Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA, ekspozitë mbi shpëtimin e hebrenjve në Maqedoni

SHBA, ekspozitë mbi shpëtimin e hebrenjve në Maqedoni

Dje në Uashington u hap një ekspozitë me fotografi dhe dokumente nga arkivat e Maqedonisë dhe Shqipërisë që përshkruajnë përpjekjet e shqiptarëve për të shpëtuar hebrenjtë nga nazistët në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Ekspozita “Shqyrtimi i së Kaluarës- Guximi Civil në Kohë të Rrezikshme” e organizuar nga disa organizata shqiptare dhe maqedonase thekson bashkëjetesën dhe afërsinë e njerëzve pavarësisht dallimeve të tyre fetare apo etnike. Ekspozita u shfaq në ambientet e ambasadës së Maqedonisë në Uashington.

Fotografitë dhe dokumentet e prezantuara në ekspozitë tregojnë përpjekjet e shqiptarëve dhe maqedonasve për të shpëtuar nga nazistët hebrenjë që jetonin në rajon gjatë Luftës së Dytë Botërore. Përmes këtyre materialeve arkivore të Maqedonisë dhe Shqipërisë duam të theksojmë rëndësinë e paqes dhe të jetës së njeriut, tha në hapje të ekspozitës, Dr. Skender Asani, Drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

“Fatqekësia që i goditi hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, përveç dhimbjes që ende është e gjallë në zemrat e njerëzve, shërben edhe si mësim i mirë se çfarë mund t’i ndodhë botës nëse jemi të shkujdesur. Madje, sipas meje, ne me indiferencën tonë i ndihmojmë dhunës, terrorit dhe vrasjeve”.

Ekspozita është rezultat i punës dy vjeçare të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Institutit Kombëtar të Historisë, Qendrës së Holokaustit dhe Komunitetit Hebraik në Maqedoni.

“Ne kemi bërë kërkime në arkivin shtetëror në Tiranë, në Izrael dhe në Maqedoni. Ky është një projekt dy vjeçar kërkimesh. Për 70 vite askush nuk ka folur për këtë temë. Mendoj se Qendra e Kujtimit të Holokaustit është një qendër e bashkimit ku të gjitha grupet etnike dhe fetare në Maqedoni janë të mirëseardhur të bashkëpunojnë me ne për një të ardhme më të mirë”, tha Maja Susha, përfaqësuese e Fondit të Holokasutit të Hebrenjve nga Maqedonia.

Në këtë ekspozitë u prezantuan 27 fotografi dhe mbi 100 dokumente. Përfaqësuesi i Institutit Kombëtar të Historisë, Aleksandar Manojlovski thotë se përmes tyre, përshkruhet jeta e komunitetit hebraik në Maqedoni në periudhat para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

“Synimi i këtij projekti është kapja e momenteve të bashkëjetesës në kohët e shkuara dhe afërsia e njerëzve pavarësisht dallimeve të tyre fetare apo etnike”.

Ndërsa, Dr. Skender Asani thotë se përmes kësaj ekspozite organizatorët duan të japin mesazhin se “vetëm të bashkuar mund ta mundim të keqen”.

“Prandaj Instituti ynë ka ndërtuar marrëdhënie të mira me të gjitha komunitetet fetare në vend dhe është i hapur për bashkëpunim me të gjithë. Sepse vetëm duke pasur këtë guxim, si këta njerëz në fotografitë e ekspozitës, mund të shpresojmë për një të ardhme të ndritur të popujve që jetojnë në këtë vend”.

Ekspozita u shfaq në ambientet e ambasadës së Maqedonisë në Uashington. Kjo ekspozitë do të hapet edhe në qytetin e Nju Jorkut nga 11 deri më 20 maj.

Please follow and like us: