Shtëpitë publike do të na bëjnë më mendjehapur
- Publicistja Elsa Ballauri flet për profesionin më të debatuar në shoqërinë njerëzore, prostitucionin. Ajo mendon se ngritja e shtëpive publike, të ligjëruara, kontrolluara dhe mirëmbajtura është një zgjidhje
Nga Valeria Dedaj
Kryetarja shqiptare për të drejtat e njeriut, Elsa Ballauri, flet për “profesionin më të vjetër”, prostitucionin. Teksa na tregon se pavarësisht mekanizmave, të përmirësuar, që janë përdorur për të luftuar prostitucionin, shton se profesioni më i vjetër nuk mund të zhduket kurrsesi për arsye; ekonomike, psikologjike, por edhe për shkak të çorientimit psiko-social të shoqërisë tonë. Në Shqipëri, sipas saj, ekzistojnë situata të vështira dhe të mëdha. Për këtë arsye ajo numëron disa arsye që e ndihmojnë zhvillimin e këtij fenomeni, si abuzimi i fëmijëve nga prindërit, nevoja e të rinjve për të fituar të ardhura lehtësisht etj. Ballauri mendon se në vendin tonë nuk dihet ende se në çfarë përmasash është prostitucioni, sepse ne ndeshemi me këtë fenomen vetëm kur zbulohet ndonjë strehës e tyre. Për këtë arsye, ajo mendon se mund të kemi shtëpi publike, sepse kjo gjë mund ta frenojë ushtrimin e prostitucionit. Ndërsa, ligji duhet të forcohet veçmas për tutorët e femrave. Prostitucionin online, që u zbulua së fundmi në Tiranë nëpër apartamente, e konsideron një zgjedhje, të cilën e bëjnë femrat për të arritur atë që duan.
Zonja Ballauri, lufta ndërkombëtare dhe kombëtare kundër prostitucionit deri më tani nuk ka pasur rezultate…
“Profesioni më i vjetër”, siç quhet shpesh, mbetet ende i debatuar dhe shqetësues në shoqërinë njerëzore dhe kjo jetëgjatësi ndodh për një sërë arsyesh, por kryesoret janë rrënimi ekonomik dhe ai psikologjik. Seksi është shumë i rëndësishëm për qenien njerëzore dhe kjo është një nga arsyet që ai bëhet shpejtësisht i aplikueshëm, i kërkuar, i suksesshëm. Nëse thoni se lufta ndërkombëtare kundër prostitucionit s’ka rezultuar e suksesshme, mendoj se nuk është tërësisht kështu. Dekadat e fundit prostitucioni është kuptuar si një e keqe që jo thjesht duhet paragjykuar dhe i duhet larguar, por si një sëmundje shoqërore që dëmton jo vetëm femrën, por në tërësi të gjithë shoqërinë. Metodat dhe mekanizmat për ta luftuar janë përmirësuar dhe funksionojnë. Por për arsyen që thashë edhe më lart, dhe se profesioni më i vjetër nuk mundet kurrsesi të zhduket, janë arsyet ekonomike apo psikologjike, që e bëjnë fenomenin të shfaqet në varësi të fluksit të varfërisë apo të çorientimit psiko-social.
Por, sa është e mundur që prostitucioni të zhduket si fenomen në Shqipëri?
Në Shqipëri për fat të keq kemi situata gjithmonë të vështira, të pastabilizuara, me probleme të mëdha të varfërisë dhe pasigurisë sociale. Por kemi edhe probleme shoqërore të rënda, sidomos ato që ndodhin brenda familjes. Mungesa e vëmendjes së institutit të edukimit siç është shkolla, është edhe ky një faktor në dëm të të rinjve. Deri më sot e kemi treguar se nuk dimë të ndërtojmë strategji që duam t’i implementojmë, na mjafton fasada dhe jemi të kënaqur me to. Prostitucioni në këto vite, po funksionon si ai jashtë Shqipërisë, nga i fshehur siç ishte përpara disa viteve, po vjen në qendër të kryeqytetit. Është një sfidë ndaj moralit, turpit, apo në këtë situatë krize psikologjike, askujt s’i bëhet vonë? Një gjë është e qartë, shoqëria është e çoroditur dhe sidomos jeta e të rinjve. Prostitucioni ka disa arsye, ato që përmendëm më parë; varfëria. Por kjo nuk është gjithçka. Abuzimi i fëmijëve nga prindërit, gjithashtu është një tjetër shkak. Nevoja për të fituar para lehtësisht, gjë që është bërë një modë për një rini që nuk ka interesa dhe mundësi punësimi. Por më e keqja është se ne nuk e dimë ende në shoqërinë tonë se në ç’përmasa është prostitucioni. Ne ndeshemi me fenomenin kur zbulohet ndonjë strehë e tyre.
Minimizimi i prostitucionit do të ndodhë vetëm kur shoqëria të shëndoshet, kur të ketë masa serioze për punësim, respekt, mundësi për zgjedhje dhe sidomos kur shteti shqiptar do të mësojë të respektojë individin, duke e ndihmuar atë të formojë dinjitetin.
Dhunë dhe abuzim deri në vrasje nga tutorët dhe klientët për femrat e industrisë së seksit. Në këtë aspekt çfarë do të ndryshonte dekriminalizimi sipas jush?
E di që prisni të them se duhen shtëpitë publike. Po, jam akoma me mendimin e parë, mund të kemi shtëpi publike. Përveç shumë arsyeve që i dimë se ato do të organizojnë më mirë këtë profesion, nga ana tjetër mendoj se edhe mund ta frenojë njëkohësisht. Asnjë femër apo familje shqiptare nuk është aq e përgatitur të dalë përballë opinionit për të bërë këtë zgjedhje. Nga ana tjetër, ekzistenca e shtëpive publike do ta bëjë më të hapur mendjen e shqiptarëve. Përsa i takon abuzimit apo vrasjeve, mendoj se ligji mund të forcohet karshi tutorëve të femrave.
Gjithsesi, dua të bëj një sqarim. Dhe kjo ka të bëjë me kuptimin e asaj që emërtojmë: tutorët zakonisht janë pjesë e trafikut të femrave dhe ky është një fenomen shumë i rëndë kriminal dhe degradues, i cili ka të bëjë me forcimin që iu bëhet femrave për të prostituuar. Prostitucioni i llojit të apartamenteve që së fundmi u zbuluan në Tiranë, është një zgjedhje që bëjnë femrat për t’ja arritur asaj që duan. Trafiku për t’u ndalur ka nevojë për ligje të mira dhe që implementohen me seriozitet, ka nevojë për ndërgjegjësim të shoqërisë dhe familjeve, ka nevojë për strehëza dhe shërbime nga më të qëndrueshmet.
Në vitet ‘90 pati shpërthim shpirtëror të shqiptarëve
Por, çfarë duhet të bëjë shteti në këtë rast? Ballauri e shikon me rëndësi që ligjet evropiane, ia shtojnë përgjegjësinë shtetit jo vetëm për kontroll, por për masa të reja edhe kundrejt klientëve. Ndërsa, zhvillimin në masë të madhe të këtij profesioni, pas viteve 1990, nëpërmjet formave më të shëmtuara të trafikimit ishte një çudi e madhe për të gjithë. Prandaj ajo e konsideron se ajo që ndodhi në atë kohë, nuk ishte vetëm prostitucion dhe kaq. Por, një shpërthim të shkatërrimit shpirtëror, që shqiptarët kishin akumuluar për gjysmë shekulli gjatë diktaturës.
Ndërsa përsa i takon prostitucionit pa tutorë, kjo ka rendësi për shtëpi publike, të ligjëruara dhe të kontrolluara.
Por në të dy herët, mos harrojmë që ka një përgjegjësi të madhe edhe mbi klientët dhe ligjet e reja evropiane i dënojnë edhe këta.
Në vendet e huaja një përqindje e lartë e femrave që ushtrojnë prostitucion janë me origjinë shqiptare, ndërkohë që Shqipëria është ndër të paktat vende që nuk e ka legale? Mendoni se ka ardhur koha që kjo të ndryshojë?
Shqiptarët na çuditën të gjithëve me shpeshimin e prostitucionit dhe të trafikut në mënyrat më të shëmtuara. Kjo ndodhi që në fillim në ikjet e viteve 1990-‘91 e më tutje. Ajo që ndodhi në atë kohë, nuk ishte vetëm prostitucion dhe kaq. Ishte një shpërthim i shkatërrimit shpirtëror që shqiptarët kishin akumuluar për gjysmë shekulli gjatë diktaturës. Historia e prostitucionit shqiptar, është një njollë e zezë në historinë e Shqipërisë, por edhe të Evropës. Tashmë ne duhet të përballemi më këtë. Çështja është se si duhet të gjejmë mekanizma për ta zhdukur. Prostitucionin shqiptar jashtë vendit, na duhet të paktën ta njohim e ta studiojmë, ndërsa atë brenda vendit, na duhet ta shohim si një fenomen serioz. Ngritja e shërbimeve, është detyrë e shtetit dhe shoqërisë civile gjithashtu.
Shoqëria civile t’i sugjerojë politikës dhe qytetarëve alternativën e shtëpive publik
Por, si do të ndikonte legalizimi i prostitucionit? Sipas Ballaurit, do të qetësojë fenomenin në sy të opinionit. Fillimisht do të kontestohet nga shoqëria, nëpërmjet kundërshtimeve të ndryshme, por në fund do të aprovohet, sikundër ka ndodhur edhe në vitet 1930, në periudhën e Mbretit Zog, ku në Shqipëri u hapën shumë bordello, ndërtesat e të cilave ekzistojnë ende edhe sot në vendin tonë. Monitorimi i këtyre shtëpive nga shteti do të sillte një rregullim ligjor, por edhe shtetit do t’i shtonte të ardhurat. Studimet, sipas Ballaurit, kanë treguar se shtëpitë publike e normalizojnë prostitucionin, por çdo shoqëri ka specifikat e veta. Gjithsesi, ajo uron që shoqëria jonë civile të jetë në një mendje dhe kësisoj të gjejë metoda se si t’i sugjerojë politikës dhe qytetarëve alternativën e shtëpive publike.
Në aspektin social a do sillte legalizimi reduktim të ngacmimeve seksuale, përdhunimeve etj?
Mendoj që po, mendoj që legalizimi do të ndryshojë, ose më mirë qetësojë fenomenin përpara syve të opinionit. Natyrisht kjo nuk është e lehtë dhe në fillim nuk do të ketë një aprovim të plotë nga shoqëria, do të ketë edhe kundërshtime, por së fundmi mendoj se më mirë do të bëhet. Nuk është hera e parë në Shqipëri. Në periudhën e Mbretit Zog kemi ngritjen e shumë bordellove nëpër Shqipëri, akoma në Tiranë kanë mbetur ndërtesa të ish- shtëpive publike. Mendoni, kur e kanë pranuar këtë gjë shqiptarët e viteve “30, patjetër do të jetë e pranuar edhe nga shqiptarët e tanishëm.
A nuk do të ishte më mirë që të kishte kontroll për këta persona, sesa të jenë në zona që mund të kenë edhe ndikime negative, qoftë te minorenet, apo edhe në zona ku jetojnë familjarë?
Ngritjet e shtëpive publike, nuk janë si ndërtesa pa leje apo me leje korruptive. Të paktën shpresoj që kjo të mos ndodh. Shtëpitë publike ngrihen sipas ligjeve dhe kontrollohen dhe mirëmbahen me rregulla. I vetmi kundërshtim logjik për to është se ne nuk dimë të zbatojmë rregullat, ose më mirë nuk duam t’i zbatojmë ato. Dhe kjo mund t’i prishë rregullat e nëse kjo ndodh, më mirë të mos mendojmë akoma alternativën e shtëpive publike në Shqipëri.
A nuk do të ishte më mirë që ato taksa që shpesh këto femra i paguajnë me jetë ti merrte shteti në formë të kontrolluar?
Sigurisht, është një rregullim ligjor që edhe shtetit edhe individëve iu sjell të ardhura.
Cilat janë disa arsye të forta që mund ti japim shoqërisë civile për të përshtatur këtë iniciativë?
Shoqëria civile përbehet nga persona dhe secili ka nga një opinion për këtë çështje. Por nëse problemi analizohet siç duhet dhe trajtohen argumentet se përse duhet t’i kemi këto qendra të reja që të sjellin kokëçarje. Atëherë do të arrihet një përfundim. Studimet kanë treguar se shtëpitë publike e normalizojnë prostitucionin, por çdo shoqëri ka specifikat e veta. Gjithsesi, unë uroj që shoqëria civile të jetë në një mendje në shumicën e saj dhe kësisoj të gjejë metoda se si t’i imponohet dhe si t’i sugjerojë politikës dhe qytetarëve alternativën e shtëpive publike.