Albspirit

Media/News/Publishing

Tre artistë shqiptarë në Poloni

anija ne det“Udhëtarët” bashkon Sislej Xhafën, Adrian Pacin dhe Alban Mujën, përkrah emrave të tjerë të artit bashkëkohor

Në vitin 1959, Porter MrcCray ishte i pari profesionist i muzeve që mbërriti në Poland pas Luftës së Dytë Botërore. Rezultat i kësaj vizite ishte dhe ekspozita “15 artistë polakë” në MoMA më 1961-shin. Por ajo që kujtohet shpesh ende në ambientet e Galerisë Kombëtare në Varshavë është leksioni i tij i gjatë mbi udhëtimin. MrcCray e quante zhvendosjen nga një hapësirë në tjetrën si tepër të rëndësishme jo vetëm për komunikimin kulturor, por dhe për zhvillimin e artit. Pas revolucionit të vitit 1989, dhe hapjes së botës ndaj globalizmit, duke i lejuar qytetarët e ish-vendeve të Bllokut të Lindjes të udhëtojnë lirshëm, është rritur mënyra sesi artistë të vendeve të ndryshme e kanë perceptuar lirinë në veprat e tyre. Artistë që vijnë nga vende me të shkuar kontradiktore dhe kur udhëtimet përtej kufijve bëheshin të pamundura, i kanë shprehur këto gjendje në veprat e tyre. Magdalena Moskalewicz, kuratore e artit në Zacheta, Galeri në Varshavë, kërkon të rikthejë në vëmendje mënyrën sesi arti e ka perceptuar këtë liri. Tre artistë shqiptarë janë të përzgjedhurit e saj për ekspozitën me titull “Udhëtarët”, që do të hapet më 14 maj në këtë galeri. Sislej Xhafa, Adrian Paci dhe Alban Muja do të jenë përkrah emrave të tjerë të artit bashkëkohor, si: Adéla Babanová, Daniel Baker, Olga Chernysheva, Wojciech Gilewicz, Pravdoliub Ivanov, C.T. Jasper & Joanna Malinowska, Irina Korina, Taus Makhacheva, Porter McCray, Ilona Németh & Jonathan Ravasz, Roman Ondak, Tímea Anita Oravecz, Vesna Pavlović, Dushko Petrovich, Janek Simon, Radek Szlaga & Honza Zamojski, Maja Vukoje. Adrian Paci do të prezantohet në këtë ekspozitë me videon “Kolona”, me të cilën u prezantua dy vjet më parë në Bienalen e Arkitekturës në Venecia. Një përrallë vizionare që flet për delokalizimin e punës, transformimin e traditave dhe ballafaqimin mes kulturave, një metaforë e fuqishme vizuale dhe bukuri enigmatike. Videoja paraqet një bllok mermeri që është nxjerrë nga një gurore në Kinë, i cili u punua në det të hapur nga duart e artizanëve kinezë në bordin e një anijeje ofiçine të madhe, duke u shndërruar në një kolonë të stilit klasik. “Në mendjen time filloi të merrte formë imazhi i një skulpture mermeri, gdhendur gjatë një udhëtimi në oqean, kështu vendosa ta kthej këtë imazh në realitet”, do të shprehej Paci për këtë vepër. Sislej Xhafa prezantohet me dy vepra në këtë ekspozitë, “Tenda” dhe “Varka”, të dyja vepra të realizuara më 2011-n. Alban Muja prezantohet me veprën “Emri im, qyteti i tyre”, ku shihen persona të ndryshëm nga Kosova që mbajnë emra qytetesh shqiptare, mbajnë në duar fotografitë e po këtyre qyteteve respektive. Saranda, Berati, Butrinti, Vlora, Gjirokastra, Miloti e Shkodrani janë vetëm disa prej emrave që tregojnë fiksimin e artistit për t’u marrë me “emërimin” dhe sidomos dukurinë e vënies së emrave në këtë mënyrë. Shembull, motra e vëllezër të ndarë në dy kufijtë gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk kanë pasur mundësi ta shohin njëri-tjetrin për shumë kohë. Kjo tregon mitin që ishte krijuar te shqiptarët e Kosovës për shtetin “amë” dhe dashurinë në distancë për diçka që nuk e kishin parë dhe vizituar deri pas luftës në Kosovë në vitin 1999. Veprat e tjera pjesëmarrëse në këtë ekspozitë fokusohen në historitë e udhëtimeve të ndryshme gjatë emigrimeve. Ato fokusohen në një periudhë në mesin e shekullit XX e deri më sot, nga kufijtë e mbyllura drejt asaj çfarë realitetet përfaqësojnë sot. Njëzet e tre artistë nga pesëmbëdhjetë vende tregojnë se si rrjedhin njerëz, mallra dhe ide në këtë pjesë të Europës dhe rajone të tjera të botës.

Please follow and like us: