Gjenitë në kohën e sotme
Në një episod nga filmi ”Manhattan” i vitit 1979 , me regji dhe protagonist Udi Alen, ky i fundit bisedon në rrugë me të dashurën e një miku të tij, një grua të cilin e kishte njohur disa ditë më parë, dhe që vazhdonte ta përdorte shpesh termin “gjeni”, për të përshkruar njerëzitme të cilët ka shoqëri.
“E dini, që ju njihni shumë gjenij? Unë ju këshilloj që rrini herë pas here edhe me ndonjë idiot, pasi mund të mësoni diçka!”– i thotë ai me shaka. Kriteret e përdorura në bisedat e përditshme, për të përcaktuar si “gjeni” njerëzit që bartin një talent apo një zgjuarsi të veçantë, shpesh nuk janë shumë të sakta, dhe priren të ndryshojnë sipas rasteve dhe konteksteve.
Nga ana tjetër, ka një unanimitet të plotë në përdorimin e këtij termi për një grup njerëzish të jashtëzakonshëm në historinë e arteve dhe shkencës, të cilët i admirojmë dhe studiojmë ende sot për zbulimet, krijimtarinë dhe kërkimet e tyre:nga Johan Sebastian Bah tek Mikelanxhelo, nga Isak Njutoni tek Uilliam Shekspir, nga Aristoteli tek Lui Pastër.
Në listat më pak të diskutueshme të gjenive që kanë ekzistuar në historinë e njerëzimit, mungojnë zakonisht njerëzit që janë ende gjallë apo që kanë jetuar dekadat e fundit. Dhe ky çekuilibër është shpesh një temë debati. Ka nga ata që pretendojnë se kjo ndodh, sepse duhet kohë përpara se një person të mund të njihet unanimisht si një gjeni.
Por ka të tjerë që mendojnë se mungesa e tyre në këtë listë, është një konfirmim të hipotezës se sot nuk ka më shumë gjenij në qarkullim, pavarësisht se ekziston një qasje më e gjerë dhe më e lirë tek dijet sesa në të kaluarën. Ky është një debat i përsëritur në shumë fusha, nga muzika tek shkenca dhe deri tek filozofia.
Në një shkrim të publikuar marsin e vitit të kaluar në “Substack”, neuroshkencëtari amerikan Erik Hoel, e quajti mungesën e gjenive një tipar real dhe “dëshpërues” të epokës sonë. Dhe ai argumentonte se arsyeja kryesore, është dështimi progresiv i një modeli aristokratik të trajnimit dhe edukimit individual, që ishte shumë i përhapur tek njerëzit e dikurshëm, të cilët dot i përkufizojmë si gjenij.
Por shkencëtari amerikan Skot Aleksandër, e kundërshton hipotezën e Hoel mbi mësimin aristokratik, teksa e mbështet pjesërisht idenë se sot ka më pak gjenij sesa në të kaluarën.Hoel u frymëzua nga një reflektim i eseistit dhe gazetari amerikan Taner Grir, që mendon se mungesa e dukshme e gjenijve në kohën tonë, është vetëm një çështje e këndvështrimeve aktuale, që na pengojnë t’i njohim gjenijtë që ekzistojnë sot midis nesh.
Duke cituar librin “Rënia e Perëndimit”, veprën më të rëndësishme të filozofit gjerman Osvald Shpengler, botuar në dy vëllime midis viteve 1918–1922, Grir thekson se Shpengler i përshkroi si figura të rëndësishme historike për njerëzimin, pra gjenitë, shkrimtarët dhe filozofët që vdiqën deri disa vite më parë.
“A ka ndonjë njeri që ka vdekur në dekadën e fundit, për të cilin mund të bësh këtë lloj pretendimi të ngjashëm?”– pyet Grir në mënyrë retorike. Shkrimtarë dhe filozofë si LevTolstoi, Henrik Ibsen, Friedrih Niçe, Fjodor Dostojevski dhe Karl Marksi, që të gjithë të cituar nga Shpengler, kishin vdekur 30 vite më parë ose edhe pak (Tolstoi vetëm 4 vite më parë), kur Shpengler nisi ta shkruante librin në vitin 1914.
Dhe gjykuar nga mënyra se si Shpengler dhe autorë të tjerë shkruan për ta, ata kishin në atë kohë reputacionin të cilin e gëzojnë edhe sot. Nëse gjeniu do të konsiderohej një çështje ngushtësisht gjenetike, shkroi Hoel, fakti që sot nuk ka më gjenij pavarësisht rritjes së popullsisë botërore, do të ishte një dukuri shumë jonormale.
Sipas tij, problemi me shumë gjasa qëndron tek arsimimi. Por debati se cilat shkolla dhe universitete janë më të mirat – në rastin konkret ato që kanë më shumë gjasa të nxjerrin gjenij– është përgjithësisht shumë i diskutueshëm, i njëanshëm si pasojë e paragjykimeve.
Sipas Hoel, faktori i vetëm më i rëndësishëm për ta bërë një person gjeni, ka të bëjë me edukimin. Dhe kryesisht me një metodë e veçantë dhe të njohur në historinë e edukimit aristokratik:mësimdhënie e personalizuar dhe individuale nga një mësues.
Ndonëse nga shumëkush konsiderohet shumë e padrejtë, pasi lidhet me njerëz me pozita shoqërore dhe standarde jetese më të larta, kjo metodologji e mësimdhënies është studiuar dhe përshkruar si më efektive se sa metodat konvencionale në disa studime të viteve 1970–1980 nga psikologu amerikan Benxhamin Blum.
Edukimi aristokratik i marrë nga shumë gjenij të së kaluarës, dhe të cilit i referohet edhe Hoel, ishte megjithatë shumë më i gjerë dhe më i thelluar, se sa format më të fundit të mësimdhënies individuale të studiuara nga Blum.
Detyrat e mësuesit kujdestar në familjet aristokrate nuk kufizoheshin vetëm në mësimdhënien e lëndëve të studimit, por presupozonin një marrëdhënie të vazhdueshme mes mësuesit dhe nxënësit, edhe në orët e lira, por edhe gjatë udhëtimeve me synim shtimin e dijeve.
Hoel përmend shumë shembuj të gjenive, që kanë marrë një edukim të tillë aristokratik.
Ndër shembujt e tij është perandori romak Mark Aureli, që kishte 17 mësues:1 jurist, 8 filozofë, 4 gramatikanë dhe 4 oratorë. Pastaj është edhe një nga rastet më të përmendura të formimit aristokratik, ai i filozofit anglez Bertrand Rasëll.
Ai nuk ndoqi asnjë shkollë deri në moshën 16-vjeçare. Më pas arsimimi iu besua tërësisht një grupi mësuesish privatë, të paguar nga gjyshërit e tij. Por edhe në rastet kur edukimi i gjenive të ardhshëm nuk i besohej tërësisht mësuesve privatë në shtëpi, deri në gjysmën e dytë të shekullit XX-të, tutorët akademikë ishin vazhdimisht të pranishëm në proceset tradicionale të studimit.
Hoel merr shembullin e Çarls Darvinit, natyralistit anglez që zhvilloi Teorinë e Evolucionit, i cili ndoqi shkollën mjekësore në Universitetin e Edinburgut, ndërsa mësoi privatisht taksiderminë përkundrejt një pagese nga Xhon Edmonstoun, një ish-skllav zezak, që e kishte shoqëruar dikur natyralistin britanik Çarls Uaterton në pyjet tropikale të Amazonës.
Por kjo vlen edhe për rastet e edukimit privat jo-aristokratik. Kështu filozofi Karl Marks, u edukua nga babai i tij deri në moshën 12 vjeçare, para se të fillonte të ndiqte shkollënpublike. Apo ai i filozofes Hana Arend, që u rrit në një familje hebreje jo–aristokrate të shtresës së mesme, dhe që u arsimua nga disa rabinë dhe mësues privatë, si dhe nga nëna e saj.
Por hipoteza e Hoel u kundërshtua nga Skot Aleksandër, që e konsideron një argument shumë të dobët për të shpjeguar mungesën aktuale të gjenive. Nëse e pranojmë se të paktën gjysma e gjenive të së kaluarës kanë pasur një edukim aristokratik, me zhdukjen e këtij lloji të formimit aristokratik, duhet të presim një reduktim të dukshëm të gjeneve në qarkullim, por jo një mungesë të plotë të tyre thotë Aleksandër.
Ai jep edhe disa shembujt të kundërt. Isak Njutoni nuk ndoqi shkollën deri në moshën 12-vjeçare, dhe nuk ka asnjë provë që më hefrët kishte marrë mësime private në shtëpi, edhe sepse familja e tij nuk ishte aq e pasur sa ta përballonte atë.
Lui Pastër, i konsideruar si themeluesi i mikrobiologjisë moderne, ishte djali i një lëkurëpunuesi, dhe u rrit në një familje katolike pa ndonjë arsimim special, përpara se të niste shkollën fillore në moshën 8-vjeçare. Edhe Volfgang Amadeus Mozart u mësua kryesisht nga babai i tij, një violinist i shkëlqyer, ndërsa që në moshën 6–vjeçare konsiderohej një fëmijëgjeni.
Ky lloj trajnimi muzikor nga një prind apo një pjesëtar tjetër i familjes, thekson Aleksandër, është shumë i përhapur edhe sot. Çështja e mungesës së dukshme të gjenive sot, ka lidhje me shumë aspekte të tjera, më të rëndësishme sesa faktori i vetëm i identifikuar nga Hoel me edukimin aristokratik apo në përgjithësi me arsimimin individual.
Ekspertët Lup Kenon dhe Rohit Krishna, kryen pak kohë më parë analizën e 500 gjenive të tëgjitha kohërave, duke zbuluar se në çdo epokë, një lloj i caktuar gjeniu priret të dominojë mbi llojet e tjera. Kështu në kohët para–moderne, mbizotëronin filozofët dhe udhëheqësit ushtarakë, ndërsa në Mesjetë filloi të rritet numri i shkencëtarëve.
Gjatë Iluminizmit dhe në epokën moderne, gjenitë filluan të shfaqen në të gjitha fushat. Dhe nga shekulli XIX e në vazhdim, u bë gjithnjë e më e zakonshme që termi “gjeni” të lidhej me shpikësit dhe sipërmarrësit, nga Tomas Edison tek Henri Ford.
Sot sipërmarrësit gjenialë, janë më shumë sesa gati në të gjitha epokat e mëparshme:nga i ndjeri Stiv Xhobs tek Ilon Mask dhe Bill Gejts. Ideja jonë se çfarë është gjenialiteti në përgjithësi, duket se kushtëzohet nga dukuri kulturore dhe sociale më të gjera dhe më komplekse, të cilat herë pas here ripërcaktojnë kuptimin e kësaj fjale, dhe e modifikojnë ndjeshmërinë e njerëzve në lidhje me figurën e gjeniut.
Marrë me shkurtime nga Il Post – Bota.al