Ambasadori Delawie rithekson mbështetjen amerikane për Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka pritur sot në një takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie. Në këtë takim, sipas një komunikate të lëshuar nga kuvendi, është biseduar për zhvillimet aktuale, me theks të veçantë në procesin e liberalizimit të vizave pas rekomandimit pozitiv të dhënë nga Komisioni Evropian.
“Ambasadori Delawie me këtë rast theksoi se propozimi për liberalizim të vizave është tregues i qartë se institucionet e Kosovës janë duke përmbushur përgjegjësitë e tyre karshi qytetarëve dhe obligimet që dalin nga procesi i integrimeve evropiane”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, Delawie ka ritheksuar mbështetjen amerikane për Kosovën në të gjithë hapat e saj të zhvillimit dhe integrimeve evropiane.
Ndërkohë që Veseli kishte deklaruar se “Kosova është e sigurt në rrugën e saj, pasi që vazhdon si një storie e përbashkët suksesi e Prishtinës, Uashingtonit dhe Brukselit”.