Albspirit

Media/News/Publishing

PD: Mbështesim draftin, por reforma jo në komision

 

Partia Demokratike vlerësoi se drafti kushtetues i mbrojtur nga ambasadorët ka përmirësime në afrimin me standardet ndërkombëtare, por ai nuk zgjidh shqetësimet ende të padakordësuara mes qeverisë dhe opozitës.

Që në fillim opozita i jep fund spekulimeve të dy ditëve të fundit se ajo ka kërkuar kufizim kohor që mbrojnë ish-ministrat demokratë nga hetimet e njësisë antikorrupsion.

Deklarata thotë se nuk është kërkuar asnjëherë nga një përfaqësues i opozitës që subjekt i hetimit të jenë ish-ministrat gjatë 3 viteve të fundit dhe se PD-ja do të kërkojë hetim pa asnjë kufizim të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve.

Partia Demokratike ka listuar të gjitha ndryshimet, që sipas saj pasqyrojnë në draft standardet e propozuara nga opozita 8 muaj më parë; gjithsej 35,  12 prej tyre kanë të bëjnë me komponentin antikorrupsion, që përfshijnë, mes të tjerash,  pavarësinë e qartë të prokurorisë së posaçme antikorrupsion, pavarësinë nga qeveria të asaj që njihet si Byroja Kombëtare e hetimit, si dhe është hequr roli i Kryeministrit në caktimin e vëzhguesve ndërkombëtarë. Pjesa tjetër ka të bëjë me  zgjidhjen e disa shqetësimeve të opozitës për të eliminuar ndikimin e qeverisë tek disa institucione të reja që krijohen në sistemin e drejtësisë.

Megjithatë, Partia Demokratike thotë se mbeten ende disa çështje që kërkojnë zgjidhje politike për të cilat ekspertët nuk mund të bëjnë ndërhyrje për sa kohë nuk ka ende vendimmarrje.

Njëra prej tyre është çështja e kapjes politike të sistemit të drejtësisë nëpërmjet emërimit me 3/5, një kuorum që qeveria e ka aktualisht, e të gjithë funksionarëve të sistemit të drejtësisë.

Partia Demokratike thotë qartë se ky opsion është i pranueshëm për të dhe duke shprehur gatishmërinë  për të pranuar njërën prej formulave të propozuar në opinionin final të Komisionit të Venecias, demokratët thonë se i mbetet mazhorancës të pranojë modelin e propozuar nga ekpertët ndërkombëtarë.

Demokratët thonë se mbështesin në parim ndërhyrjet dhe përmirësimet e bëra, por nuk janë dakord me procedurën parlamentare të propozuar nga mazhoranca. Që do të thotë se nuk janë dakord që drafti kushtetues të hidhet në votim në parim në Komisionin për reformën, sepse kjo do të ishte ekstrakushtetuese.

Opozita thotë se ajo që duhet të ndodhë nga sot e në vijim është vendimmarrja politike për veshjet e pazgjidhura, shqyrtimi nen për nen i amendamenteve dhe paralelisht me to të përfundohen ligjet që shoqërojnë paktën kushtetuese.

Please follow and like us: