Bankat “braktisin” biznesin e madh, rrisin interesat dhe shtrëngojnë kushtet e kredive
Përkundër politikës lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, bankat tregtare kanë rritur normat e interesit të kredive ndaj biznesit në tremujorin e parë, kryesisht si pasojë e normave më të larta për kredinë për investime.
Banka e Shqipërisë në raportin e periodik për tendencat në kreditim në tremujorin e parë të 2016, të publikuar sot shpjegoi se duke përjashtuar disa kredi me norma jotipike të dhëna ne këtë periudhë, normat për biznese kanë mbetur të krahasueshme me nivelin e tremujorit të katërt 2015.
Nga ana tjetër, individët kanë përfituar nga reduktime të vazhdueshme të çmimit të kredisë, për të gjitha llojet e saj. Normat e interesit të kredisë në lekë për individë u janë afruar normave të interesit të kredive për biznese, të cilat historikisht kanë qenë më të ulëta. Në dy muajt e parë të vitit, vërehet vetëm një rritje e lehtë e normave të interesit për kreditë overdraft në krahasim me tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Banka e Shqipërisë vërën se normat e interesit të kredisë në muajt janar-shkurt janë lehtësisht më të larta se në tremujorin e fundit të vitit. Ato janë shfaqur të luhatshme dhe vijojnë të ndikohen nga kredi të veçanta, në kushtet kur vëllimet e kredisë së re mbeten të ulëta. Në një krahasim më afatgjatë, ato vijojnë të ndjekin trend rënës, ndonëse jo aq të shpejtë sa ai i normave të interesit të depozitave.
Sipas klientit, reduktimi i normave të interesit është më i dukshëm tek individët. Marzhet e ndërmjetësimit janë rritur në dy muajt e parë, por mbeten pranë mesatareve të viteve të fundit. Kushtet joçmim të kreditimit kanë qenë kryesisht në kahun lehtësues, si për individët, ashtu edhe për bizneset. Normat e interesit të kredisë në lekë kanë pësuar rritje në muajt janarshkurt.
Norma mesatare e tyre rezultoi 7.91%, nga 7.68% që shënonte në tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Kjo rritje i dedikohet kryesisht normave të larta për disa kredi për biznese të dhëna në dy muajt e parë të vitit. Pavarësisht luhatjeve afatshkurtra të tyre, normat e interesit për kreditë në lekë kanë ndjekur përgjithësisht një trajektore rënëse, në ndjekje të politikës monetare lehtësuese të zbatuar nga Banka e Shqipërisë. Kështu, çmimi mesatar i kredisë në lekë në dy muajt e parë të vitit është rreth 0.23 pikë përqindje më i ulët se një vit më parë dhe 0.66 pikë përqindje më i ulët se para dy vitesh.
Normat e interesit për kreditë në euro në fillim të vitit kanë ecur në mënyrë të ngjashme me ato në lekë. Norma mesatare e interesit ka rënë për individët, e nxitur nga reduktimi i normave të interesit për kredinë hipotekare dhe për financimin e konsumit afatgjatë.
Ndërkohë, ajo rezulton e rritur për bizneset krahasuar me fundin e vitit të kaluar, por kjo rritje reflekton nivele veçanërisht të ulëta të normave të interesit në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Duke mënjanuar këtë efekt, normat e interesit për kreditë në euro për bizneset janë gjithashtu në rënie.
Në krahasim me një vit më parë, çmimi i kredisë në euro ka rënë, si për individët, ashtu edhe për bizneset. Nga ana tjetër, normat e interesit të depozitave në euro kanë zbritur në nivele të ulëta historike, prej mesatarisht 0.27% në janar dhe shkurt. Për rrjedhojë, marzhi i ndërmjetësimit në euro rezulton i rritur kundrejt tremujorit të fundit të vitit të kaluar, në 5.22 pikë përqindje. Kundrejt një viti më parë, ai është rreth 0.75 pikë përqindje më i ulët.