padiskutueshme të pafajësisë së tij. Këto lloj incidentesh nuk ndihmojnë në afrimin e popujve, po t’i besojmë tonit me të cilin na u rrëfye incidenti në fjalë. Familja është streha e vetme ku njeriu është i sigurt se nuk do e spiunojnë. Aty mund të bëhet shaka, të dëgjohen ose të shihen emisione të huaja. Maska që mbahet në shoqëri bie. Fëmijët, të adhuruar prej prindërve, luajnë një rol themelor sepse e gëzojnë shtëpinë dhe u japin prindërve mundësinë e vetme për të ushtruar përgjegjësitë e tyre. Këtë tablo e errëson hyrja e fëmijës në klasë të parë sepse aty ai i nënshtrohet një katekizmi të fortë dhe ndodh t’u kundërvihet prindërve. Në këtë rast, shqiptarët thonë që fëmija “është nën ndikim”. Shtëpia ka karakter familjar dhe, përveç festave si p.sh. fejesa apo martesa, nuk organizohen pritje. Fëmijët luajnë jashtë, burrat bisedojnë në kafene dhe të rinjtë bëjnë xhiro. Studentët konviktorë pohonin se nuk e kishin shkelur kurrë pragun e shtëpisë së tiranasve. Kur dikush do të takojë një person jashtë familjes së vet, e thërret nga jashtë dhe pret që ky të dalë në dritare. Arkitektura e shtëpive private si në qytet si në fshat është shumë domethënëse. Mure të larta prej tullash e izolojnë shtëpinë dhe e mbrojnë atë nga shikimet e kureshtarëve. Shpesh, kur konsiderohet se muri rrethues është tepër i ulët, ai lartësohet. Në fshat, shtëpitë janë të rrethuara me gardhe kallamash. Kolegët nuk shkonin te njëri–tjetri dhe studentët mbanin me profesorët një distancë të çuditshme. Një studente vinte shpesh t’i tregonte Elizabetës trishtimin se ishte ndarë nga fëmija e saj që jetonte me të gjyshen në provincë, dhe qahej se nuk i fliste dot askujt për këtë megjithëse nuk ishte e vetmja në këtë rast. Disa të tjerë vinin të bisedonin me ne për filma apo pjesë teatrale që i kishin parë, por për të cilat nuk donin të flisnin me shokët e tyre sepse nuk kishin besim. Disa të tjerë, tashmë “intelektualë”, konstatonin me një lloj trazimi plot ankth se mjedisi i tyre familjar, sidomos kur ishte me origjinë modeste dhe pak i shkolluar, nuk ishte më për ta mjedisi i ëndërruar, por megjithatë asgjë tjetër nuk ia zinte dot vendin. Kjo mungesë e çimentos shoqërore është ideale për regjimin. Mosbesimi i lashtë i shpirtit klanor që e sheh tjetrin si të huaj, i siguroi regjimit një rehati të madhe sepse kështu nuk mund të krijohet as edhe embrioni më i vogël i ndonjë shoqate apo sindikate.