Albspirit

Media/News/Publishing

Adoleshenti kanadez bën një zbulim të madh historik

Një adoleshent kanadez ka bërë një zbulim krejt të papritur. William Gadoury ka zbuluar një qytet antik të fiseve maja, i cili ka qenë i fshehur prej shekujsh në xhunglën meksikane. Zbulimi ka ardhur pasi djali 15-vjeçar ka bërë lidhjen mes yjësive dhe vendeve në të cilat majat ndërtonin qytetet e tyre. Gadoury, i cili banon në një qytet të vogël me 60 mijë banorë në veriperëndim të Montrealit, ka kaluar orë të tëra duke studiuar diagramet e yjësive dhe hartat e qyteteve antike të majave. Pasi i ka analizuar 22 yjësi, ai ka zbuluar se ato korrespondonin me vendin e 117 qyteteve të shpërndara nëpër Meksikë, Guatemalë, Honduras dhe El Salvador. Por njëra prej këtyre yjësive kishte diçka që nuk shkonte. Për tre yje, vetëm dy qytete korrespondonin. Djaloshi ka përdorur “Google Map” dhe ka zbuluar një qytet tjetër në thellësi të xhunglës së Jukatanit. Pamjet satelitore kanë konfirmuar teorinë e tij, duke nxjerrë në pah figura gjeometrike që të kujtojnë formën e një piramide dhe disa ndërtime të tjera pikërisht në zonën që ka përcaktuar nxënësi 15-vjeçar.

Please follow and like us: