Muzika e Anri Salës në “New Museum”
Artisti shqiptar prezantoi veprat e tij në një ekspozitë në “New Museum” në Nju Jork. Bbashkëbisedim për artin me Massimiliano Gioni
Anri Sala një nga emrat më të njohur të artit bashkëkohor të dekadave të fundit, ka qenë i përzgjedhuri i” New Museum”, Nju Jork, për të hapur siparin e ekspozitave për vitin 2016. Më 2 shkurt, Sala ka prezantuar ekspozitën e parë personale në SHBA, dhe pse ka qenë shpesh pjesë e ekspozitave ndërkombëtare, të titulluar “Answer me”, e cila do të vijojë të jetë e hapur për publikun deri më 10 prill 2016. Veprat që dallohen për qasjen e tyre poetike dhe konceptuale, apo hulumtimin mbi muzikën dhe arkitekturën, kanë ardhur përmes instalimeve apo videove të vendosura në tre katet e Muzeut. Kjo është një përvojë e jashtëzakonshme për publikun që do të vizitojë këtë ekspozitë, i cili do të përfshihet në një marrëdhënie jo vetëm mes tij dhe muzikës, por dhe mbi raporte të tjera jetësore që mbartin veprat e Salës. Punët e Salës shpesh përshkruajnë copëza të jetës së përditshme, duke i dhënë ato përmes një roli të dyfishtë, si portrete të shoqërisë ku jetojmë. Në instalimet e tij, Sala tregon se si mund të ndodhë komunikimi jashtë kufijve të gjuhës dhe se si tingujt mund të ndikojnë në mënyrë tonë të perceptimit të kohës dhe hapësirës. Në veprat e tij të fundit, Sala është fokusuar në interpretimin e gjuhës së muzikës klasike. Në New Museum është përfshirë dhe vepra “Ravel Ravel Unravel”, me të cilën ai prezantoi pavijonin francez në Bienalen e 55-të Venecias në vitin 2013. Ekspozita është kuruar nga Massimiliano Gioni, drejtor artistik, Margot Norton, kuratore dhe Natalie Bell, asistente kuratore.
Ekspozita e artistit shqiptar është konsideruar si një ngjarje për botën artistike në Nju Jork. Mediat amerikane kanë komentuar këto ditë përvojën artistike të një artisti që sot konsiderohet ndër më të mirët. Në videot e tij të para realizuar pas viteve ’90, Sala ka përdorur gjininë e dokumentarëve për të rrëfyer jetën nën komunizëm, vendlindjen e tij, Tiranën, duke nxjerrë në pah rolin e gjuhës dhe kujtesës në rrëfimin e historive sociale dhe politike. Që në fillim të vitit 2000, veprat e tij kanë shqyrtuar efektet psikologjike të përvojave akustike, duke përfshirë muzikën dhe tingullin si gjuhë të afta për të evokuar imazhe, për të zgjuar nostalgji ose për të komunikuar emocione. Përmes rrëfimeve delikate pamore, Sala shpesh përshkruan ato që duket se janë copëza të jetës së përditshme dhe vëzhgimet e tij të mprehta që eksperimentojnë me trillimin, luajnë një rol të dyfishtë si portrete enigmatike e shoqërisë. Vendndodhje të pazakonta huazojnë situata në dukje të rastësishme në videot siç janë: Long Sorrow (2005), Answer me (2008), Le Clash (2010) dhe Tlatelolco Clash (2011). Duke evokuar një ndjenjë pezullimi nëpërmjet përsëritjes dhe paqëndrueshmërisë, Sala krijon skena ku protagonistët shfaqen çuditërisht të shkëputur nga mjediset e tyre dhe muzika kumbon si rekuiem për historitë utopike që ndodhen të fjetura nën arkitekturën moderniste përreth tyre. Në veprat e fundit, Sala ka interpretuar kompozime muzikore në instalacione video dhe audio shumëkanalëshe që theksojnë perceptimin e tingullit në lidhje me hapësirat arkitekturore.
Në instalacionin “Ravel Ravel”, janë projektuar në të njëjtën kohë në një dhomë që nuk jehon tingullin, dy interpretime të kompozimit koncert për piano për dorën e majtë në re maxhor nga Maurice Ravel. Sala riorganizon ritmin e çdo performance në mënyrë që ato të luhen si brenda dhe jashtë sinkronizimit për të krijuar një jehonë muzikore, duke krijuar një përvojë paradoksale në brendësi të instalacionit.Dinamika e përsëritjes dhe motiveve retorike dhe kompozicionale në veprat e artistit Sala mbështet idetë e hulumtuara në ekspozitë dhe njeh dialogët historikë të rrënjosur në tërë krijimtarinë e artistit. Ekspozita shoqërohet nga një katalog i ilustruar plotësisht, duke përfshirë kontributet nga Natalie Bell, Tacita Dean, Massimiliano Gioni, Mark Godfrey, Boris Groys dhe Christine Macel. Anri Sala lindi në vitin 1974 në Tiranë, jeton e punon në Berlin. Ai përfaqësoi Francën në Bienalen e 55-të të Venecias (2013) dhe ka ekspozuar në disa vende të botës për shumë vite, me ekspozita vetjake ku mund të përmendim Haus der Kunst, Mynih (2014); Qendra Georges Pompidou, Paris (2012); Serpentine Gallery, Londër (2011); Contemporary Arts Center, në Cincinnati (2009); Museum of Contemporary Art, në Majamin verior (2008); dhe Fondazione Nicola Trussardi, Milano (2005). Sala ka marrë çmimin Vincent Award (2014), çmim në Benesse Prize (2013), çmimin Art Absolut Award (2011), dhe Young Artist Prize (Çmimi për Artistët e Rinj) në Bienalen e Venecias (2001). Ka marrë pjesë në shumë ekspozita dhe bienale, përfshirë Bienalen në Havana (2015), Sharjah Biennial (2013), Gwangju Biennial (2012), Documenta (2012), São Paulo Biennial (2010), Bienalja e Moskës për Artin Bashkëkohor (2007) dhe Bienalen e Berlinit (2006). New Museum është muzeu i vetëm në Nju Jork kushtuar posaçërisht artit bashkëkohor. I themeluar në vitin 1977, ky muze është qendër ekspozitash, informacionesh dhe dokumentacioni në lidhje me artistë të gjallë nga e gjithë bota. Nga fillimet e tij si zyrë vetëm me një ambient në Hudson Street, në përurimin e ndërtesës së tij të parë në Bowery projektuar nga Sanaa në vitin 2007, ky muze vazhdon të jetë vend i eksperimentimit dhe qendër e artit të ri dhe ideve të reja. Sot (e enjte) artisti shqiptar do të jetë në një bashkëbisedim me drejtorin artistik të New Museum, Massimiliano Gioni, mbi veprat e tij.