Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA “ashpërsohet” në Athinë

Shqetësim ka shkaktuar sipas mediave vendase tek Athina zyrtare, ndërrimi i parakohshëm i Ambasadorit Amerikan në kryeqytetin grek. Një vit para se të plotësonte detyrën e tij në Athinë, David D. Pearce largohet, pasi sipas burimeve diplomatike, nuk ka dhënë informacione të plota për zhvillimet politike dhe ekonomike në Greqi dhe i lë vendin Geoffrey R. Pyatt, i cili ka qenë së fundmi ambasador në Ukrainë.

Si një diplomat me përvojë, por i ashpër, karakterizohet nga e përditshmja Kathimerini ambasadori i ri amerikan. “Alarm në Athinë”, është titulli i portalit “Lefimerida” ,ndersa edhe “Eleftheros Tipos” e konsideron atë një “diplomat të vështirë”.

Ai merr detyrën në një moment delikat për Greqinë, kur çështjet e krizës së refugjatëve, të marrëdhënieve greko-turke dhe kriza ekonomike mbeten të hapura. Sipas analistëve grekë, ai nuk ka frikë të thotë atë që mendon dhe ndërhyn shpeshherë në politikën e vendit ku shërben, duke kaluar kufijtë diplomatikë.

Geoffrey Pyatt ka filluar karrierën e tij diplomatike në vitin 1990 në Honduras, e më pas fillon rritja në detyrë duke kaluar në Indi, në Vjenë në Organizmin Ndërkombëtar të Energjisë Atomike, në zyrën e Çështjeve të Azisë Qendrore dhe Jugore, për të përfunduar në Ukrainë në momentin e krizës me Rusinë, ku ka dalë kundër ish-presidentit Viktor Janukoviç.

Gjatë kësaj krize ai u bë i njohur pasi ishte bashkëbiseduesi i zv.sekretares së Departamentit të Shtetit, Viktoria Nuland me të cilën në një telefonatë ndajnë zhgënjimin për qëndrimin joharmonik të Brukselit në politikën e Uashingtonit ndaj Kievit, bisedë  që u publikua në Youtube dhe ku zyrtarja amerikane degjohet të thotë: Në djall BE (Fuck the EU).

Pyatt ka lidhje të ngushta me zonjën Nuland, e cila për disa vite ka përgjegjësinë  e politikës së jashtme amerikane për Mesdheun Lindor.

Please follow and like us: