Albspirit

Media/News/Publishing

“Diplomacia dhe Holokausti”, aktivitet për nder të tre vendeve që shpëtuan jetën e mijëra hebrenjve

Jerusalem-IsraelKomiteti Amerikano-Hebre (AJC), dega në Jeruzalem, organizoi ditët e fundit aktivitetin “Diplomacia dhe Holokausti”,  me përfaqësuesit diplomatikë të 3 vendeve të cilët shpëtuan jetën e mijëra hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore, konkretisht të Shqipërisë, El Salvadorit dhe Kinës.

Ky lajm u publikua sot në rubrikën “Dita e Kujtesës-Holokaustit”, nga gazeta ”Jerusalem Post” me titull “Diplomacia dhe Holokausti”, në kuadër të 5 majit,  Ditës Përkujtimore të Holokaustit,.

Gjatë këtij aktiviteti ambasadorët e këtyre vendeve dhe fëmijët e të mbijetuarve diskutuan për lidhjet e forta që ekzistojnë mes Holokaustit dhe Diplomacisë.

“Falë përpjekjeve diplomatike, mbi 40 mijë hebrej u shpëtuan nga El Salvadori, mijëra të tjerë u shpëtuan nga Shqipëria dhe Kina. Në botën e sotme kur tendencat në rritje të frymës së antisemitizmit janë tejet të dukshme, ne duhet të kthejmë vështrimin prapa dhe të promovojmë vlerat humane që këto vende treguan gjatë Shoah, deklaroi Drejtoresha e AJC, për Jeruzalemin, Avital Leboviç.

Në panel ishin të pranishëm Ambasadori i El Salvadorit, Werner Romero, Ambasadori i Shqipërisë, Bardhyl Canaj dhe i Ngarkuari me Punë i Kinës, Cai Weiming. Moderatori i aktivitetit ishte Jakov Ahimeir.

 

Please follow and like us: