Ish vendet e Bashkimit Sovjetik shënojnë 9 majin
Përgjatë ish-Bashkimit Sovjetik, janë shënuar aktivietete të shumta për 71 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Evropë.
Në Kirgizi, rreth 14 mijë njerëz mbanin fotografi të familjarëve të vrarë në luftë, në rrugët e kryeqytetit Bishkek.
Marshi u organizua nga “Regjimenti I Pavdekshëm”, një organizatë e krijuar në Rusi në vitin 2007.
Anëtarët e këtij grupi gjithashtu provuan të marshojnë në Krasnoyarsk, në rajonin rus të Siberisë, por u ndaluan nga policia. Autoritet kërkonin nga ta që të prisnin deri në fillimin zyrtar të ceremonisë. Por, familjarët thyen kordonin e policisë dhe vazhduan marshin nën mbikqyrjen e policisë.
Në vendlindjen e Stalinit, në qytetin Gori të Gjeorgjisë, komunistët dolën në rrugë për të kërkuar që statuja e tij të rivendoset në sheshin kryesor. Ajo ishte larguar nga autoritetet në vitin 2010.
Në kryeqytetin e Moldavisë, Shinisau, parade e Ditës së Fitores u mbajt nga partia Socialiste e opozitës, e cila njihet si pro-ruse. Parada erdhi një ditë pas mbajtjes së një ceremonie zyrtare, që kishte të bënte me paraqitjen e pajisjeve ushtarake nga trupat amerikane, për të cilën protestuan socialistët.
Në Taxhikistan, ngjarjet për shënimin e kësaj dite u mbajtën në ndërtesën e operas në Dushanbe. Një zyrtar tha se janë 66 veteranë taxhikë ende gjallë nga ajo që quhet “Lufta e Madhe e Patriotëve”.
Në përgjithësi, vlerësohet se 20 milionë qytetarë sovjetikë u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore.