Letërkëmbimi i Sami Frashërit me dijetarët kinezë
Gjatë një vizite në Kinë, në njërën nga kullat e Murit të Madh, miku im prof. Gazmend Shpuza më befasoi. Ai më tha se Sami Frashëri, dijetari ynë i pashembullt enciklopedik, në fundin e jetës ka pasur letërkëmbim me disa dijetarë kinezë. Tema e letrave të tij lidhej me ndikimin e kulturës kineze në krejt Azinë. Në këtë rrafsh duhen bërë hulumtime. Sami Frashëri i ka cituar filozofët e vjetër kinezë. Atëherë unë i thashë Gazmendit, për dorëshkrimin e Sami Frashërit mbi përmendoret arkeologjike të Orhunit (Orkhon-it).
Dija e arkeologjisë, instinkti im i kultivuar tashmë i kërkimeve më kanë lidhur me temat e zbulimit të përmendoreve arkeologjike dhe të shkrimeve të lashta që përbëjnë tempullin e misterit të kulturës dhe të qytetërimit botëror. Kanë mbetur enigmë sepse nuk janë deshifruar akoma shumë shkrime të lashta, ende nuk dihet gjë se ç’përmbajtje kanë disa shkrime të gjetura në Ballkan, në brigjet dalmatike dhe në ishujt e Greqisë që quhen konvencionalisht “shkrime pelazgjike”.
Gjithashtu nuk janë zbërthyer mbishkrimet etruske, që përbëjnë një koleksion të madh, por as mbishkrimet mesape dhe të japigëve, që janë me sa duket shkrimet e vetme të gjuhës ilire të dokumentuara deri më sot.
Po kështu dhe shkrimi linear “A” i Kretës ende nuk është deshifruar. Shtatë pllakat prej bronzi të quajtura pllakat iguvine, zbuluar pranë qytetit Gubio (Iguvio) të Italisë, gjithashtu nuk janë kuptuar se çfarë gjuhe i përkasin. Por ka dhe disa mbishkrime të tjera të gdhendura në përmendore guri që paraqesin një interes shumë të madh filologjik dhe historik.
Figura universale e Sami Frashërit shtrihet dhe përfshin shumë disiplina të dijes. Filologjia klasike dhe etnogjeneza e gjuhëve ka qenë një pasion dhe dëshirë e pamposhtur e tij. Në vitin 1850, vit që është dhe lindja e vetë Sami Frashërit (më 3 qershor), 154 vjet më parë u zbuluan disa përmendore me mbishkrime në shtratin e sipërm të lumit Jenisej, në Jug të Siberisë, të shkruar me një alfabet të paparë dhe të panjohur deri atëherë.
Këto përmendore të shkruara kishin një mjedis arkeologjik të mirëfilltë. Përmendoret e shkruara tërhoqën vëmendjen e shkencëtarëve të kohës. Çuditërisht disa arkeologë, që nga Finlanda erdhën në lumin Jenisej dhe i kopjuan shkrimet e tyre në vitin 1892, por qe e pamundur të deshifroheshin.
Pas disa kohësh në rrënojat e qyteteve Karakurum dhe Karabalgasum në Mongoli u zbuluan disa përmendore akoma më të mëdha. Mbishkrimet e tyre u kopjuan nga dijetarët Hajkel dhe Rablov të cilët i botuan duke ngjallur kureshtje tek dijetarët e tjerë. Arkeologët flisnin për datimet, lashtësinë dhe ekzotikën e këtyre përmendoreve. Por shkrimet kërkonin fushën speciale të filologjisë. Do të ishin gjuhëtarët ata që do të thonin diçka më të saktë ose më të pranueshme. Kështu Wilhelm Tomsoni (1842-1827), linguist danez, profesor në Universitetin e Kopenhagenit në vitin 1896 arriti t’i lexojë këto shkrime dhe i botoi në një libër prej 224 faqesh. Menjëherë shkrimet u përkthyen edhe në gjermanisht. Pati debate dhe mendime të ndryshme për origjinën dhe identitetin e tyre. Por çfarë janë këto përmendore guri? Ato janë bërë dhe ngulur në shekullin VIII në kohën e Gyltekinit dhe Bilgehanit, mbretër turq të asaj kohe. Në këtë lak kohor gjuha e këtyre mbishkrimeve ishte më e pastër dhe e pandikuar nga fjalët arabe dhe persiane, dukuri kjo zotëruese pas islamizimit të turqve.
Wilhelm Tomsoni mendon se këto shkrime janë shumë të rëndësishme dhe të vlefshme për filologjinë turke. Sami Frashëri duke vlerësuar lart rëndësinë dhe lashtësinë e këtyre shkrimeve të periudhës paraislamike i ka studiuar vetë ato. Ruhet edhe sot në Arkivin e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë një kopje e një dorëshkrimi prej 104 faqesh, shkruar nga Sami Frashëri me titull “Përmendoret e Orhunit”, Istambul, 1903. Vepra e Samiut mbi përmendoret e Orhunit akoma dhe sot nuk është botuar.
Në parathënien e këtij dorëshkrimi Sami Frashëri shkruan: “Shkrimi që përmbajnë këto përmendore dhe shumë të tjera që gjenden në Kinë dhe Siberi është huazuar nga shkrimi Pehlevi i gjuhës së lashtë të Iranit, por duke pësuar ca ndryshime dhe duke iu bërë ca shtesa është formuar një shkrim më vete. Ndërsa ky shkrim është shumë më i vjetër dhe më i përsosur. Është për t’u çuditur se, pse turqit e kanë lënë atë dhe morën shkrimin Uigur të futur nga nestorianët e Iranit”. Shkronjat e këtyre përmendoreve janë të ndara dhe të shkruara nga e djathta në të majtë.
Në dorëshkrimin e Sami Frashërit, shkrimet e përmendoreve të Orhunit ai i ka kopjuar me ngjyrë të kuqe, kurse disa shkrime të tjera me shkronja arabe Samiu i ka kopjuar me ngjyrë të zezë kurse përkthimin e tyre e ka bërë me ngjyrë blu. Në dorëshkrim Samiu ka lënë shënime sidomos në pesë faqe të veçanta ku ai përcakton çelësin e zbërthimit të mbishkrimeve. Samiu e ka përfunduar këtë studim prej 104 faqesh më 17 prill 1903.
Studiuesi turk Nexhip Hasimi duke e njohur dorëshkrimin e Samiut ka folur për veprën “Përmendoret e Orhumit” në vitin 1924. Mbishkrimet e këtyre përmendoreve kanë alfabetin e një gjuhe të lashtë iranike, por me shkronja siriane.
Studiuesit e mëvonshëm kanë pasur mendimin se këto përmendore në shkrimet e tyre grafike kanë qenë nën influencën e kulturës së vjetër kineze dhe të hieroglifeve kineze, por studimet përfundimtare kanë treguar se teza e Sami Frashërit për këto monumente është më e vërtetë se alfabetet grafike të Orhunni nuk kanë fare ndikim nga kultura e lashtë kineze.
Kohët e fundit më ra në duar libri me mbishkrimet e plota të Orhunit, botim i autorit W. Radlof, botuar në turqisht dhe anglisht, në vitin 1995 në Ankara. Duke i parë me kuriozitet mbishkrimet lexova përmbajtjen e studimit. Për fat të keq nuk përmendej vepra e Sami Frashërit.
Kjo vepër akoma dhe sot nuk është botuar. Por zbërthimi dhe teza e Sami Frashërit janë të sakta dhe i kanë rezistuar gjuhësisë krahasimtare të kohërave moderne deri në ditët tona. Më është dukur gjithmonë e çuditshme se si Sami Frashëri që në 1903 i ka paraprirë rezultateve, që botohen në vitin 1995. Është e vërtetë që këto mbishkrime hyjnë në historinë e arkeologjisë dhe filologjisë klasike botërore.
Nuk mund të mohohet, se ato mbishkrime nuk kanë asgjë të përbashkët me gjuhën shqipe, por as gjermani Shliman nuk kishte asgjë të përbashkët me qytetin e Trojës, apo me Homerin kur bëri zbulimet e tij.
DISA MBISHKRIME ME RËNDËSI
Fondi i emrave ilirë dhe i mbishkrimeve që lidhen me historinë e lashtë të ilirëve e të shqiptarëve ka ardhur duke u pasuruar nga zbulime të reja arkeologjike. Epigrafisti i njohur francez, Pjerr Cabane, që ka shfaqur interes të veçantë për mbishkrimet e lashta të gjetura në territorin shqiptar, në Kuvendin e Dytë të Studimeve Ilire kumtoi për një emër ilir, me rëndësi për vetë emrin e popullit tonë. Cabane nënvizoi: “Desha të tërheq vëmendjen për një etnikon që figuron në një mbishkrim të Foinikës ARBAIOS (P. Cabanes, “L. ‘Epire”, f. 569-573), në fund të shekullit III, ose në fillim të shekullit II para erës sonë. Emri më duket i afërt me Arba, Arbon, Arbën dhe Albanoi, që Ptolemeu e përmend vetëm pesë shekuj më vonë”.
Dihet se Çabej në hullinë e Majerit dhe të Padersenit, si primare quajnë formën e emrit me “arb”, prandaj në mbishkrimin e Foinikës kemi dëshminë më të stërlashtë të emrit që përfaqëson më pas në përgjithësi ilirët dhe shqiptarët e mesjetës.
Nga ana tjetër, dëshmia e Ptolemeut, i cili shënon në hartën e tij qytetin e emrin Albanopol – qendrën urbane të fisit ilir të albanëve, është e karakterit libror.
Por është zbuluar edhe një mbishkrim, po i shekullit II të erës sonë, te trevat e Dardanisë antike e të botuar së pari në revistën “L’anne epigraphique”, viti 1973, faqe 140, ku përmendet emri i qytetit të Albanopolit.
Mbishkrimi është i shkruar latinisht dhe bën fjalë për dy persona ilirë të quajtur Posis Mestulu e Delus Mucati, banorë të Albanopolit, që i ngritën vetes që në gjallje të tyre monumentin mbivarror.
Mbishkrimi është: “Posis Mes / tulu (f(ilius) Fl(avia) / Delus Mu/cati f(ilia) dom(o) / Albanop(oli) / ipsa Delus / (Viva Posu(it)”.
Në analizën etimologjike të emrave të mbishkrimit theksojmë se Mestulu konsiderohet nga dijetarët si një emër tepër i moçëm, parailir.
Edhe Mucati, sipas A. Majerit, është emër ilir, kurse Delus sipas S. Shashel është parailir.
Në këtë mbishkrim kemi të parën dëshmi arkeologjike një fakt të gdhendur në një monument, ku Albanopoli shënohet qartë dhe pa asnjë dyshim.
Kuptohet, rëndësia e këtij mbishkrimi është shumë e madhe.
Studiuesi francez J. Bosquet, ka botuar një epigramë poetike me katër vargje të një monumenti mbivarror, të shekullit II-të të gjetur në Leshok të Tetovës, në greqisht, ku përmenden edhe personat me emrat ilirë tipikë; Genthiana, Geta dhe Redon. Tërheq sidomos vëmendjen emri Redon, që sot në formën Rodon e gjejmë si emër gjeografik të kepit detar në veri të Durrësit dhe që sipas studiuesve është emri i hyjnisë ilire të detit.
Një studiues tjetër i huaj, T. B., Mitford, në revistën “Byzantion”, 1950, f. 137 ka shkruar për një mbishkrim të shekullit V të erës sonë, ku flitet për një person të quajtur Ilir, emër ky homolog i etnosit të paraardhësve të shqiptarëve të sotëm.
Dëshmitë e mësipërme vendosin lidhje midis ilirëve dhe shqiptarëve.
Përveç tyre, do të vinim në dukje edhe një numër të madh të emrave e të glosave ilire, të zbuluara në Durrës e në pika të tjera të atdheut, që përbëjnë një objekt parësor të studimeve onomastike dhe të ilirologjisë.