Albspirit

Media/News/Publishing

Një robot-arkeolog zbulon misteret e Piramidës së Keopsit

Një robot i vogël me emrin Djedi, prej disa muajsh është shndërruar në një arkeolog të njohur, pothuajse aq sa Howard Carter, i cili në vitin 1922 arriti të hynte për herë të parë në varrin e faraonit të Egjiptit, Tutankhamon. Djedi, në fund të majit që shkoi, u bëri të mundur ‘kolegëve’ të tij arkeologë që për herë të parë pas 4500 vjetësh të ishin në gjendje të shihnin se çfarë fshihet në labirintet më të thella dhe të padukshme të Piramidës së Keopsit, në Egjipt.
E ndërtuar ndoshta si një varr për faraonin me të njëjtin emër rreth 2570 vjet p.e.s, ky monument i madh, akoma fsheh shumë sekrete brenda tij.

Një nga ata që duket se është ruajtur më mirë ka të bëjë me dy galeri të vogla në formë katrore, rreth 20 cm të gjera, që fillojnë nga e ashtuquajtura ‘Dhoma e Mbretëreshës’, dhe zgjaten në veri dhe në jug deri përballë dy dyerve të paeksploruara deri më tani të cilat janë prej guri të dekoruara me doreza metalike.
Dhe pikërisht prania e këtyre elementeve të pazakontë – është hera e parë që zbulohet prania e hekurit brenda një piramide – ka ndezur hipoteza nga më të paimagjinueshmet deri më tani. Disa studiues mendojnë se bëhet fjalën për një derë që të çon në një dhomë të fshehtë dhe të panjohur deri më tani. Ose, shkohet edhe më tej sa të besohet se mbetjet janë pjesë e një sistemi elektronik të lënë në planetin tonë nga alienët…?

Please follow and like us: