Albspirit

Media/News/Publishing

Gjykata hollandeze shpall të ndaluar Frrokun në pritje të ekstradimit

Një zëdhënës i Prokurorisë së Amsterdamit bëri të ditur për BIRN se i akuzuari që dyshohet se është Arben Frroku, u vu formalisht nën arrest dhe se Hollanda është në pritje të kërkesës zyrtare për ekstradim nga Shqipëria.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë

Arben Frroku, i denuar me burgim te perjetshem nga Apeli per vrasjen e Dritan Lamajt. Fotot:LSA

Arben Frroku, i dënuari me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit të policisë Dritan Lamaj, u la në masën e sigurisë arrest me burg sot nga një gjykatë në Amsterdam ndërsa autoritetet presin nisjen e procedurave të ekstradimit për në Shqipëri, bëhet e ditur nga një zëdhënës i Prokurorisë së Amsterdamit.

“Sot, më 10 maj, gjykatësi e la atë në masë sigurie arrest me burg deri sa të kryhet gjykimi. Data e gjyqit do të planifikohet më vonë. Kjo mund të kërkojë disa muaj. Aktualisht procedurat e ekstradimit kanë nisur dhe ne po presim për një kërkesë zyrtare për ekstradim,” tha zëdhënësi i Prokurorisë së Amsterdamit.

Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë ka njoftuar më herët se e ka nisur kërkesën për ekstradim te Ministria e Drejtësisë, e cila nga ana e saj e ka nisur për në Hollandë.

Arben Frroku, 47 vjeç, u shpall në kërkim në Shqipëri në korrik 2015, pasi gjykata e Apelit e shpalli fajtor për vrasjen e komisarit të policisë Dritan Lamaj në shkurt 2013. Ai pati mundur të arratisej për shkak se tre muaj më herët, Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda e kishte shpallur të pafajshëm.

Arratisja nëntëmujore e Frrokut përfundoi më 9 mars në Amsterdam. Rrethanat e arrestimit të tij me një pasaportë të falsifikuar dhe procedura e konfirmimit të identietit u bë subjekt debati politik në Shqipëri, ku ish – kryeministri Sali Berisha aludoi se policia e Shtetit po përpiqej të shmangte verifikimin e identitetit për ta shpëtuar Frrokun nga vuajtja e dënimit. Berisha qe gjithashtu i pari që dha për publikun shqiptar lajmin e arrestimit të Frrokut në Hollandë. Ministria e Brendshme i mohoi akuzat duke argumentuar se policia e kishte bërë punën siç duhet.

Sipas të dhënave që Prokuroria e Amsterdamit i dërgoi BIRN, Frroku është arrestuar më 9 mars i dyshuar për përdorimin e një pasaporte greke falso, ndërsa më 17 mars, gjykata e Amsterdamit e dënoi atë me dy muaj burg.

“Ndërkohë, gjurmët e tij të gishtave u kontrolluan (në mënyrë ndërkombëtare) dhe rezultati qe pozitiv te Interpoli. Gjurmët e gishtave u dërguan në Shqipëri për identifikim. I akuzuari duket se është Arben Frroku, i kërkuar nga autoritetet shqiptare për vrasje,” thotë Prokuroria e Amsterdamit.

Afati i burgimit të tij sipas dënimit të 17 marsit, mbaronte më 9 maj. Por në këtë datë, Zyra e Prokurorit të Amsterdamit urdhëroi arrestimin e tij të menjëhershëm për arsye të ekstradimit. Më 10 maj, gjykata urdhëroi mbajtjen e tij të ndaluar deri në një seancë gjyqësore.

Gjergj Erebara
RRETH AUTORIT

Gjergj Erebara

Gjergj Erebara është gazetar për BIRN në Tiranë. Ai ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka master shkencor (MSC) për Histori Ekonomike nga Universiteti i Lundit. I specializuar për gazetari ekonomike. Erebara ka punuar që nga viti 1998 në disa media të shkruara dhe vizive Shqiptare, si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor.

Please follow and like us: