Një tokë e trishtuar sepse nuk di të dallojë kush janë heronjtë e saj të vërtetë
Më 29 shtator të vitit 1991, Admirali Vladimir Baroviq mori një urdhër nga shefat e tij të Ushtrisë Jugosllave që të nisë bombardimet në bregdetin kroat. Ishte një urdhër të cilit nuk mund t’i bindej, por nga ana tjetër detyra ia kërkonte që ta bënte.
Jo shumë kohë më parë, ndërsa negocionte tërheqjen e ushtrisë nga porti i Pulas, ai kishte thënë: “Këtu nuk do të ketë shkatërrim sa kohë që jam unë në krye dhe nëse detyrohem ta urdhëroj shkatërrimin e Pulas ose Istrias, atëherë nuk do të jem më në krye të detyrës”. Kur i erdhi urdhëri, Baroviq e mbajti fjalën. Në vend që t’i kthente armët e flotës së tij kundër qyteteve të bregdetit kroat, ai bëri vetëvrasje.
Baroviq i mori vetes jetën pasi refuzoi të merrte jetët e të tjerëve. Për ta udhëruar një sulm kundër kroatëve, të cilët nuk i kishin bërë keq as atij e as vendit të tij, (siç edhe e kishte shpjeguar në letrën e vetëvrasjes) ishte kundër sensit të nderit si një oficer, por edhe si malazez.
Ndërsa çdo fëmijë në ish-Jugosllavi e njeh Radovan Karaxhiqin, ish-kreun e serbëve të Bosnjës, i dënuar për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata e Hagës, të paktë janë ata që kanë dëgjuar për Admiral Baroviqin. Ndërsa një konvikt studentësh në Pale ka marrë emrin e Karaxhiqit, nuk ka asnjë rrugë apo ndërtesë në Mal të Zi, Kroaci apo Serbi që mban emrin e Baroviqit.
Ai ishte vetëm 52 vjeç në kohën kur bëri vetëvrasje. Vdekja e tij u njoftua në gazetat kroate, kurse agjensia e lajmeve AFP dha një lajm të shkurtër. Ai u varros në Herceg Novi, në Malin e Zi, pa ndonjë jehonë. Historia e vdekjes së tij u varros bashkë me të.
Tani, pothuajse një çerek shekulli më vonë, një organizatë joqeveritare, “Aleanca Qytetare”, po bën fushatë në kryeqytetin malazez, Podgoricë, në emër të Admiralit Baroviq.
Ata kanë kërkuar nga presidenti i vendit, Filip Vujanoviq, që të lëshohet një çmim nderi pas vdekjes, por ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Një tjetër oficer i ushtrisë, i cili shpëtoi nderin dhe reputacionin e vendit të tij, ishte Gjenerali Jovan Divjak. Një oficer i Ushtrisë Jugosllave, serb i lindur në Beograd, kur nisi lufta në Bosnjë, në vitin 1992, Divjak e gjeti veten në një pozitë të ngjashme me Baroviqin.
Me ushtrinë jugosllave dhe forcat paraushtarake serbe që po zinin pozicionet në Sarajevë dhe përreth saj duke qëlluar pa dallim ndaj civilëve, Divjak e bëri zgjedhjen e tij. Ai zgjodhi radhët e atyre që e mbronin qytetin, që po rrethohej. Në atë kohë, vendimi i tij do të mund të përshkruhej si vetëvrasje, marrë parasysh superioritetin e forcave të armatosura serbe.
Sado që duket e pamundur, Sarajeva rezistoi, e po ashtu edhe Divjaku.
Edhe pse Karaxhiqi e Mlladiqi lanë kudo gjurmë gjaku në Bosnjë, ata nuk triumfuan. Lufta dhe rrethimi zgjati edhe për 3 vite e gjysmë, e gjatë kësaj kohe Divjak u bë zëvendëskomandant i Ushtrisë Boshnjake. Ai mund t’ua kishte kthyer lehtë shpinën, por qëndroi për të ndihmuar dhe koordinuar rezitencën kundër një armiku më të fortë e të pamëshirshëm.
Në Serbi, ai ishte shpallur tradhëtar dhe një urdhër arrest u lëshua ndaj tij, me akuza të sajuara. Në vitin 2011, ai u ndalua në Vjenë, në bazë të një urdhër-arresti nga Serbia. Pasi kaloi disa ditë në një burg austriak dhe disa muaj në burg shtëpiak, ai përfundimisht pastroi emrin e tij. Gjykatësi austriak e pranoi se nuk kishte dëshmi që mbronin akuzat kundër tij.
Divjak akutalisht udhëheq një organziatë joqeveritare në Sarajevë, e cila ofron bursa për fëmijët boshnjakë që kanë humbur prindërit në luftë. Nuk do të ishte ekzagjerim nëse do të thuhej se duke falë Divjakut, serbët kanë mundur të jetojnë pas luftës, në Sarajevë, pa u ndjerë të turpëruar.
Ai e bëri të mundur këtë gjë duke e marrë vendimin e duhur, në një kohë shumë të vështirë. Sa gjatë do t’u duhet serbëve që ta shohin se Gjenerali Divjak duhet të nderohet, e jo Gjeneral Mlladiqi, i cili urdhëroi bombardimin e Sarajevës dhe u mbrojt nga autoritetet serbe deri në maj të vitit 2011?
Gjatë paraburgimit në Austri, shërbimi për Ballkanin i Radios Evropa e Lirë kishte kërkuar nga Divjaku që ta mbante një ditar. Në një nga shkrimet e tij në ditar shkruhet:
“Ballkani është një vend fatkeq dhe i trishtë. Fatkeq sepse ndodhet në një vend ku bota përplaset dhe përballen fuqitë e mëdha; ndërsa i trishtë për faktin se banorët e tij lejojnë lehtësisht të manipulohen nga udhëheqësit e tyre.”
Divjak edhe sot nuk mund të shkelë në Serbi, madje as për ta vizituar familjen e tij, pasi do të arrestohej menjëherë. Ai ende shihet si tradhëtar, edhe pse i kundërshtoi vrarësit, që tashmë janë dënuar. Në Sarajevë, ai është jashtëzakonisht popullor mes njerëzve të zakonshëm, ndërsa trajtimi nga udhëheqja e Ushtrisë Boshnjake dhe e Qeverisë ka qenë indiferent.
Ballkani mund të duket si një vend i trishtë e fatkeq edhe sepse njerëzit e tij nuk janë në gjendje të dallojnë heronjtë e vërtetë.