OKB, e shqetësuar me dënimet me vdekje në Afganistan
Kombet e Bashkuara kanë ngritur “shqetësime serioze” lidhur me ekzekutimin e ditëve të fundit të gjashtë të burgosurve talibanë, në Afganistan.
“Neve na vjen keq që 6 njerëz nga Afganistani u ekzekutuan ditën e diel, pavarësisht ngritjes së shqetësimeve serioze lidhur me standardet e gjykimit të drejtë, dhe raporteve rreth përdorimit të gjerë të torturës, me qëllim të nxitjes së rrëfimit nga ana e tyre”, ka thënë zëdhënësi i Komisionerit të Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, Rupert Colville, përmes një kumtese të lëshuar sot.
Ai ka kërkuar nga Kabuli që të “përmbahet nga aprovimi i dënimeve me vdekje dhe të paraqesë menjëherë një moratorium zyrtar lidhur me përdorimin e dënimit me vdekje.”
Ghani e ka forcuar qëndrimin e tij kundër militantëve, pas një sulmi të madh taliban në Kabul muajin e kaluar, ku mbetën të vrarë 64 njerëz dhe mbi 340 të tjerë të plagosur.
Ai është zotuar për një kundërpërgjigje të ashpër të ushtrisë ndaj talibanëve dhe është zotuar se do t’i forcojë dënimet ligjore, përfshirë ekzekutimet e militantëve të dënuar.
Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Amnesty International, i ka bërë thirrje Ghanit që të mos i nënshkruajë urdhërat për ekzekutime.