Mot i vështirë për homoskeskualët në Shqipëri
Protesta e dytë kundër homoseksualëve në Lezhë
“Në protesta derisa Klodi të largohet nga Big-Brother”. Për herë të dytë brenda 1 jave, banorët e Lezhës, kryesisht të rinj, u ngritën kundër kandidatit të reality-shoë, i cili deklaroi publikisht prirjet e tij homoseksuale. Këtë herë, grumbullimi i tyre nuk ishte spontan, por i organizuar, madje është marrë leje në polici për zhvillimin e një tubimi njëorësh. Ndonëse ishte lajmëruar për në orën 17:00 ajo nisi me disa minuta me vonesë. Fillimisht janë mbledhur rreth 50 persona. Ky grupim është ndaluar në sheshin në qendër të Lezhës për të vazhduar më tej në rrugën kryesore të qytetit. Grupit të parë iu bashkuan të rinj të tjerë, duke e trefishuar numrin e pjesëmarrësve. Të gjithë bashkë kanë nisur të thërrasin në kor: “Hiqe, hiqe Klodin!”, duke shtuar dhe shprehje që në të shumtën e rasteve ishin ofenduese. “Ky është një turp për ne. Nuk e meriton Lezha një përfaqësim të tillë dhe se nëse Big Brother do përfaqësues nga Lezha ne jemi të gatshëm të dërgojmë një tjetër person për të na përfaqësuar”.
Sipas protestuesve Klodi është turpi i Shqipërisë. Ata pohuan se do të vazhdojnë të reagojnë në këtë mënyrë, derisa Klodiani të dalë nga ky format televiziv. “Ai nuk duhet të vijë në Lezhë, se ne nuk do e lejojmë më të hyjë në këtë rreth”, kanë kërcënuar ata. Rreth orës 18:20 ka qenë shefi i komisariatit të Policisë së Lezhës, Asllan Shyti, ai që ka ndërhyrë duke u kërkuar protestuesve që të largoheshin nga sheshi pasi afati kohor i lejes për protestë kishte mbaruar. Protestuesit janë shpërndarë qetësisht më pas, ndërkohë që forca të shumta policie i kanë shoqëruar ata gjatë protestës dhe në momentin e shpërndarjes. Sipas pjesëmarrësve, kjo protestë ndoshta nuk do kishte filluar thjesht pas deklarimit të Klodian Çelës se ai kishte prirje homoseksuale. Ata tregojnë se gjithçka nisi kur ekipi i Besëlidhjes ishte sulmuar me fjalë në qytetin e Lushnjës. Një grup banorësh i kishte fyer lojtarët, duke u thënë se: “Ju homoseksualë, jashtë nga qyteti ynë”. Pas mbërritjes në Lezhë, lojtarët kanë treguar incidentin, i ndodhur pak ditë pas deklaratës së personazhit. Menjëherë, sportdashësit kanë reaguar, duke iniciuar dhe nisjen e protestave masive dhe deklaruan se nuk duan të identifikohen të gjithë djemtë lezhianë si Klodi. Bled Jaku, një nga organizatorët, u shpreh dje, se pas deklaratës së Klodit, ata fyhen vazhdimisht nga moshatarët prej rretheve të tjera. “Jemi kundër fenomenit Klodi, jemi kundër homoseksualëve, pasi jemi shqiptarë dhe nuk kemi pasur kurrë një epitet të tillë. Po kështu, perëndia që ka krijuar njerëzimin krijoi femrën dhe mashkullin për të krijuar njerëzimin. Klodi nuk përfaqëson rininë lezhjane”, tha ai.