Shfrytëzonin kamerieret për prostitucion tek Rruga e Kavajës, arrestohen 2 persona
Seksioni për Trafiqet e Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë ka arrestuar 2 shtetas, ndërkohë që një tjetër procedohet në gjendje të lirë me akuzën e “Shfrytëzimit të prostitucionit”, “Mbajtjes së lokaleve për prostitucion” dhe “Prostitucionit”. Burime nga policia e kryeqytetit bëjnë me dije se janë vënë në pranga Z.M, 61 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprat penale “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Mbajtjes së lokaleve për prostitucion” dhe F. Ç, 40 vjeçe, banuese në Tiranë. Gjithashtu iu referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tirane në gjendje të lirë për shtetasen V. B, 47 vjeç, banuese në Tiranë. “Shtetasja Z. M, në lokalin e saj në rrugën e “Kavajës”, kishte punësuar si kamariere dy shtetaset V. B dhe F. Ç., dhe i shfrytëzonte për prostitucion duke i siguruar klient të ndryshëm dhe merrte pagesë nga këta të fundit për këtë veprim të kundërligjshëm. Kjo shtetase kishte vënë në dispozicion lokalin e saj për ushtrimin e prostitucionit nga dy të punësuarat”, sqaron policia. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale të “Prostitucionit”, “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Mbajtjes së lokaleve për prostitucion”.