Misteret e Kupidit, engjëlli i dashurisë
Duke filluar nga lidhja midis një burri të qetë dhe një gruaje energjike, e deri tek ata që jo vetëm nuk ngjajnë, por as nuk mendojnë njësoj, bota është e mbushur me çifte, që duken sikur nuk shkojnë me njëri-tjetrin. Në fakt, shpesh pyesim veten se si shpjegohet që A u lidh me B dhe jo me C. pëlqejnë shumë njerëz, po ashtu ne pëlqejmë shumë të tjerë, por diçka na çon drejt zgjedhjes finale dhe personit të preferuar. “Zgjedhja” e një partneri nuk varet vetëm nga një faktor, por nga një numër faktorësh, të cilët, në mënyrë të ndërgjegjshme ose jo, influencohen nga memoria e personit, eksperiencat, veçoritë e personalitetit, si dhe ngjarje të ndryshme. Sigurisht, kjo nuk është gjithmonë ajo çka duam të dëgjojmë, pasi akoma jemi të varur nga nocioni i dashurisë romantike, e cila ndodh rastësisht dhe krejt pa e kuptuar. Megjithatë, edhe pse i pranuar nga shumë prej nesh, ky nocion bie ndesh me atë çka psikologët kohët e fundit pohojnë: Të jesh në dijeni rreth faktorëve që na çojnë drejt zgjedhjes së partnerit, nuk e pakëson misterin e rënies në dashuri, por përkundrazi, mund të na ndihmojë për të bërë zgjedhje të zgjuara, ose të paktën të kuptojmë se pse vazhdojmë të bëjmë zgjedhje të gabuara. Ja pse edhe Kupidi, engjëlli i dashurisë, është i portretizuar si i verbër, kapriçoz dhe ngandonjëherë i keq. Alegoria e Kupidit shpreh dukshëm idenë që ne nuk e zgjedhim partnerin, duke u bazuar tek botëkuptimi ynë, por në marrëveshje me një logjike, e cila nuk e merr fare parasysh lumturinë e dy palëve. Një grup vajzash pyetjes rreth zgjedhjes së partnerit të gabuar, përfshijnë në përgjigjet e tyre një galeri meshkujsh dështakë dhe manipulues. Shumë prej tyre dukeshin të predispozuara për të bërë të njëjtat gabime, sikur të ishin të programuara për këtë. Ja pse, ndonjëherë ne mund të mendojmë se po kërkojmë dashurinë, por në fakt ekzistojnë mekanizma të tjerë mbrapa zgjedhjes sonë, siç është nevoja për diçka të jetuar, diçka të re, diçka ndëshkuese, sepse ne meritojmë të ndëshkohemi, ose diçka të sigurt, pasi i frikësohemi dështimit.
Kur ndihesh i kompletuar
Psikologët me “përshtatje të pandërgjegjshme” nënkuptojnë ndjesinë e kompletimit që ndihet kur je i lidhur me dikë. Sipas psikologëve “Të gjithë ne mbartim në vetvete një “dosje” psikologjike, e cila përmban detaje rreth eksperiencave tona dhe gjurmëve që ato kanë lënë” dhe është pikërisht kjo ajo që na çon drejt asaj/atij që zgjedhim për partner. Për më tepër, kjo “dosje” shpesh është e mbushur me frikëra të padeklaruara dhe pasiguri, të cilat fatkeqësisht na çojnë drejt gabimeve. Ndoshta përkufizimi i saktë i dashurisë dhe i rënies në dashuri nuk do të gjendet ndonjëherë. Ky proces mund të mbetet gjithmonë një mister, pazgjidhshmëria e të cilit do të kënaqte të gjithë romantikët. Por e rëndësishme është që çdo gjë të jetë zgjedhja jonë, pa u ngutur apo ndikuar nga situata të ndryshme që më vonë mund të na bëjnë të ndjejmë shenja pendese. Fundja, procesi i rënies në dashuri na jep shpesh të drejtën për të justifikuar çdo zgjedhje, qoftë dhe e gabuar në dukje. Çfarë ndodh më pas, mbetet për t’u provuar. Askush nuk mund ta dijë çfarë do të ndodhë nesër.