Ambasadorët e SHBA dhe BE në grupin e PS
Për të dhënë mesazhin e rëndësisë së reformës në drejtësi, por mbi të gjitha për miratimin e shpejte të saj, ambasadorët Donal Lu dhe Romana Vlahutin nisën nga selia e Partisë Socialiste takimet e programuara me grupet parlamentare kryesore politike. Në takimin me dyer te mbyllura me deputetët socialistë, ambasadori amerikan ka kërkuar votimin e draftit brenda afateve të përcaktuara. Ndërsa diplomatja Vlahutin theksin e vuri tek rëndësia e kësaj reforme për procesin e integrimit. Pas mbledhjes, në një deklaratë qe mbante nota mesazhi, ambasadori amerikan foli për një udhëkryq të pazakontë të reformës në drejtësi.
Doland Lu:
Ne pranojmë që është e pazakontë që ambasadorët e huaj të takohen me grupet parlamentare. Mendojmë se jemi në një udhëkryq të pazakontë për reformën në drejtësi, i cili kërkon komunikim të pazakontë dhe vullnet politik. prania ime sot këtu është shenjë e rëndësisë së kësaj reforme për qeverinë e SHBA.
Ndryshe nga kolegu i saj amerikan, përfaqësuesja e Brukselit në Tiranë, tha se nuk është i pazakontë takimi me grupet parlamentare, kur flitet për reforma të rëndësishme.
Romana Vlahutin:
Nuk mendoj se është fare e pazakontë që partnerët të flasin me njëri-tjetrin. Ne jemi këtu në të vërtetë që Shqipëria të arrijë standardet e nevojshme për Bashkimin Europian dhe që të çelen negociatat për tu arritur anëtarësimi në BE. Jemi të angazhuar në një dialog si miq dhe partnerë. E drejta sovrane e deputetëve që të votojnë në parlament është një e drejtë e tyre, sovranitet që atyre ua kanë dhënë zgjedhësit shqiptarë kur i kanë votuar. Kjo është një gjë të cilën ne e respektojmë plotësisht dhe kurrë nuk do ta pengonim këtë gjë apo të ndërhynim.
Garancinë e votës pro të socialistëve e ka dhënë kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruçi, ndërkohë që kryeministri Edi Rama nënvizoi se PS mbështet projektin kushtetues dhe konsensusin me opozitën, me bazë opinionin e Komisionit të Venecias. Por sipas kryeministrit, tek vizita e dy diplomatëve nuk duhet parë dyshimi i tyre nëse socialistët e votojnë reformën. Qëndrimin e opozitës se reforma zgjedhore mbetet kusht ndaj mazhorancës, Rama e konsideron si të paarsyeshëm. Një mesazh kryeministri e pati edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i hoqi mandatin deputetit Koço Kokëdhima. Menjëherë pas deklaratës së kreut të qeverisë ka reaguar lideri i opozitës Basha. Sipas tij, qëllimi i Ramës për reformën në drejtësi është të shpëtojë Koço Kokëdhimën, duke kërcënuar gjyqtarët që nuk e hëngrën presionin e tij për të mbrojtur deputetin socialist. Basha thekson se Rama kërkon te kape drejtësinë që të mbaje mbi ligjin klikën e tij të oligarkëve.