Albspirit

Media/News/Publishing

Petrit Malaj i përgjigjet Alfred Pezës: Ju s’doni ta lini tjetrin të jetë as humbës i ndershëm!

Petrit Malaj i përgjigjet Alfred Pezës: Ju s’doni ta lini tjetrin të jetë as humbës i ndershëm!

Kandidati humbës për garën e drejtorit të RTSH, Petrit Malaj, ka reaguar pas zgjedhjeve në Këshillin Drejtues.

Përmes një letre, Malaj i është përgjigjur edhe nënkryetarit të Komisionit të Medias, Alfred Pezës, i cili u shpreh se zgjedhja e Thoma Gëllçit në krye të RTSH u bë me konsensus.

Reagimi i Petrit Malaj

Nuk do të doja të prononcohesha fare për një sfidë të jetës time , garën maratonë 1 vjeçare për drejtuesin e RTSH. Në një garë njëri fiton e kjo mua nuk më shqetëson, por ajo që më bën të shprehem është deklarata e turpshme e një ish gazetari apo ish ushtaraku, sot deputet, se zgjedhja u bë me konsensus! Sa fjalë magjike për këtu tek ne, por aspak e vertetë në rastin konkret! Ku ishte konsensusi? Për cilin konsensus flet ky zotëria, përgjegjësi  për fituesin e kësaj gare ? Konsensusin e votimeve të para , ku konsensusi i opozitës ishte për personin tim edhe pse nuk isha kandidaturë e tyre? Apo për teatrin e fundit, kur pasi u gjet dhe një regjisor e vutë në skenë më shume sukses?! Se ky realitet ka provuar edhe herë të tjera shitblerje dhe të gjithë e dimë fort mirë!

Sa për konsensus zotëri mos e përmend! Se ti mungesën e konsensusit përdore për ndryshimin e ligjit. Të paktën në fund kur e realizoni qëllimin me çdo mënyrë e mjet, e nëse ju ka mbetur pak ndershmëri, mos dezinformoni e shijoni suksesin e kësaj shfaqjeje fares.

Unë nisa prej një viti një garë të ndershme brenda vehtes time, e në mes të saj m’u shfaqën mullinjtë e erës si në veprën e Servantesit, me të cilët u përballa deri ditën e fundit. Ishte vendosur me kohë se çfarë do të bënin me RTSH! Por unë, një burrë  malësor nga babai dhe lab nga nëna, nuk mund ta lija këtë garë në mes. Ndaj do pranoja më mirë të isha një humbës me nder sesa një frikacak që kthehet nga rruga.

Por ju s’doni ta lini tjetrin të jetë as humbës i ndershëm! Ndaj ju them ta harroni fjalën konsensus! Vetëm konsensus nuk kishte.

Njerëzit ju gjykojnë e nuk harrojnë!

Gjithçka shpreha e ndjeva detyrë ndaj vehtes, miqve, kolegëve e gjithë të tjerëve të cilët më kanë mbështetur gjatë kësaj kohe. Ky është vendi ku jetojmë dhe duam apo s’duam ta pranojmë, ky është realiteti. Por jo gjithçka e harrojmë dhe jo gjithçka e kalojmë lehtë, ndaj dhe zhgënjimi dhe turpi që pashë gjatë kësaj farse do të reflektojë në të ardhmen time të të menduarit e vepruarit.

Petrit Malaj

Please follow and like us: