Albspirit

Media/News/Publishing

Robokopteri, helikopteri pa pilot në luftë

Pas avionëve pa pilotë, helikopterët po fluturojnë në Afganistan për të dertuar furnizime në betejë

Aeroplanët e luftës pa pilot, të tillë si Predatori dhe Reaper, janë bërë pjesë e njohur e luftës moderne. Por një ushtri është para së gjithash e famshme për faktin që marshon dhe ka nevjë të ushqehet dhe luftërat e saj mund të humben lehtë në rast se mungojnë furnizimet e vazhdueshme, të cilat mund të sjellin rënien e fuqisë së zjarrit. Kjo, kombinuar me rënien e oreksit mes vendeve të pasura për të pranuar humbje njerëzore, ka krijuar kushtet për krijimin e një lloji të ri arme, helikopterit pa pilot që kryen rolin e transportuesit të furnizimeve. Forcat e armatosura amerikane e kanë hapur rrugën dhe tani ekspertët presin të shohin nëse një mjet i tillë mund të përdoret edhe për qëllime civile.

Dy helikopterë pa pilot kanë fluturuar në misione eksperimentale luftimi duke furnizuar me municione dhe ushqime forcat e marinsave amerikanë në zonat e thella afgane. Eksperimenti filloi në dhjetor 2011 dhe pati sukses aq të madh sa afati i zbatimit është shtyrë dy herë deri tani dhe mund të vijojë deri në shtator 2013. Helikopterët në diskutim janë versione të modifikuara të K-MAX, të ndërtuara nga Kaman, një kompani amerikane e mjeteve ajrore. Ato janë përdorur në një sërë situatash ushtarake dhe civile, të tilla si ndërtimi i linjave të energjisë elektrike, si dhe si një lloj vinçi ajror që dërgon mallra në një zonë të largët.

K-MAX është një sinkropter dhe përdor sy sete helikash të ndërthurura dhe të sinkronizuara në mënyrë që të mos godasin njëra-tjetrën. Duket i thjeshtë, por ka një sistem shumë të qëndrueshëm. Rotorët punojnë në të dyja drejtimet dhe janë në gjendje të kryejnë lloje fluturimi të tilla që për helikopterët e tjerë është shumë e vështirë edhe nëse drejtohen nga njerëzit.

Modifikimet për fluturimet pa pilot u kryen në bashkëpunim me Lockheed Martin, një gjigant amerikan i prodhimit të armatimeve. Nga gushti, dy K-MAX në veprim kanë kryer 485 fluturime pa pilot duke transportuar rreth 900 tonë mallra.

K-MAX u zgjodh për shkak se mund të mbajë deri në 2700 kilogramë peshë, pra më shumë sesa vetë pesha e helikopterit pa ngarkesë. Ndryshe nga avionët me krahë të fiksuar, të cilët përdoren me pilotë në distancë një K-MAX i modifikuar fluturon në mënyrë autonome në një destinasion të programuar, duke përdorur sistemin global të pozicionimit. Ai mund të përdoret edhe nga pilotimi në distancë simuluan. Mjeti përdor sensorët, mbi të cilat Lockheed Martin nuk jep informacion. Sensorët i japin helikopterit njohuri mbi terrenin ku fluturon dhe i lejon të ulet edhe në kushtet e errësirës së plotë. Ushtria amerikane është e interesuar për t’i shtuar kamera të sofistikuara për të grumbulluar informacion mbi vendet e uljes dhe për të vëzhguar kërcënimet e mundshme. Kamerat mund ta ndihmojnë të drejtohet helikopteri drejt tokës, si dhe të përdoret për role civile si lufta kundër zjarreve apo misione kërkim-shpëtimi.

Ushtria ka sugjeruar gjithashtu armatosjen e këtij helikopteri me mitraloza që mund të ndihmohen nga kamera për të gjetur objektivin. Aktualisht, K-MAX nuk ka sisteme mbrojtëse, por Lockheed Martin thotë se helikopterët mund të pajisen lehtë me korracë, mitraloza apo objektiva valse që lëshohen për të devijuar raketat që mund të lëshohen nga toka kundër helikopterit. Por këto masa do të zvogëlojnë kapacitetin e tij për transportimin e mallrave.

K-MAX pa pilot e mbart ngarkesën e tij përmes një kablloje 25 metra të gjatë. Helikopterët monitorohen ndërsa udhëtojnë automatikisht drejt një baze në zonë të thellë ku një marins në terren merr komandën përmes një kompjuteri dore për të shkëputur ngarkesën e për të përcaktuar vendin e dorëzimit. Por helikopterët mund t’i dorëzojnë mallrat edhe pa ndihmën e kontrollorëve. Saktësia është me një tolerancë vetëm tre metra.

K-MAX ka një shtesë me katër ndarje, gjë që i jep mundësi të shpërndajë furnizime në disa vende brenda një misioni. Ndërsa besimi rritet, marinsat kanë filluar të eksperimentojnë me teknika të reja. Në maj u krye eksperimenti për lidhjen e ngarkesës, ndërkohë që helikopteri qe sakaq në fluturim.

Shpejtësia më e lartë e K-MAX është vetëm 190 kilometra në orë, por kjo duket e mjaftueshme: helikopteri nuk sëmuret kurrë, nuk lodhet dhe as nuk i bien nervat. Pilotët e helikopterëve janë të paktë dhe kërkojnë shumë vite trajnim. Terry Fogarty, përgjegjës për sistemet pa pilot te Kaman thotë se K-MAX nëse drejtohet nga një pilot mund të arrijë të fluturojë për 12 orë, por kërkon ndryshimin e pilotit. Varianti pa pilot mund të fluturojë shumicën e ditës. Për më tepër, në rast se piloti nuk është i gatshëm të fluturojë për shkak të ndonjë pengese në shikueshmëri si p.sh., një stuhi rëre, versioni pa pilot vijon të fluturojë.

Edhe sisteme të tjera për helikopterë autonomë janë në zhvillim e sipër. Njëri quhet HERMES dhe po prodhohet nga një kompani amerikane për forcat e armatosura. Ai përdor sensorë për të lokalizuar ngarkesën dhe për ta kapur atë automatikisht pa pasur nevojë për asnjë staf në terren.

Pemët, ndërtesat apo linjat e energjisë në zonat e uljes mund të jenë gjithsesi problematike. Por ushtria është në gjendje ta vëzhgojë fillimisht një zonë dhe të identifikojë këto probleme para se të zgjedhë vendin e uljes. Helikopterë të tillë mund të përdoren jo vetëm për të dërguar karburant, municione apo armatime në një zonë lufte, por edhe për të tërhequr të plagosurit nga fusha e betejës.

Ndërkohë, edhe në përdorimin civil ka zhvillime. Një kompani e quajtur Matternet ka planifikuar ndërtimin e një helikopteri të vogël me kapacitet transportues prej vetëm 2 kg që mund të përdoret për të dërguar ilaçe, vaksina apo mostra gjaku në vende të largëta.

Në Gjermani, një kompani e quajtur E-volo po prodhon një makinë fluturimi elektrike të quajtur Volokopter. Ai ngjan më së shumti si një variant i zmadhuar i lodrave për fëmijë, por përdoret me telekomandim dhe në të ardhmen do të mund të përdoret për transport mallrash të rëndësishme në kushtet kur rrugët janë të mbingarkuara apo të bllokuara. Për shkak se është në gjendje të ngrejë pesha të konsiderueshme, ky mjet parashikohet të përdoret për transportimin e viktimave të aksidenteve nëpër autostradat e stërmëdha, transportimi i të cilave sot për sot është i vështirë nga toka.

Please follow and like us: