“Dokumentet e Panamasë” në internet
Çështja e të ashtuquajturave “Dokumente të Panamasë” që shpërtheu muajin e kaluar po merr përsëri vëmendje, ndërsa një sistem tepër i madh të dhënash që i lidhin politikanët e pasur dhe njerëzit e famshëm me vendet e cilësuara si “parajsa fiskale” ka dalë tani në internet. Dokumentet konfirmojnë atë për të cilën është dyshuar kohë më parë, se elitat në mbarë botën kanë përdorur kompani fiktive, për të shmangur pagimin e taksave. Sistemi me të dhënat që dokumenton më tepër se 200 mijë llogari bankare, të krijuara në parajsa fiskale me ndihmën e firmës panameze “Mossack and Fonseca”, u publikua të hënën në internet nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarisë Investigative.
Njohja e publikut të gjerë me të dhënat mundet të shkaktojë edhe më tepër shqetësime se sa në fillim, kur u zbulua çështja. Njerëzit në mbarë botën do të jenë tani në gjendje të gjejnë në internet të dhënat e llogarive jashtë vendit, që lidhen me më tepër se 200 vende dhe territore.
“Unë mendoj se arritja më e madhe është se ne jemi duke e kthyer përsëri pushtetin në duart e qytetarëve”, thotë Marina Walker Guevara, nëndrejtoreshë e Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarisë Investigative.
Njoftimet e mediave muajin e kaluar lidhur me llogaritë bankarae jashtë vendit vunë në siklet disa udhëheqës politikë, si kryeministri britanik David Cameron dhe presidenti rus Vladimir Putin, si dhe detyruan të largoheshin nga posti zyrtarë të nivelit të lartë në Islandë dhe në Spanjë. Gazetarë investigativë janë tani duke i bërë thirrje njerëzve në mbarë botën që të përfshihen në përpjekjet për të përmirësuar transparencën financiare globale.
“Patëm rastin të njiheshim me vende ku ne nuk kishim punuar më parë, dhe ka shumë prej tyre”, thotë zonja Guevara.
Firma ligjore me bazë në Panama dhe klientët e saj të përmendur në “Dokumenetet e Panamasë” kanë mohuar të kenë shkelur ligjin. Parajsat fiskale nuk janë të jashtëligjshme, por ato janë të dëmshme, sepse i ndihmojnë të pasurit që të mos paguajnë taksat, duke ushtruar më tepër presion ndaj klasës së mesme dhe qytatarëve me të ardhura të pakta.
Të hënën, 300 ekonomistë nënshkruna një letër, ku i bënin thirrje udhëheqësve botërorë të heqin dorë nga parajsat fiskale, duke thënë se ato forcojnë pabarazinë dhe dëmtojnë ekonominë globale.
“Me sekretin e parajsave fiskale shumë shpesh bëhen shkelje dhe kompanitë fiskale, ato anonime, përdoren për të fshehur një sërë krimesh, që nga pastrimi i parave, trafiku i drogave dhe i armëve, e deri tek mashtrime të rënda”, thotë zonja Guevara.
Informacioni për llogaritë bankare mund të kërkohet në internet, me emrin e vendeve, të personave, adresat e të dhëna të tjera. Informacionet delikate, si llogaritë bankare dhe identifikimi personal, nuk mund të gjenden.