Albspirit

Media/News/Publishing

Poliçani kundërshton projektin e Ministrisë për t’i dhënë kombinatin bullgarëve

Ndërsa projektet e bashkisë së Poliçanit për përdorimin e kombinatit të armëve janë refuzuar, kryebashkiaku Zotkaj paralajmëron se ai dhe komuniteti nuk do të lejojnë dhënien me qira tek kompania bullgare.

Autor: Lindita Çela BIRN Tiranë

Kombinati i armëve dhe municioneve në Poliçan, fotografuar në prill 2016. Foto: Lindita Çela/BIRN

Kryetari i Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj ka kundërshtuar dhënien me qira  të kombinatit Mekanik të Poliçanit për llogari të një kompanie bullgare, që sipas të dhënave të siguruara nga BIRN është e lidhur me krimin e organizuar.

Reagimi i Zotkajt erdhi pas publikimit të një investigimi nga BIRN se kompania bullgare All Guns Ltd po kërkon të marrë me qira, me çmimin simbolik 1 euro, ndërmarrjen shtetërore e themeluar në vitin 1962 me qëllim përmbushjen e kërkesave të Forcave të Armatosura Shqiptare për armatim.

Që prej vitit 2014, Zotkaj ka parë tek kombinati i rrënuar i Poliçanit një mundësi për rritjen e punësimit në zonën e varfër që drejton. Përmes disa shkresave radhazi, ai i ka kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes që t’ia kalojë bashkisë pronën e nxjerrë jashtë përdorimit, por është refuzuar.

Korrespondenca mes Bashkisë së Poliçanit dhe Ministrisë së Mbrojtjes, e vënë në dispozicion nga Zotkaj tregon se bashkia po shqyrtonte projekte të reja, të cilat mund të rivitalizonin kombinatin e armëve. Propozimet lidhen me përdorimin e ambienteve të kombinatit për prodhimin e bimëve medicinale apo si vendparkim i administruar nga Bashkia.

Zotkaj i tha BIRN se është refuzuar në mënyrë të vazhdueshme, duke i prerë rrugën projekteve që do të rrisnin punësimin në qytet.

Përmes shkresave të cilat BIRN i disponon, Ministria e Mbrojtjes thotë se Kombinati Mekanik do të mbetet pronë e Forcave të Armatosura.

Pergjigja refuzuese e sekretarit të Përgjithshëm te kryeministrisë për kryebashkiakun Zotkaj.

“Ministria e Mbrojtjes ka studiuar të gjitha mundësitë për të ofruar industritë ushtarake të vendeve aleate, për thithjen e investimeve për ringritjen e Kombinatit Mekanik, me synim përmisimin e procesit të teknologjisë….,” thuhet në një shkresë të korrikut 2015.

Ndërkohë që Bashkia e Poliçanit është refuzuar në mënyrë të vazhdueshme, Ministria e Mbrojtjes i ka hapur rrugën kërkesës së kompanisë bullgare All Guns Ltd për të marrë me qira simbolike kombinatin e Poliçanit.

Në shtator 2015, kjo kompani ka bërë kërkesë zyrtare në Ministrinë e Mbrojtjes dhe ka marrë përgjigje pozitive nga drejtuesit e kombinatit dhe nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

Aktualisht, kërkesa e All Guns Ltd i ka kaluar Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për shtyrtim të mëtejshëm, ndërsa ende nuk ka marrë një përgjigje përfundimtare.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë që All Guns Ltd[emri i së cilës përkthehet nga alfabeti cirilik dhe si Alguns Ltd) është krijuar në vitin 2004 në Sofje nga një ish-tregtar skrapi i quajtur Alexander Dimitrov. Aktiviteti kryesore i kësaj kompanie ka qenë tregtia e armëve.

Dimitrov ka qenë në të njëjtën kohë partner në biznes në kompaninë SIB Metal, me një prej figurave më famëkeqe të krimit të organizuar në Bullgari, Bojan Petrakiev Borisov, shpesh i thërritur me nofkën e tij “Barona.”

BIRN ka mësuar gjithashtu se përveç kompanisë Bullgare, dy kompani amerikane që operojnë në fushën ushtarake ishin  të interesuara për marrjen në shfrytëzim kombinatit së Poliçanit, por kërkesat e tyre janë hedhur poshtë.

Endri Fuga, këshilltar për median i kryeministrit i tha BIRN se përpara se të merret një vendim përfundimtar, do të kryhen të gjitha verifikimet e nevojshme për kompaninë All Guns Ltd.

“Akuzat kundër kompanisë bullgare do të verifikohen,” tha ai.

Pasi është njohur me projektin e kompanisë bullgare dhe miratimin që ai ka marrë nga Ministria e Mbrojtjes, kryebashkiaku i Poliçanit akuzon ministrinë për mungesë bashkëpunimi dhe lënie të qëllimshme të kombinatit në mëshirë të fatit. Zotkaj e cilëson kombinatin, një pasuri të komunitetit dhe paralajmëron hapa të mëtejshëm për të penguar projektin e dhënies së tij me qira.

“Bashkia e Poliçanit dhe gjithë komuniteti  nuk do të lejojnë shitjen dhe keqpërdorimin e kombinatit, me të gjitha mekanizmat  ligjorë e demokratikë kundrejt çdo institucioni publik apo privat që kërkon të cënojë pasurinë e këtij komuniteti,” përfundon Zotkaj për BIRN.

Lindita Çela
RRETH AUTORIT

Lindita Çela

Lindita Çela është gazetare e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative në Shqipëri – BIRN Albania.

Please follow and like us: