Albspirit

Media/News/Publishing

Sena, momentet e fundit para vdekjes

22- vjetori i largimit nga jeta të pilotit më të mirë të historisë. Si ndodhi ngjarja në Imola, fajtorët, flasin miqtë e brazilianit

 

Nga Oliver Brown, The Telegraph

Po të futeni në suitën numër 200 të Hotel Castello-s, vendi ku qëndronte Airton Sena, do të shihni që dhoma ka ndryshuar pak që nga viti 1994: aty ndodhet akoma një pasqyrë në formë pikë loti, një radio e vjetër dhe një pikturë e madhe kineze me 4 peisazhe që dominon në dhomën e mjeshtrit.

Më shumë se sa si një varr në varrezat e Sao Paolos, kjo dhomë është kthyer si ‘muze’ i gjërave të Senës, për të cilin këto dy dekada kanë shërbyer për pasurimin e mistikës së idhullit të njerëzve. Pikërisht këtu, 20 vite më parë, kampioni i Formula 1 kaloi natën e tij të fundit gjallë.
Atë natë Sena kishte një sjellje ndryshe, pak të hutuar dhe të çuditshme. Sid Uatkins, shefi i doktorëve sportivë për 26 vjet, kujtoi se si brazilian kishte qarë në shpatullën e tij nga vdekja e Roland Ratzenberger, si pasojë e një përplasjeje me 195 mph në kthesën e Imolas duke shënuar kështu përplasjen e parë fatale në F1në 168 gara. Martin Brundle, i cili qëndronte në një hotel 10 milje larg pistës së garave tha: “E pashë Airtonin teksa kthehej, ishte pak i mërzitur. Folëm pak, por ai nuk ishte i lumtur”.

Askush dhe asgjë nuk mund t’ia përmirësonin humorin Senës. Si zakonisht ai bëri një masazh rikuperues nga trajneri i tij i fitnesit, Josef Leberer. Shkoi për darkë tek Trattoria Rompagnola, në një nga restorantet modeste të Piazza Acquademi. Qëllimi ishte festimi i ditëlindjes së Leberer-it, por asnjë përpjekje për gëzim nuk mund ta fshinte mërzitjen e tragjedisë së pasdites.

Sena ishte i tronditur nga gara e San Marinos.
Para aksidentit të Ratzenberger, Rubens Barrikelo, një mik i mirë dhe patriot me Senën, pësoi edhe ky një aksident të tmerrshëm në xhirot kualifikuese të së premtes, duke u përplasur me gardhin dhe u rrëzua përmbys pa ndjenja. Pas këtyre ngjarjeve që pa, i mbytur në lot, Airton Sena ishte i bindur që me pistën Autodromo Enzo & Dino Ferrari diçka nuk shkonte.
Frank Uilliams, drejtori i ekipit të tij, u përpoq që t’i jepte ndonjë arsye. Ai qëndronte në suitën numër 100, poshtë dhomës së Senës, dhe i la këtij të fundit një shënim në derë që të bisedonte me të pasi të mbaronte darkën me Leberer-in. Luisa Tosoni, pronarja e hotelit si atëherë ashtu dhe tani, kujton: “E dija që atë natë, ai shkoi në dhomën e tij dhe ishte gati për të fjetur. Por më pas zbriti poshtë për t’u takuar me Frenkun, dhe kujtova se do t’i thoshte se nuk dëshironte të garonte sepse dukej tepër i mërzitur nga ajo që kishte ndodhur atë ditë. Kur e shihje atë, të dukej sikur Airtoni ishte njeri i fortë vetëm kur ngiste makinën. Por në të vërtetë ishte një njeri i sjellshëm, i ëmbël, bujar dhe shumë i ndjeshëm”.

Moralisht, Sena ndihej i paaftë për të garuar. Por ai ishte i detyruar të garonte. Problemet me makinën “Williams 94’” , bënë që ai mos të merrte asnjë pikë në Çmimin e Madh të Brazilit dhe Japonisë, duke e lënë 3 herë kampionin e botës të hynte në garat e Europës me 0 pikë.
Shoku i tij i skuadrës Williams, Damon Hill, thotë: “Ishte krijuar një atmosferë e çuditshme edhe përpara se të vinin në San Marino. Makina nuk ishte në gjendjen që ne dëshironim të ishte. Airtoni ishte i shqetësuar sepse nuk mund të nxirrte nga makina aq sa ai mund të nxirrte dhe kishte nevojë. Prandaj ai ndodhej në një gjendje të tensionuar”. Williams arriti një ambicie shumë të madhe duke e marrë Senën nga McLaren-i.

Brundle, shok i Senës për plot 11 sezone dhe si dikush që njihte çdo veçori të karakterit të tij, beson se Senës kurrë nuk do t’i shkonte ndërmend të tërhiqej. “Si një shofer, ti sheh se si njerëzit përplasen dhe vriten”, thotë ai. “Nëse do të kishte qenë i mërzitur ose do të kishte frikë nga kjo, atëherë ai nuk do t’i kishte hipur makinës të dielën.”

Sena e ngushëlloi veten me premtimin që duhet të korrte fitoren e 40-të në garën e Imolas, pistë në të cilën ai kishte fituar tre herë dhe në shenjë nderi për Ratzenberger-in do të ngrinte flamurin austriak. Ai u frymëzua edhe nga një bisedë telefonike me të dashurën e tij, Adriane Galisteu, një modele 21 vjeçare, me të cilën do të takohej mbrëmjen e ardhshme në aeroportin Faro kur Sena të kthehej. Sena u shtri në krevatin e tij të dhomës 200, nëse jo i kënaqur, të paktën ishte i qetë.

Ndërsa agoi në fshatin Romanja, Sena e filloi ditën e garës në qetësi të plotën nën diellin rrezatues të pranverës në fushën e stërvitjes së kuajve me Alen Prostin, i cili u shokua nga vdekja e një figure që e konsideronte armik të përjetshëm.

“Xhiro e nxehjes tregoi se Sena ishte tmerrësisht i shpejtë dhe se morali i tij ishte ringritur”, thotë Hill. Berni Ekleston urdhëroi një minutë heshtje në kujtim të Ratzenbergerit. Gjatë kësaj kohe ankthi e pushtoi Senën përsëri dhe u ul në pjesën e prapme të dhomës duke qarë. Ai ngriti shqetësimet e tij në lidhje me pistën e Imolas, në një diskutim privat me Gerhard Berger dhe Majkëll Shumakerin, i cili më vonë ishte pjesë e Shoqatës së Pilotëve.

“Airtoni ishte thellësisht i shqetësuar”, thotë nipi i tij Bruno. “Ishte e qartë që makinat nuk po funksiononin siç duhej atë fundjavë. Ai e kishte kuptuar që pista nuk ishte e sigurtë në ato kushte”.

Brundle, familjar tashmë me sjelljet e Senës thotë se “ekzistonte një paradoks i madh tek Airtoni. Në dhomës e qendrës mjekësore të Barrikelos, Sena kishte treguar dhembshuri të madhe. Ai është nga ata persona që do të aksidentohej bashkë me ty, ose do të shpëtonte ty nga aksidenti”.

“Unë pata një incident të vogël me të në Monza në vitin 93’, ku ai bëri një gabim dhe më përplasi pjesën e prapme kur ne po luftonim për vendin e tretë. Sapo kuptoi që nuk më kishte ndodhur gjë dhe unë isha në rregull ai vazhdoi garën. Garonte së pari me zemër, dhe së dyti me kokë”. Airtoni nuk ishte budalla, por ishte i bindur që bota ishte kundër tij – në F1 ai mendonte kushdo, përfshirë Jean-Marie Balestre, presidentin e FIA-s ishin kundra tij. Sena e kishte një dhuratë të dhënë nga Zoti aftësinë për të pilotuar përtej limiteve.
Gjatë kohës kur ankthi para garës kishte pushtuar garazhin Williams, Sena dukej më i shqetësuar se zakonisht. Ai filloi ta shqyrtonte makinën plot dyshime. Sipas ish-shefit të tij Betise Asumpkao, Sena sikur nuk donte ta fitonte atë garë.

Nga ana tjetër, shoku i tij i skuadrës, Hill, e interpretonte ndryshe sjelljen e Airtonit: “Nuk ndodhesha pranë tij gjatë asaj kohe. Njerëzit i kishin lënë hapësirë atij, i pëlqente të qëndronte vetëm. Sikur kishte ndërtuar një mur, dhe ishte tepër e vështirë të krijoje një marrëdhënie me të. Isha paksa i tronditur nga fakti që e kisha shok skuadre, por mendoja se do të mësoja shumë gjëra nga ai. Por kjo nuk ishte e thënë”.

Dukej qysh në fillim që Sena kishte disa parandjenja të frikshme të asaj që do të ndodhte. Kur nisi gara, Lotusi i Pedro Lami përplasi pjesën e prapme të të Benettonit të Lehtos. Flamurët e verdhë që valëviteshin, dhe dalja në pistë e Makinës së Sigurisë, e bënë Senën të mendojë se kjo ishte një fundjavë e mallkuar.

Tre përplasje të tmerrshme, një prej të cilave katastrofike: tmerret e ndodhura në Imola dukeshin aq të vazhdueshme sa vështirë të mendohej se ato ishin rastësi. Por në atë fillim gare, këto mendime duheshin lënë mënjanë”, tha Hill. Plani “B” i Senës ishte të vazhdonte përpara. Pas dy garash ai ndodhej 20 pikë larg në kampionat pas Shumakerit, dhe qëllimi i vetëm ishte të ulte avantazhin me gjermanin duke pilotuar përtej aftësive njerëzore dhe teknologjike.

Pista e Imolas ishte më e ndërlikuar se çdo pistë tjetër. Kurba e vështirë e Tamburello-s, kthesa në formë U-je e Tosa-s, një sekuencë e drejtë piste prej 3 miljesh, dhe ndryshime të mëdha në lartësinë e pistës ishin elementë që e bënin atë pistë ndryshe nga të tjerat. Pas rifillimit të garës, Sena po pilotonte në çdo seksion të pistës si një i çmendur. Xhiro e tij prej 1 minute e 25 sekondash ishte kaluar vetëm nga dy pilotë të tjerë në fund të garës – një arritje e jashtëzakonshme, duke qenë se ai kishte goma të buta dhe serbator të mbushur me karburant.

Duke kryesuar me 0.6 sekonda mbi Shumakerin, ai e nisi xhiron e 7 duke u future në kthesën e Tamburellos me një shpejtësi prej 190 miljesh për orë. Uatkins i ulur në makinën mjekësore i tha shoferit të tij Mario Kasoni se “pritej të ndodhte ndonjë aksident nga momenti në moment”. Edhe Shumakeri po ashtu, e pa që makina përpara nuk po përgjigjej siç duhej. Ajo që pasoi ishte një makina e Senës me një shpejtësi të llahtarshme që shkoi drejt zhavorrit e më pas u përplas me murin e betonit.

Shokut të tij të skuadrës, Hill-it, nuk po i besohej që gjithë këto gjëra po ndodhnin njëra pas tjetrës. Ndërsa Brundle, i cili e përfundoi garën në vend të 7 tha se “kthesa e Tamburrello-s ishte kthesë e frikshme, dhe se aksidentet që ndodhnin aty nuk ishin të vogla”. Dhe ky ishte një nga aksidentet më të mëdha. Edhe pse Sena e kishte ulur shpejtësinë deri në 130 mph (milje për orë), përplasja e tij nga krahu i djathtë ishte shumë e fortë. Ishte komentatori dhe miku i tij, braziliani Galvao Bueno, i cili tha në televizionin Globo Netëork se gjendja Ajrtonit ishte tepër e rëndë.

Në pistë dukeshin njollat e gjakut të Ajrton Senës. Juan Manuel Fangio nga Buenos Aires, 5 herë kampioni i botës dhe një figurë më të cilën madhështia e Senës mund të krahasohej, tha se “kur pashë atë që ndodhi, fika televizorin sepse e dija që kishte vdekur”.

Ualtkins, i cili po merrej me mjekimin e Senës tha se ishte e pamundur që të jetonte pas plagëve të marra poshtë helmetës së verdhë. “Pasi psherëtiu, trupi i tij u relaksua plotësisht,” tha kirurgu. “Në atë moment shpirti i tij u nis”.Brundle u shpreh se nuk e kishte kuptuar menjëherë që aksidenti ishte fatal. “Mendoja se ishte Damon që ishte përplasur. Na thanë se ai kishte lëvizur kokën, dhe menduam se gjithçka do të shkonte mirë, por nuk na ra ndërmend që kjo ishte lëvizja e fundit e një njeriu që po vdes”. Magjistari, artisti dhe ikona me emrin Sena, nuk ishte më. Ishte ora 2 e 17 e drekës. Por sipas parimeve të ligjit italian, Dr. Maria Theresa Fiandri, shefja mjekësore e Bolonjës, nuk dha një njoftim zyrtar për vdekjen e Senës deri në orën 6:40 të pasdites. Çdo përpjekje për ta ringjallur atë gjatë 4 orëve që Sena u mor nga ambulanca ajrore, ishin të pashpresa. Ajrton Sena pësoi fraktura të mëdha në kafkë, kur copa e rrotës së përparme të makinës goditën helmetën e tij. Edhe pas kësaj tragjedie, gara rifilloi 38 minuta pas aksidentit të Senës. Gara u fitua nga Shumakeri. I vetmi konçesion që FIA ndërmori ishte të mos derdhej shampanjë në podium.

Brundle dukej tepër i zemëruar dhe i inatosur që gara vazhdoi. “Edhe sot e kësaj dite inatosem kur e mendoj atë ditë. Ajo që më mërzit më shumë ishte se ne garuam mbi gjakun e tij për 55 xhiro. Mendoj se kjo tregoi mungesë respekti dhe se nuk ishte gjëja e duhur për t’u bërë. Një heshtje e madhe ra në Imola atë pasdite. Nuk e dija që Sena kishte vdekur, deri kur përfundova garën.

Edhe pronarja e Hotel Castello-s shkoi në spital atë ditë për t’i dhënë jetë djalit të saj të dytë. Atje ajo mësoi në lajme për vdekjen e brazilianit që jetonte në dhomën 200 të hotelit të saj që prej vitit 1989. Nga njëra anë ishte e lumtur për lindjen e djalit të saj, por nga ana tjetër ndjeu shumë keqardhje. Në kujtimet e saj: Sena mbetet një njeri i dashur dhe një pilot që donte të fitonte me çdo kusht. Babai dikur i kishte thënë : “Nëse do të bësh diçka, duhet ta bësh më së miri”.

Shpjegimi i plotë i arsyes se pse Sena, personi i cili e bënte një makinë Formula 1 të kërcente, eci drejt në kthesën e Tamburello-s ka disa këndvështrime. Shoku i tij i skuadrës, edhe pas 20 vitesh kërkimi të arsyes së vërtetë, e sheh këtë aksident si një gabim në pilotim. “Unë isha i vetmi person që në të njëjtën ditë, në të njëjtën pistë, kisha të njëjtën makinë. Nuk do ta bëja një gjë të tillë për asnjë arsye. Sipas meje ai ka ushtruar presion të madh te makina”.

Ndryshe nga Hill, Brundle thotë se “e kam shumë të vështirë të jap një përgjigje të saktë të asaj që mund të ketë ndodhur. Por mendoj që makinat në atë kohë nuk kishin aq mjete të duhura, dhe Sena duke ushtruar shumë presion mund të ketë bërë që kolona kryesore e makinës të ketë dështuar”.

Gjyqtarët e Gjykatës Supreme në Romë pranuan variantin e Brundle. Në vitin 2007, pas një gjyqi që zgjati më shumë se një dekadë, ata gjetën një zgjidhje për aksidentin e Senës. Sipas tyre shkak ishte thyerja e kolonës kryesore e cila ishte projektuar dhe punuar keq. Përgjegjësia ra mbi projektuesin e makinës Williams. Por fajtorët nuk u arrestuan. Kjo edhe për arsyen se vendimi i gjykatës u kontestua. Adrian Neui arkitekti i Williams-it të Senës, dha arsyet e tij se pse hipotezat e Gjykatës nuk ishin të vërteta. Por edhe ankesat e Hill, për gungat e shumta në pistë, janë me vend. Edhe vetë Sena ishte ankuar për sipërfaqen jo të rregullt të pistës.

Ankesat e Senës për sigurinë e pistës ishin shpërfillur. Për të mbrojtur makinat, pista duhej rishikuar, por gjithsesi Sena nuk e pa të arsyeshme ta ulte shpejtësinë dhe përfundoi duke u përplasur në murin prej betoni. Tani, në vend të murit ndodhet vetëm një gardh teli i mbuluar me flamurë brazilianë dhe buqeta të vogla me lule si shenjë për të treguar vendin ku jeta e pilotit përfundoi. “Ai është kthyer në një vend të shenjtë,” thotë Hill. “Është një vend që u jep mundësinë njerëzve të tregojnë përkushtimin dhe kujtimin e idhullit të tyre”.

Hill e di që nuk do ta kishte fituar kurrë kampionatin në vitin 1996, sikur mos të kishte ndodhur tragjedia e Senës. Por admirimi për pilotin me të cilin shpenzoi tre gara me makinën Williams, është i pakufishëm. “Ai kishte një mision. T’i përkushtohej me gjithë zemër profesionit të tij. Unë besoj se ai ishte një nga pilotët e garave më të guximshëm, më i talentuari dhe më interesanti. Nuk besoj se do të shohim një tjetër si ai.”

Edhe 22 vjet më pas, askush nuk ndodhet në nivelin e tij. Shumakeri, Fangio, Prost, Vettel kanë fituar më shumë tituj, por Sena mbahet si piloti më i madh i të gjitha kohrave. Mika Hakinen, David Kultard, Fernando Alonso, Luis Hamilton e vlerësojnë shkathtësinë e tij në pilotim. Brundle mahnitej nga mënyra se si Sena pilotonte në Monte Karlo. Bruno, nipin të cilin Airton Sena e shihte si trashëgimtarin e tij natyral, thotë: “Njerëzit e dinë që ai po luftonte për diçka më të rëndësishme se sa thjesht fitimi i një gare. Ai ishte i bindur që e kishte dhuratë nga Zoti këtë aftësi. Kishte besim. Janë cilësitë që i bëjnë disa njerëz të veçantë.”

Një statujë e Senës ndodhet mbrapa Tamburello-s, në parkun publik Acqua Minerale. Statuja e bronzit ndodhet e ulur dhe duket sikur po sodit murin që i mori jetën. Shpesh fëmijët e vegjël kalojnë rreth tij duke prekur këmbët e statujës dhe e vetmja gjë që dëgjojnë janë cicërimat e pyllit të Romanjas.

 

Please follow and like us: