Avioni F-35 lëshon bombën e parë
Avioni më modern i forcave ajrore amerikane, F-35 i prodhuar nga Lockheed Martin lëshoi bombën e parë duke shënuar një fazë të re në planin e testimit të armës që përbën edhe blerjen më të kushtueshme në historinë e Pentagonit, njoftoi agjencia Reuters. Avioni lëshoi një bombë 450 kilogramëshe në oqean pas një ngritjeje të shkurtër dhe që u pasua nga ulja vertikale e avionit të së ardhmes. Kjo qe një nga mijëra testimet që pritet të kryhen para se avioni të fillojë të prodhohet në seri dhe t’i dorëzohet Pentagonit. Deri në mes të viteve 2030 parashikohet që SHBA të blejë 2443 avionë të këtij lloji për forcat ajrore, marinën dhe flotën me një kosto të përgjithshme prej 396 miliardë dollarë. Ato javë avionë të aftë t’i shmangen radarëve dhe do të përdoren jo vetëm nga ushtria Amerikane por edhe ushtritë e disa vendeve aleate. Tetë shtete kanë bashkëfinancuar zhvillimin e kësaj arme, Britania e Madhe, Italia, Turqia, Kanadaja, Australia, Danimarka, Norvegjia dhe Hollanda. Ata do të blejnë disa qindra njësi sëbashku. Izraeli dhe Japonia kanë nënshkruar ndërkohë marrëveshje për të blerë njësi të tjera. Konkurrentët e këtij avioni janë F-18E/F i prodhuar nga Boeing, Gripen i prodhuar nga suedezët e Saab, Dassault Rafale i Francës, MiG-35 dhe Sukhoi Su-35 i Rusisë si dhe Eurofighter Typhoon i prodhuar nga një konsorcium evropian.