Albspirit

Media/News/Publishing

Petro Marko, nder i kombit

Image result for petro marko

Presidenti Moisiu mori pjesë sot paradite në ceremoninë e Dekorimit të shkrimtarit Petro Marko me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Ky përkujtim i 90 vjetorit të lindjes së shkrimtarit tonë të mirënjohur mblodhi në Teatrin Kombëtar familjarë, miq të shumtë, anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve, artistë, deputetë, gazetarë, etj. Poeti Xh. Spahiu, mik i shkrimtarit Petro Marko, hapi ceremoninë përkujtimore dhe ftoi z.Moisiu, i cili në fjalën përshëndetëse me këtë rast theksoi: “Nderimin ndaj emrit dhe veprës së tij e ndiej jo vetëm si një detyrë morale si Kryetar shteti, por edhe si një peng shpirtëror, si mirënjohje e një lexuesi të vëmendshëm, që gjithmonë e ka dashur, ka mësuar dhe e ka çmuar lart këtë penë të fuqishme të letrave shqipe”. Presidenti e cilësoi Petro Markon “shqiptar të madh, vepra dhe krijimtaria e të cilit përbën një thesar të çmuar kombëtar. Duke nderuar Petro Markon ne nderojmë kulturën shqiptare në përmasat dhe shkëlqimin e saj më të plotë. Emri i tij është emri i një personaliteti të shquar, të pashkëputur nga fati dhe përpjekjet titanike të atdheut të tij, nga zhvillimet politike, shoqërore dhe letrare përgjatë më se 60-vjetëve”. Duke e vlerësuar njeriun dhe dhe shkrimtarin Petro Marko simbol të luftëtarit të radhëve të para për liri dhe demokraci z.Moisiu nënvizoi se fjala dhe vepra e tij mbeten një shkollë morale dhe trimërie për krijuesit shqiptarë të sotëm dhe të nesërm. Presidenti ravijëzoi figurën e shkrimtarit i cili me armë në dorë “luftoi për lirinë e popujve në Spanjën Republikane, përshkoi malet e Italisë e të vendit të tij si antifashist i vendosur si dhe mbijetoi burrërisht kalvarin e burgjeve dhe internimeve. Si rrallë kush tjetër Petro Marko përballoi me sukses dhe kurajo mbi ndalimin e fjalës së lirë të tij në të tri kohët: para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Luftoi kundër çdo lloj dhune, dhuna plagosi jetën e tij”. Vepra monumentale e autorit të shumë librave gërsheton romancierin e klasit të parë, poetin e ndjeshëm dhe të rrebeluar, gazetarin fjalë mprehtë të së vërtetës, njeriun e çiltër dhe me zemër të madhe; “ky është Petrua ynë, Petrua i viseve himariote, të cilat, si shqiptar i madh, i donte me gjithë forcën e shpirtit. Emri i tij i bën nder letërsisë shqiptare dhe asaj botërore; fjala e tij artistike frymëzon dashuri për vendin, për njeriun, për mbarë njerëzimin” – tha Presidenti Moisiu duke mbyllur fjalën në përvjetorin e 90 të lindjes së Petro Markos. Në vazhdim të ceremonisë Presidenti Moisiu i dorëzoi bashkëshortes së shkrimtarit Petro Marko znj. Safo Marko Dekoratën e Lartë “Nder i Kombit” me motivacionin “Luftëtarit të paepur të fjalës së lirë, atdhetarit të shquar, që gjithë jetën dhe veprën i a kushtoi çështjes së emancipimit shoqëror dhe identitetit kombëtar, shkrimtarit të madh, që zhvilloi dhe pasuroi më tej letërsinë shqipe, duke u bërë një ndër korifejtë e saj”. “Petro Marko një gur në vendin e tij” – dokumentari premier i çfaqur me këtë rast tërhoqi vëmendjen e auditorit me mjeshtërinë artistike të realizmit.

5 dhjetor 2003

Please follow and like us: